Intervistoi: Dashnim HEBIBI
Intervistë ekskluzive me Meti Krasniqin, tashmë ish-kryetar i Rrjetit të Miqësisë në Zvicër
Luzern, 01 korrik 2025 – Meti Krasniqi, nga Gjakova dhe banues në kantonin e Lucernit, është një nga figurat më të respektuara në komunitetin shqiptar në Zvicër. I njohur për përkushtimin, urtësinë dhe veprat konkrete në shërbim të çështjeve kombëtare, Meti ka qenë një lider i padiskutueshëm i Rrjetit të Miqësisë në Zvicër. Me një angazhim të palëkundur për bashkimin e mërgatës dhe forcimin e miqësisë ndërshqiptare, ai ka fituar respektin dhe besimin e gjerë të bashkatdhetarëve.
Po, pra në një moment vendimtar për komunitetin shqiptar në Zvicër, Meti Krasniqi, një prej figurave më të angazhuara dhe të respektuara të mërgatës, ka dhënë dorëheqjen nga pozita e kryetarit të Rrjetit të Miqësisë. I lindur në rrethinën e Gjakovës dhe rezident në kantonin e Lucernit, Meti njihet si një njeri me integritet, vizion dhe përkushtim të palëkundur ndaj çështjes kombëtare dhe bashkimit të diasporës shqiptare.
Vendimi i tij për t’u larguar nga drejtimi i rrjetit ka ngjallur reagime të shumta, por njëkohësisht ka hapur rrugën për një kapitull të ri në rrugëtimin e tij publik. Në këtë intervistë ekskluzive, Meti Krasniqi flet për motivet e këtij vendimi, sfidat e së kaluarës, vizionin për të ardhmen dhe përkushtimin e tij të vazhdueshëm ndaj kombit dhe diasporës.

Largimi i tij nga posti i kryetarit, më 29 qershor, ka shkaktuar reagime të shumta pozitive dhe emocione të përziera. Ky vendim, sipas tij, vjen si rrjedhojë e një angazhimi të ri e më të madh në të ardhmen. Në këtë intervistë ekskluzive, Meti Krasniqi ndan me ne arsyet e këtij vendimi dhe vizionin e tij për të ardhmen.
Meti, faleminderit për kohën dhe besimin. Së pari, çfarë të shtyu të largohesh nga drejtimi i Rrjetit të Miqësisë në Zvicër?
Faleminderit juve për ftesën dhe vlerësimin. Ky vendim nuk ka qenë aspak i lehtë, por ishte rezultat i një nevoje të brendshme për të shërbyer komunitetit dhe atdheut në një tjetër dimension. Rrjeti i Miqësisë ka qenë më shumë se një detyrë – ka qenë një mision i zemrës sime dhe mbetet pjesë e shpirtit tim. Por besoj se ka ardhur koha të angazhohem aty ku vendimet ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

A e ke menduar gjatë largimin? Ishte vendim i lehtë?
Jo, aspak. Ishte një vendim emocionalisht i vështirë. Kam reflektuar gjatë në heshtje. E ndieja një përgjegjësi të madhe ndaj atyre që më kanë besuar, por njëkohësisht një thirrje të brendshme për të mos qëndruar pasiv ndaj zhvillimeve në vendin tonë.
Si u prit vendimi nga kryesia dhe miqtë e afërt?
Ka pasur emocione të forta. Disa me mallëngjim, të tjerë me mirëkuptim të thellë. Ata që më njohin, e dinë që nuk marr vendime të tilla pa arsye të forta. Jam mirënjohës për fjalët, përqafimet dhe reagimet që mora – edhe në rrjetet sociale. Më dhanë kurajë për të vijuar rrugëtimin tim të ri.

Përflitet për një angazhim të ri në politikë. Mund të na thuash më shumë?
Po, është e vërtetë. Nuk bëhet fjalë për një projekt personal, por për një përpjekje kombëtare. Kam vendosur të angazhohem në politikë, i shtyrë nga dëshira për të ndikuar pozitivisht dhe konkretisht. Dua të sjell një frymë të re, të sinqertë dhe të bashkuar në politikën shqiptare – me fokus tek diaspora dhe Kosova.
Ky angazhim është në Kosovë apo Zvicër?
Në Kosovë, me një përqasje të veçantë ndaj diasporës. Jam bir i popullit, vëlla i mërgatës, dhe besoj se është koha që diaspora të mos mbetet vetëm kontribuese financiare, por edhe pjesëmarrëse në vendimmarrje.
Gjatë drejtimit të Rrjetit, ku mendon se ke qenë më i suksesshëm?
Suksesi nuk matet vetëm me projekte, por me ndikimin në zemrat e njerëzve. Jam krenar që kam ndihmuar në bashkimin e komunitetit, në ndërtimin e urave mes qytetarëve, institucioneve shtetërore dhe fetare. Ky është një kapital i përbashkët dhe i qëndrueshëm.

A ke qenë i lirë dhe i pavarur në ushtrimin e detyrës?
Po, gjithmonë. Liria për mua ka qenë e lidhur me përgjegjësinë. Kam vepruar me ndershmëri dhe ndërgjegje të pastër, gjithnjë duke respektuar ata që më besuan dhe vlerat që përfaqësonte rrjeti.
Kush ka qenë mbështetja jote më e madhe?
Faleminderoj bashkëpunëtorët e mi të ngushtë: Shaqir Alushaj, Florim Useini, Visar Robelli, Nadi Zendeli, Ibrahim Çekaj, Kastriot Basha, Afrim Memeti dhe Bekim Izeri. Mirënjohje të veçantë për Ambasadorët z. Rexhep Demiri, z. Mentor Latifi, Konsullin z. Vigan Berisha – si dhe për PhD Dashmin Hebibi dhe portalet SAM24.info e HelfeticalForum për mbështetjen mediatike.
A do e ketë të vështirë Rrjeti të ecë përpara pa ty?
Jo. Besoj në vazhdimësi. Rrjeti nuk është një individ, por një ide, një mision. Unë kam qenë vetëm shërbyes i këtij misioni dhe do të jem gjithmonë aty si mik e mbështetës.

A ka diçka që do të doje ta kishe arritur por nuk ia dole?
Po, doja të ndaja mirënjohje publike për disa miq të Rrjetit që kanë kontribuar shumë. Për fat të keq, nuk arrita ta realizoj këtë para largimit tim si kryetar. Por besoj se ata do të mbeten besnikë dhe të përkushtuar ndaj misionit të Rrjetit.
Si e sheh të ardhmen e rinisë shqiptare në diasporë?
Rinia jonë ka potencial të jashtëzakonshëm, por ka nevojë për më shumë hapësirë dhe besim. Duhet të përfshihen më aktivisht në vendimmarrje. Ata janë forca jonë e re – dhe nëse i mbështesim, do të na befasojnë pozitivisht.

A ndihesh se brezi i parë i mërgatës po lihet në hije?
Po, fatkeqësisht. Brezi i parë ka sakrifikuar gjithçka për atdheun. Nuk duhet harruar. Ata janë themeli mbi të cilin ndërtojmë sot. Ata meritojnë respekt, kujdes dhe përfshirje të vazhdueshme.
Thuhet se atdheu kujtohet për diasporën vetëm gjatë fushatave. Cili është mendimi yt?
Ka shumë të vërtetë në këtë. Por kjo duhet të ndryshojë. Diaspora nuk është thjesht votues, por forcë zhvillimi. Ne duhet të sigurojmë përfaqësim real dhe angazhim të sinqertë, jo vetëm retorikë elektorale.

Mund të na zbulohet diçka më shumë për projektin madhor në Kosovë?
Janë disa ide në zhvillim për të fuqizuar lidhjen e diasporës me institucionet e Kosovës. Është një vizion për të institucionalizuar energjinë e mërgatës – më shumë se një projekt, është një përpjekje për bashkim kombëtar. Së shpejti do të jetë publike.
Për fund, cili është mesazhi yt për bashkatdhetarët?
Unë nuk largohem nga shërbimi ndaj bashkatdhetarëve – thjesht po ndërroj mënyrën. Diaspora është shtylla e kombit. Unë jam njëri prej jush dhe gjithmonë do të jem përkrah jush. Nëse më shihni në një rol të ri, më shihni si përfaqësuesin tuaj. Unë jam bir i popullit, vëlla i mërgatës, bashkues i kombit dhe armik i padrejtësisë.

Të faleminderit dhe sukseset mos tu ndalshin.
Faleminderit shumë, PhD Dashnim Hebibi. Duhet të them sinqerisht se ke bërë shumë për ne dhe jam jashtëzakonisht mirënjohës për gjithë përkushtimin dhe mbështetjen tënde. Të kemi pranë si një shtyllë dhe si një mbështetje të fortë në organizimet në të mirë të diasporës është një bekim i madh për komunitetin tonë. Shpeshherë jemi takuar dhe në çdo takim apo aktivitet, ti ke qenë gjithmonë i palodhur, me energji dhe pasion për të avancuar çështjet tona. Asnjëherë nuk ke kursyer kohën apo energjinë për t’u angazhuar në çdo sfidë që ka dalë para nesh. Lumë ne që të kemi! Je një nga figurat më të rëndësishme dhe më kombëtare që njohim, një zë i sinqertë dhe i fuqishëm që i ka dhënë shumë komunitetit shqiptar në diasporë. Falë punës dhe përkushtimit tënd, shumë gjëra kanë marrë jetë dhe komuniteti ynë është më i bashkuar se kurrë. Vlerësimi dhe respekti ynë për ty janë të pakufishëm.
SAM24.info