Nga: Dashnim HEBIBI
Green Coast-Dhërmi /Vlorë, 27 korrik – Pushimet verore sjellin me vete jo vetëm relaks dhe freski, por edhe përballje me realitete të ndryshme kulturore. Kohët e fundit, në disa plazhe publike, janë vërejtur çifte – shpesh jo vendas – që shfaqin sjellje intime të tejskajshme në praninë e fëmijëve dhe pushuesve të tjerë. Nga mënyra e të folurit dallohet se nuk janë shqiptarë, por kjo nuk e justifikon faktin që ata zgjedhin ta shfaqin intimitetin e tyre në mënyrë të hapur, madje edhe në ujë, ndërsa përreth tyre lahen fëmijë e familje të tëra.

Nuk është çudi që në disa kultura kjo mund të konsiderohet normale apo e pranueshme, por në një hapësirë publike ku bashkëjetojnë njerëz nga mjedise e tradita të ndryshme, ruajtja e respektit për të tjerët duhet të jetë udhërrëfyesi kryesor. Sjellje të tilla, që në vende të tjera kufizohen në plazhe nudistësh apo zona të dedikuara për të rritur, nuk kanë vend në plazhe familjare.
Ky nuk është thjesht një apel moral, por një thirrje për kujdes dhe vetëdije. Intimiteti është pjesë e bukur e marrëdhënies njerëzore, por kur ai shfaqet pa masë në publik, kthehet në shqetësim. Edhe ne, shqiptarët, duhet të ruajmë një standard të dinjitetshëm sjelljeje në hapësirat e përbashkëta. Jo për të qenë më “të mirë” se të tjerët, por për të mbrojtur atë ndjenjë komunitare që ende e kemi të gjallë.
( Foto nga D.H)
SAM24.info