Nga Dashnim HEBIBI
Luzern, 11 tetor 2025 – Në çdo cep të botës ku ka shqiptarë, flamuri kuqezi valon me krenari. Nga Tirana në Prishtinë, nga Tetova në Ulqin, nga Lugina e Preshevës deri në zemër të Evropës – mërgata shqiptare po feston me entuziazëm fitoren historike të Kombëtares shqiptare kundër Serbisë.
Sonte, në nëntor, kur ndjenjat kombëtare janë më të zjarrta se kurrë, Shqipëria shkroi histori në tokën shqiptare pranë Leskocit, aty afër Medvegjës, duke gjunjëzuar Serbinë me lojë, profesionalizëm dhe shpirt sportiv.
Në Luzern të Zvicrës, në picerinë “La Stazione” e Naim Medvegjës – Kurti, ndeshja u përjetua me emocione të jashtëzakonshme. Dhjetëra bashkatdhetarë nga të gjitha trevat shqiptare u mblodhën për të ndjekur këtë duel të madh.
Në mesin e tyre ishin edhe Nadi Zendeli nga Çegrani i Maqedonisë së Veriut, Florim Useini nga Uskana, si dhe shumë të tjerë nga Kosova dhe Lugina e Preshevës, që nga sekonda e parë e deri në fishkëllimën e fundit nuk ndaluan së bëri tifo me zemër.
Në këtë atmosferë të ngrohtë shqiptare, i pranishëm ishte edhe Ambasadori i Maqedonisë së Veriut, Shkëlqesia e tij Rexhep Demiri, i shoqëruar nga mbi njëzet bashkatdhetarë nga vendlindja. Ai ndau emocione sportive dhe bëri krahasime me ndeshjen e fundit të Maqedonisë së Veriut në Belgjikë, ku skuadra e tij kishte arritur një rezultat të mirë.

Ambasadori Demiri dhe miqtë e tij u shprehën të lumtur që në fund fitoi jo vetëm Shqipëria, por edhe sporti. Ndërsa Florim Useini, i mbushur me emocion, e përjetoi çdo sekondë të lojës me shpresën për më shumë gola, duke theksuar se suksesi vjen me profesionalizëm dhe zemër, jo me urrejtje.
Në fund, gotat u ngritën lart, këngët shqiptare kumbuan në çdo qoshe, dhe festa nisi – një mbrëmje që do të mbahet mend gjatë nga mërgata shqiptare në Luzern dhe nga të gjithë ata që e ndjejnë me shpirt fitoren kuqezi. /SAM24.info