St. Gallen, Zvicër – Në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm me institucionet zvicerane në fushën e integrimit, përfaqësues të Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih zhvilluan një vizitë pune pranë zyrës Fachstelle Integration – Rheintal, në kantonin St. Gallen.
Në takim morën pjesë znj. Chantale Beusch dhe znj. Ursula Stadlmüller, përfaqësuese të zyrës së integrimit, si dhe znj. Fatmire Sopa, znj. Liridona Sulejmani, znj. Eda Strazimiri dhe znj. Ariana Baldedaj, të cilat janë të angazhuara në komunitet dhe në proceset e përfaqësimit e integrimit të mërgatës shqiptare në Zvicër. Diskutimet u përqendruan rreth rolit të personave kyç në komunitet, rëndësisë së projekteve kulturore, orëve këshilluese të hapura për qytetarët, mbështetjes për gratë dhe çështjeve të ndjeshme si ndërgjegjësimi dhe luftimi i dhunës në familje.
Shefi i Misionit Konsullor, z. Vigan Berisha, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me institucionet lokale zvicerane për të forcuar proceset e integrimit të komunitetit shqiptar, duke veçuar rolin e grave në këtë proces si faktor kyç për ndërtimin e një shoqërie më të barabartë dhe të integruar.
Takimi shërbeu si një platformë e vlefshme për shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e mëtejshëm të koordinimit ndërinstitucional, me qëllim lehtësimin dhe mbështetjen e integrimit të mërgatës kosovare në Zvicër. /SAM24.info
Foto nga FB, V.B