Xhamia e Regensdorfit: Qendra ku bashkohen besimi, arsimi dhe dashuria për atdheun
Nga Dashnim HEBIBI
Më 13 shtator 2025, në ambientet e xhamisë së Regensdorfit në Cyrih, u mbajt një takim i veçantë mes prindërve dhe imam mr.hfz. Ferit Zeqirit, i cili njihet jo vetëm si teolog i përkushtuar, por edhe si bamirës, studiues dhe atdhetar i devotshëm. Ky aktivitet ishte një dëshmi e qartë se xhamia nuk është vetëm vend adhurimi, por edhe vatër edukimi, kulture dhe bashkimi kombëtar.
Në këtë takim, imami Zeqiri theksoi me forcë rëndësinë e edukimit të fëmijëve, duke u ndalur në rolin kyç që luan familja dhe shoqëria për formimin e brezave të rinj. Ai informoi prindërit mbi zhvillimin e mësimit të besimit, materialet mësimore dhe aktivitetet që organizohen rregullisht për nxënësit. Këshillat e tij u pritën me vëmendje dhe respekt, duke nxitur reflektim mbi përgjegjësinë e madhe që kanë prindërit në ruajtjen e vlerave morale e shpirtërore.
Një mesazh i veçantë i imam Zeqirit ishte apeli që fëmijët të ndjekin edhe Shkollën Plotësuese Shqipe, e cila funksionon në pika të ndryshme shkollore në Zvicër. Sipas tij, kjo është një nga rrugët më të sigurta për të ruajtur e kultivuar gjuhën amtare dhe trashëgiminë kombëtare tek brezat e rinj, duke u dhënë atyre rrënjë të forta në identitetin shqiptar.
Falënderimi i tij i përzemërt ndaj prindërve për pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin u shoqërua me një mesazh shprese dhe bashkimi: “Vetëm së bashku do të jemi më të fortë. Të ruajmë e të mbrojmë gjuhën dhe traditën tonë kombëtare.”
Ky takim e rikonfirmoi faktin se xhamia e Regensdorfit është një qendër me autoritet të madh, ku shqiptarët nga të gjitha trevat dhe të gjitha moshat ndihen të bashkuar jo vetëm nga feja, por edhe nga dashuria për gjuhën dhe atdheun. Në këtë hapësirë nuk rriten vetëm besimtarë të mirë, por edhe qytetarë të ndërgjegjshëm e atdhetarë të denjë.
Në fund, prindërit u shprehën mirënjohës për punën e palodhur të imam Zeqirit dhe për mundësitë që ofron xhamia për edukimin fetar e kombëtar të fëmijëve. Ky takim ishte një shembull i gjallë se si bashkëpunimi i ndërsjellë ndërmjet xhamisë, prindërve dhe komunitetit garanton një të ardhme më të ndritur për brezat që vijnë.