Nga Dahest LUMA, Luzern
Florim Useini, një personalitet i njohur jo vetëm në Zvicër, por edhe më gjerë në mërgatën shqiptare, është një zë i fuqishëm i bashkëpunimit dhe unitetit. Ai jeton e vepron në Zvicër dhe mban titullin kryetar nderi i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore.
Me vizion të qartë dhe përkushtim të palëkundur, Useini çdo ditë e më shumë po afron figura të shquara të mërgatës shqiptare – jo vetëm biznesmenë, por edhe profesionistë, intelektualë dhe veprimtarë të suksesshëm.
Me fjalë të pakta, por me zemër të madhe, z. Useini është bërë urë lidhëse mes personaliteteve të diasporës shqiptare, duke nxitur bashkëpunimin ndërmjet tyre në funksion të një komuniteti më të fortë e të organizuar.
Një nga nismat më të fundit të tij ishte mundësimi i një takimi të rëndësishëm në Zvicër mes dy figurave të njohura të fushës së mjekësisë shqiptare: Prof. Dr. Xhavit Lipaj dhe Dr. med. Semun Abdili.
Një Vizitë e Veçantë në Emmetten
Së bashku me Prof. Dr. Xhavit Lipaj, Florim Useini vizitoi praxis-in e Dr. med. Semun Abdili në Emmetten – një zonë malore e Zvicrës, ku Dr. Abdili është i vetmi mjek shqiptar. Me përkushtim të madh dhe sfida të shumta të kapërcyera, Dr. Abdili ka ndërtuar një emër të respektuar në shërbimin mjekësor, duke dëshmuar se vullneti dhe dashuria për profesionin janë çelësi i suksesit.
Ndërkohë, Prof. Dr. Xhavit Lipaj është udhëheqës i shtëpisë së pleqve për persona me demencë dhe i shtëpisë shëndetësore në Andermatt – institucione me rëndësi të madhe sociale. Ai është i vetmi shqiptar në këtë fushë, duke përfaqësuar me dinjitet dhe profesionalizëm të lartë komunitetin tonë.
Shembuj që Frymëzojnë Rininë Shqiptare në Diasporë
Dr. Abdili dhe Prof. Dr. Lipaj janë shembuj të qartë se shqiptarët nuk njohin pengesa kur bëhet fjalë për dije, përkushtim dhe dashuri për punën. Ata janë dëshmi se suksesi nuk njeh kufij gjeografikë, dhe se përmes mundit dhe këmbënguljes, gjithçka është e arritshme.
Këto dy figura të ndritura janë krenari kombëtare – përfaqësues të denjë të diasporës shqiptare në Zvicër dhe një frymëzim për çdo të ri që synon të arrijë majat me punë të ndershme dhe dije të thellë.
Florim Useini, me punën e tij të heshtur, por të vazhdueshme, po ndërton ura bashkëpunimi mes shqiptarëve në diasporë. Përmes nismave të tilla, ai jo vetëm që afirmon vlerat e komunitetit shqiptar, por edhe kontribuon në forcimin e identitetit tonë në mërgatë.