Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për pensionet tashmë është realitet për qindra e mijëra bashkatdhetarë që jetojnë e punojnë në shtetit fqinj.
Pas miratimit të senatit italian në unanimitet, votim ky që përmbylli edhe ratifikimin e marrëveshjes, të premten e 21 marsit, ligji 1340 u reflektua në Fletoren Zyrtare në Itali dhe hyri në fuqi.
Marrëveshja do t’i kushtojë buxhetit italian 12 milionë euro në vitin e parë të zbatimit dhe ku përfitues pritet të jenë 1 mijë e 387 persona dhe efektet e para pritet t’i japë në muajin qershor.
Sipas dokumentit të marrëveshjes përfitues janë ata, të cilët kanë plotësuar mbi 42 vite kontribute bashkuar periudhat në Shqipëri dhe Itali dhe pension pleqërie duke plotësuar kriterin e moshës që është 67 vjeç si për burrat edhe për gratë. Gjithashtu 20% e personave 67 vjeç qe nuk janë trajtuar deri tani me pension do të mund të përfitojnë të ardhura deri në 400 euro në muaj, ndërkohë që marrëveshja ju jep mundësi emigranteve të përfitojnë edhe nga skema të tjera siç janë pensionet e invaliditetit, familjare, pagesa papunësie, apo sëmundje dhe barrëlindja, njofton rtsh.