/ Nga: Dashnim HEBIBI /
/ Zürich, 30 Prill 2025 Në një atmosferë vëllazërore dhe tepër emocionuese, Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih mirëpriti sot z. Qamil Xhelili – një emër i njohur në mesin e diasporës shqiptare në Zvicër, aktivist i çështjes kombëtare, luftëtar i lirisë dhe kontribuues i hershëm në përpjekjet për pavarësi, liri dhe dinjitet të kombit shqiptar.
Takimi u zhvillua në prani të shefit të misionit konsullor, z. Vigan Berisha, i cili përshëndeti me respekt të thellë vendimin e z. Xhelilit për t’u kthyer përgjithmonë në atdhe pas më shumë se tri dekadash jetë në mërgim. Z. Berisha e cilësoi këtë hap si një akt frymëzues dhe shembull të rrallë të lidhjes shpirtërore me tokën amtare. Ai bashkëbisedoi me z. Xhelilin për shumë tema të rëndësishme, përfshirë sakrificat e diasporës, rëndësinë e unitetit kombëtar dhe nevojën për bashkëpunim edhe në të ardhmen.
Përmes një bisede të ngrohtë dhe plot ndjenja, z. Berisha i uroi z. Xhelilit shëndet, paqe dhe suksese në këtë kapitull të ri të jetës, duke vlerësuar kontributin e tij të paçmuar ndër vite. Ai e nderoi atë edhe me kopjen zyrtare të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, si simbol mirënjohjeje për gjithë veprimtarinë dhe përkushtimin ndaj çështjes shqiptare.
Sipas SAM24.info, z. Vigan Berisha, tashmë një figurë e konsoliduar në diplomacinë shqiptare në diasporë, po vazhdon të jetë zëri i unitetit dhe frymëzimi për shqiptarët në Zvicër, përfshirë edhe ata nga Lugina e Preshevës.
Z. Qamil Xhelili, i lindur në fshatin Strezoc të komunës së Preshevës – një vend që ka dhënë dëshmorë si Mitat Musliu dhe shumë figura të shquara të çështjes sonë kombëtare – ndau emocionet e tij me publikun për vendimin e kthimit në atdhe:
“Ëndërr e kam pasur dhe i jam lutur Perëndisë që, sa të jem mirë me shëndet, të kthehem atje ku kam lindur. I jam mirënjohës Zvicrës – me këtë Zvicër jemi rritur. Kam pasur babain në Zvicër dhe sot ai e gëzon pensionimin. Po i lë dy djemtë, motrat dhe familjarët e tjerë. Kam vendosur që nesër, më 1 maj, ta lë Zvicrën dhe ta kaloj pjesën tjetër të jetës andej, aq sa ma ka caktuar Zoti. Desha takimin e fundit dhe të marr bekimin edhe nga diplomati i Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, që është vërtet diplomat i të gjithëve.”
Ai shtoi me emocion të thellë: “Shkova me kënaqësi dhe ai më nderoi me fjalë të ngrohta, me respekt dhe me Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës – për të cilën jo vetëm unë, por edhe shumë të tjerë kemi kontribuar. Takimi ishte vëllazëror. Dhe jam i lumtur që nga ky takim, iu drejtova banesës sime për të bërë gati çantat me bashkëshorten time, por këtë herë jo si mysafir, por për jetë.”
Z. Xhelili u shpreh gjithashtu: “E dua fshatin tim, Strezocën. Atje kam të varrosur më të dashurit e mi. Atje dua të pij pikën e fundit të ujit të kësaj bote, të jem afër babës e nënës, afër miqve e familjarëve. Kurrë s’e harroj Zvicrën. Tash, kur të vij në Zvicër, nuk do të vij si në vendin tim, por si në një vend falënderues, që do ta mbaj gjithmonë në zemër.”
Ai përfundoi mesazh të qartë dhe njerëzor për të gjithë ata që e kanë njohur në jetë: “Falënderoj përmes SAM24 të gjithë miqtë dhe farefisin, dhe kërkoj të jem i dashur edhe kur të kthehem. Ia dua të mirën secilit – padyshim se jemi njerëz. Nëse kam gabuar me dikë, i kërkoj falje. Shumë u emocionova kur më nderoi z. Berisha, i pari i shtetit të Kosovës – ku edhe atje kam shtëpi. Për pavarësi pata shkuar edhe të jap jetën, por Zoti deshti të jem ende. Por kurrë nuk jam ndalur, e as që do të ndalem për të mirën e kombit tim.”
SAM24.info