/ Nga: Dashnim HEBIBI /
Jetojmë në një kohë të pisët – jo vetëm në aspektin moral, por edhe në atë shoqëror e shpirtëror. Një periudhë ku moraliteti nuk jetohet, por shitet si një mall me afat skadence; ku dinjiteti është bërë fjalë e zbrazët në duart e atyre që kurrë nuk e kanë ditur çfarë do të thotë të jetosh me të.
Kudo dallavere – andej e këndej. Lumi unë dhe ata-ato që nuk na përliu “gripi” i pisave.
Por sa gjatë do të durojmë këtë absurditet moral që na rrethon?
Deri kur do të dëgjojmë ata që shesin moral, por nuk e njohin atë? Deri kur do të heshtim përpara të paditurve që flasin për dituri, ndërkohë që dija e vërtetë shpërfillet? Deri kur do të lejojmë që dyfytyrëshat të shiten si njerëz me fytyrë të ndershme, ndërsa integriteti të fshihet në hije?
Tregu i përmbysur i vlerave
Sot frikacakët shesin trimëri, ndërsa hajdutët flasin për fitime të ndershme. Në këtë realitet të deformuar, vlerat nuk maten më me përmbajtje, por me zhurmë. Kush bërtet më fort, duket më “i rëndësishëm”; kush hesht me dinjitet, mbetet në hije.
Jemi në një treg të përmbysur: të mirat rrinë anash, të papërdorura e të pavlerësuara, ndërsa të këqijat shiten menjëherë, pa pyetur askush për cilësi apo çmim. Në vend që të frymëzohemi nga shembuj të ndershmërisë dhe përkushtimit, glorifikojmë hilet, servilizmin dhe mesataren që zhurmon.
Ndjenja e neverisë po shtrihet gjithandej – gërdi, gërdi në çdo hapësirë publike. Dhe nëse kjo heshtje kolektive vazhdon, rrezikojmë të bëhemi bashkëpunëtorë në rrënimin e vetvetes.
Dritë në fund të tunelit: njerëzit e heshtur, por të vërtetë
Megjithatë, në këtë realitet të dhimbshëm, ende ekzistojnë disa njerëz të mirë – të heshtur, por të vërtetë. Ata nuk bëjnë zhurmë, nuk kërkojnë duartrokitje, por janë të vetmit që mbajnë shpresën gjallë. Sepse pa ta, kjo tokë nuk do të na mbante më.
Zërat që nuk vdesin
Sot, më shumë se kurrë, na kujtohen zërat e së shkuarës – ata që, me mendje të kthjellët dhe penë të mprehtë, guxuan të sfidojnë hipokrizinë dhe errësirën e kohës së tyre.
Gjergj Fishta, me ironinë e tij therëse, zhbllokonte vetëdijen kombëtare. Fan Noli, me thirrjen për drejtësi dhe dije, kërkonte shpirt për kombin në një kohë të verbër.
Ali Asllani, me atë hakerim të paharruar, tingëllon sot më aktual se kurrë:
“Ti rri e mendo: ky shekull me ç’do mbarojë?
Se djalli vetë s’e din kush kë po tallon,
Se s’dihet më kush urdhëron e kush shkon –
I dituri s’flet, i padituri jep ton!”
A nuk është kjo fotografia më e saktë e kohës sonë?
Heshtja nuk është më opsion
Nëse nuk reagojmë – me mendje të kthjellët, me fjalë të ndershme dhe me vepra të guximshme – atëherë heshtja jonë është bashkëfajësi. Nuk mund të presim që e vërteta të mbrohet vetë, ndërkohë që mashtrimi organizohet çdo ditë.
Meritokracia përballë zhurmës
Duhet të kërkojmë meritokraci, jo anonimë të zhurmshëm. Të duam vlerën reale, jo fasadën. Të shpërblejmë të merituarit, jo ata që dinë vetëm të krekosen. Dhe sidomos, të mos lejojmë që të rinjtë të infektohen nga pseudo-modelet, nga shembujt e shtrembër që servohen si sukses.
Një lutje për shpëtim dhe një thirrje për vetëdije
Zot, ndihmona nga shkatërrimtarët. Sepse po jetojmë në një kohë ku e keqja bërtet dhe e mira turpërohet, ku burrnia matet me pasqyrë, jo me veprim. Por le ta kujtojmë: kombi ynë ka zëra që nuk vdesin.
Dhe në emër të tyre, nuk guxojmë të heshtim më.
SAM24.info