Opinion nga Korab Rashiti – Deputet kantonal në Bern, Zvicër
Në çdo shoqëri demokratike, roli i gazetarisë është themelor për ruajtjen e lirisë, transparencës dhe llogaridhënies. Në Kosovën e vitit 2025, ky rol është bërë më jetik se kurrë më parë. Përballë sfidave të mëdha politike, mungesës së konsensusit institucional dhe tensioneve të vazhdueshme, shpeshherë janë gazetarët ata që mbajnë barrën e vërtetës mbi supe. Dhe pikërisht për këtë arsye, ata po kthehen në heronjtë e padeklaruar të këtij vendi.
Të jesh gazetar sot në Kosovë me etikë dhe integritet nuk është një angazhim i lehtë. Kjo kërkon guxim. Guxim për të bërë pyetjet e duhura, për të mos u mbyllur para presionit, për të mos u përkulur para kërcënimeve. Për fat të keq, shumë gazetarë që përpiqen të ushtrojnë profesionin me ndershmëri, përballen me sulme, shpifje, linçim publik dhe frikësim të hapur.
Së fundmi, kam ndjekur me vëmendje disa prej emisioneve dhe intervistave në Radio Televizionin e Kosovës (RTK). Më ka bërë përshtypje fakti se, përkundër sfidave, ende ka gazetarë të lirë që guxojnë të shtrijnë pyetje të forta dhe të kërkojnë përgjigje nga figura publike dhe institucionale. Kjo është një shenjë shprese, një dëshmi se gazetaria profesionale nuk është zhdukur, por vetëm është në një periudhë të vështirë, ku ka nevojë për mbështetje më shumë se kurrë.
Fatkeqësisht, ajo që vjen si përgjigje ndaj kësaj gazetarie të ndershme është shpesh kërcënimi. Kërcënimi ndaj gazetarëve është kërcënim ndaj demokracisë. Nuk mund të kemi një shoqëri të shëndoshë nëse gazetarët frikësohen të bëjnë pyetje, nëse mbyllen për shkak të presioneve apo ndëshkohen për faktin që e thonë të vërtetën.
Është detyra jonë si qytetarë, si përfaqësues të institucioneve demokratike, dhe si pjesë e diasporës aktive, të qëndrojmë përkrah gazetarëve të pavarur. Të mos lejojmë që ata të mbesin të vetmuar përballë frikës, të mos i lëmë të bëhen cak i presioneve politike apo ekonomike.
Gazetarët që e ndiejnë përgjegjësinë e tyre profesionale dhe qytetare janë thelbësorë për një Kosovë më të drejtë dhe më të hapur. Ata nuk kanë nevojë për lavdërime boshe – kanë nevojë për mbështetje reale, për mbrojtje ligjore dhe për një klimë publike që i respekton dhe i inkurajon.
Në fund të ditës, ne mund të kemi institucione të ndërtuara bukur dhe ligje të shkruara mirë, por pa media të lirë, ato do të jenë vetëm fasadë. Demokracia jeton dhe merr frymë përmes fjalës së lirë – dhe fjalën e lirë sot, në Kosovë, e mban gjallë gazetari i ndershëm.
SAM24.info