
Nga Dashnim HEBIBI
Kur mungesa e ujit e dritave bëhet temë elektorale në shekullin XXI
Në vend që të flasim për zhvillim ekonomik, inovacion, arsim cilësor apo mirëqenie sociale, Kosova ende mbetet peng i temave bazike: ujë të pijshëm, ndriçim publik dhe qentë endacakë. Ky është realiteti i hidhur që po e jeton një pjesë e madhe e qytetarëve tanë, më shumë se dy dekada pas çlirimit nga armiku shekullor.
Gjatë fushatave zgjedhore, dëgjojmë premtime që në vende të tjera janë çështje të mbyllura që prej dekadash. Në shumë zona të Kosovës, njerëzit ende nuk i kanë të garantuara gjërat më elementare për një jetesë dinjitoze. Kjo është një pasqyrë e vonesave të thella në zhvillim, por edhe e një sistemi politik që shpesh merret më shumë me grindje sesa me punë konkrete.
Problemet bazike që s’duhet të ishin më tema debati
Në vend të garës për ide moderne, për plane zhvillimi afatgjata dhe për përmirësimin e cilësisë së jetës, politikanët ende bëjnë fushatë me premtime për autobusa, për rregullimin e ndriçimit publik apo për furnizim me ujë të pijshëm. Dritat janë prishur – përgjegjësia hidhet si top nga njëra palë tek tjetra. Uji mungon – por në fushatë premtimet rishfaqen si të ishin risi.
Ndërkohë, gjendja në sektorët kyç është alarmante:
- Papunësia mbetet e lartë dhe shumë të rinj nuk shohin perspektivë në vend.
- Arsimi ka nevojë për reforma të thella dhe investime serioze.
- Shëndetësia është në gjendje të tillë sa shumë qytetarë detyrohen të kërkojnë shërim në vendet e rajonit apo në Evropë.
- Siguria publike është shqetësuese, me raste të shpeshta të krimeve dhe aksidenteve fatale në komunikacion.
Në vend që të garojmë me shtetet e rajonit për zhvillim dhe mirëqenie, ne po debatojmë për çështje bazike, ndërkohë që skena politike shpesh dominohet nga akuza, fyerje dhe përplasje në studio televizive, në vend të ideve dhe planeve konkrete.
Zëri i qytetarit të zhgënjyer
Një mërgimtarë nga komuna e Gjilanit, që jeton në Kantonin e Cyrihut, shprehu zhgënjimin e tij:
“Kurrë votën nuk ia jap atij që ofendon, edhe nëse është i mirë. Rinia po largohet çdo ditë. Populli është lodhur me shumicën e politikanëve.”
Kjo ndjenjë lodhjeje dhe mosbesimi është përhapur gjerësisht. Parlamenti, që duhej të ishte simbol i seriozitetit institucional, shpesh është shndërruar në arenë përplasjeje politike. Ndërkohë afrohen zgjedhjet lokale, por shumë qytetarë ndihen pesimistë për ndryshim, edhe pse thellë në vetvete e dinë se pjesëmarrja në votime është thelbësore për të ardhmen e vendit.
Roli i diasporës – një burim i pashfrytëzuar si duhet
Mërgata shqiptare ka qenë dhe mbetet shtyllë e rëndësishme për Kosovën. Shoqata të shumta humanitare, organizata dhe individë nga diaspora kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë me projekte konkrete në vendlindje. Por institucionet vendore shpesh i shohin ata vetëm si votues potencialë, jo si partnerë strategjikë për zhvillim.
Është koha që diaspora të organizohet edhe më fuqishëm për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe lidhjet e brezit të ri me vendin e të parëve, sepse kjo nuk është në prioritetet e institucioneve.
Koha për të dalë nga rrethi vicioz
Kosova nuk mund të ecë përpara nëse çdo zgjedhje mbetet peng i premtimeve për ujë, drita e rrugë të asfaltuara. Këto duhet të ishin të kryera dje. Sot duhet të flasim për inovacion, zhvillim të qëndrueshëm, ekonomi të fortë dhe arsim që krijon të ardhme.
Është koha që debatet boshe të zëvendësohen me vizione të qarta. Qytetarët meritojnë më shumë sesa fushata që ripërsërit problemet bazike. Mjaft më me topin që hidhet nga njëra anë në tjetrën – është koha që dikush ta marrë dhe ta çojë drejt portës së zhvillimit. /SAM24.info