Nga: Dashnim HEBIBI
Në fund të fushatës së zgjedhjeve lokale në Kosovë, është ndezur atmosfera jo vetëm brenda vendit, por edhe në diasporë. Në kantonin e Cyrihut, në qyteteza të ndryshme ku jetojnë shumë bashkatdhetarë, çdo ditë po zhvillohen biseda të gjalla rreth zhvillimeve politike në Kosovë.
Lajmet “senzacionale”, premtimet e mëdha dhe debatet e pafundme kanë zgjuar emocione të forta, sidomos tek mërgimtarët e gjeneratave më të vjetra.
Bashkatdhetarët e moshuar, të cilët kanë më shumë kohë në dispozicion, po i ndjekin me kujdes çdo debat televiziv dhe çdo përballje politike.
“Edhe po të duash të shikosh diçka tjetër, nuk ke çfarë të shohësh – krejt janë debate,” thotë njëri prej tyre me ironi.
Emocionet janë aq të forta, sa ndonjëri nga mërgimtarët i bie edhe tavolinës nga nervozizmi. Më pas, kërkon falje duke thënë se “ishin vetëm emocionet”. Këta njerëz, që kanë kontribuar për dekada për vendlindjen, e duan të mirën e atdheut dhe shpresojnë që zgjedhjet lokale të kalojnë me qetësi dhe dinjitet. Megjithatë, shumë prej tyre nuk besojnë se do të ketë ndryshime të mëdha pas zgjedhjeve.
Nga ana tjetër, të rinjtë e mërgatës janë më të distancuar. Të angazhuar me punë dhe me jetën e përditshme në Zvicër, ata ndalen vetëm për pak çaste për të komentuar zhvillimet politike. Shpesh, komentet e tyre janë të drejtpërdrejta dhe plot zhgënjim.
“Ku ke parë ti në ndonjë vend të botës që flasin për autobusë dhe tramvaje, kur stacionet janë në gjendje katastrofale dhe asnjë sistem transporti publik nuk funksionon si duhet?” pyet me ironi një i ri.
Sipas tyre, problemi nuk qëndron vetëm te infrastruktura e dobët, por edhe te mungesa e kulturës së përdorimit të transportit publik në Kosovë.
“Si do ta bindësh qytetarin të hipë në autobus?
Në çdo familje ka dy-tri vetura. Këtu në Zvicër askush s’e ka atë luks. Autobusin, trenin e tramvajin i përdorim çdo ditë. Vetura është për pushime, jo për çdo dalje të vogël,” shton një tjetër.
Ata theksojnë se për të ndryshuar realisht, duhet punuar muaj e vite me radhë për të krijuar një kulturë të re transporti publik. Duhet ndërtuar stacione të rregullta, të vendosen orare të sakta, të krijohet besueshmëri dhe qytetari të kuptojë se edhe me autobus mund të shkojë në treg, në spital apo për një kafe. Pa këtë edukim dhe ndërtim të besimit, çdo premtim për “tramvaj në Prishtinë” duket si një ëndërr në mes të ditës.
Kur mërgimtarët dëgjuan për projektin e tramvajit në Prishtinë, shumë reaguan me gëzim, por edhe me skepticizëm.
“Na erdhi mirë ta dëgjojmë, por kjo më shumë ngjan me ëndrra sesa me plane konkrete,” tha një zonjë që jeton prej 30 vitesh në Cyrih.
Pavarësisht lidhjeve të forta emocionale dhe faktit që shumë mërgimtarë kanë ende shtëpitë e tyre në Kosovë, një numër i madh i tyre nuk planifikojnë të udhëtojnë për të votuar.
“Asgjë për ne nuk po flitet. Një fjalë të mirë për mërgatën – asgjë. Ne kemi kontribuar gjithë jetën, por ndihemi të lënë anash,” thotë një pensionist.
Kjo ndjenjë mospërfshirjeje është edhe më e theksuar te gjeneratat më të vjetra të mërgatës, të cilët shpresojnë që bashkëmoshatarët e tyre në Kosovë të kenë kushte më të mira për ta kaluar pleqërinë me dinjitet.
Ata kërkojnë hapësira të posaçme për pensionistët, programe sociale dhe ambiente ku mund të kalojnë kohën me respekt – ashtu siç janë mësuar t’i shohin çdo ditë në Zvicër.
Me pak ditë të mbetura deri në zgjedhjet lokale, mërgata duket e lodhur nga debatet e pafund politike. Midis nostalgjisë për atdheun dhe zhgënjimit nga politika, ata shohin një realitet ku flitet shumë për “transport modern”, por mungon kultura bazë për të ecur edhe me një autobus. / SAM24.info