/ Intervistoi: Dashnim HEBIBI, Zürich /
Intervistë Ekskluzive me Bekim Zogajn – Shqiptari që po drejton arbitrimin e futbollit profesionist në Zvicër
„Si lojtar kam marrë shumë kartona të verdhë pasi nuk isha dakord me vendime te arbitrit, por kurrë nuk kam marrë karton të kuq. Megjithatë, nuk besoj se do të arrija në futbollin profesional si futbollist“, na tha ndët të tjera z.Zogaj.
Nga fushat e futbollit deri te zyrat e larta të Federatës Zvicerane – Një rrugëtim frymëzues
Një emër që nuk ka nevojë për shumë prezantim – Bekim Zogaj, shqiptari nga Kosova që ka bërë histori në fushën e arbitrimit, ka marrë një nga postet më të rëndësishme në futbollin zviceran. Nga data 1 shtator 2025, ai do të nisë zyrtarisht detyrën si Menaxher i Arbitrave në Futbollin Profesional pranë Federatës së Futbollit të Zvicrës.

Kjo arritje nuk është vetëm një sukses personal për Zogajn, por një moment krenarie për mbarë komunitetin shqiptar në Zvicër dhe më gjerë. Me një karrierë që përfshin mbi 2400 ndeshje të referuara, përfshirë Kampionatin Evropian 2024 në Gjermani, Bekimi është simbol i përkushtimit, profesionalizmit dhe karakterit të fortë.
Në këtë intervistë ekskluzive për SAM24.info, ai ndan me ne momente nga rrugëtimi i tij, kujtimet e veçanta, sfidat, sukseset dhe mesazhet që ka për të rinjtë shqiptarë kudo që ndodhen.

Z. Zogaj, urime për këtë emërim historik. Si ndiheni në këtë moment të veçantë të jetës suaj profesionale?
Fillimisht më lejoni t`ju falënderoj edhe juve dhe t`ju uroj punë të mbarë. Përshëndetje edhe për të gjithë lexuesit kudo që gjenden ata. Është një nder dhe privilegj i madh për mua të mbaj këtë pozitë me përgjegjësi të madhe në fushën e referimit. Jam jashtëzakonisht mirënjohës Federatës së Futbollit të Zvicrës për besimin që më ka dhënë.
Si e kujtoni fillimin e karrierës si arbitër? Si lindi ideja për t’u bërë gjyqtar futbolli dhe jo futbollist?
Ideja ka lindur nga fakti që si futbollist nuk e pranoja padrejtësinë. Si lojtar kam marrë shumë kartona të verdhë pasi nuk isha dakord me vendime te arbitrit, por kurrë nuk kam marrë karton të kuq. Megjithatë, nuk besoj se do të arrija në futbollin profesional si futbollist.
Nëse do të luanit futboll, në cilën pozitë në fushë do ta shihnit veten?
Kam luajtur si pasues i mirë, kryesisht në mesfushë.

Ju kujtohet dita e parë që keni referuar një ndeshje? Çfarë ndjesie ju ka lënë?
Ka qenë një ndeshje në Winterthur me emocione të mira dhe pozitive, edhe pse me shumë presion. Megjithatë, mora kritika shumë pozitive nga trajnerët, lojtarët dhe kontrollori, gjë që më motivoi shumë.
Përvoja dhe kujtimet
Mbi 2400 ndeshje të referuara – një shifër mbresëlënëse. Cila është ajo ndeshje që nuk do ta harroni kurrë?
Ka pasur shumë ndeshje të rëndësishme, por ajo e para në Champions League, në Barcelonë, ka qenë vërtet e veçantë – një përjetim që nuk harrohet lehtë.
Si e përjetuat pjesëmarrjen në EURO 2024? Si ishte të jesh pjesë e një evenimenti kaq të madh?
Ishte një ëndërr e realizuar, një privilegj dhe përgjegjësi e madhe. Dhe natyrisht, kishte edhe pak presion, sepse ne përfaqësonim ‚Kombëtaren e referimit‘ të Zvicrës.
Ka pasur ndonjë moment të vështirë në karrierën tuaj që ju ka sfiduar, por që ju ka forcuar edhe më shumë?
Ka pasur natyrisht edhe momente të vështira, si në sezonin 2004/05, kur u sulmova nga një lojtar. Por nuk u dorëzova dhe vazhdova rrugëtimin tim si arbitër, sepse pasioni im për këtë profesion është më i fortë se çdo pengesë. Askush nuk mund ta ndalë atë që vjen nga zemra.

Mesazh për të rinjtë dhe komunitetin
Çfarë do t’u thoni të rinjve shqiptarë që duan të ndjekin rrugën e sportit, por ngurrojnë për shkak të pasigurive?
Të kenë guximin të ndjekin ëndrrat e tyre, të punojnë me përkushtim dhe të mos dorëzohen, sepse gjatë rrugëtimit do të ketë vështirësi, por me vetëbesim dhe këmbëngulje, gjithçka është e mundur.
Zvicra ju ka dhënë shumë si profesionist. Si e përjetoni këtë mbështetje që ju ka ofruar ky shtet?
Unë, si Bekim, do të jem gjithmonë mirënjohës Federatës së Futbollit të Zvicrës për mundësitë që më ka ofruar.
Kujt ia dedikoni këtë sukses të madh?
Ja dedikojë bashkëshortes dhe familjes time.

Familja dhe lidhja me Kosovën
Dihet që keni mbështetje të fortë nga familja. Me çfarë fjalësh do të falënderonit bashkëshorten dhe fëmijët për gjithë përkrahjen?
Jam thellësisht mirënjohës për mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj në periudhat më sfiduese, sidomos kur për 60–80 ditë në vit më është dashur të jem larg Zvicrës.
Ju vizitoni shpesh Kosovën. A shihni përparim në zhvillimin e futbollit atje?
Ka padyshim përparim, megjithatë nevojitet ende shumë punë dhe ndërtimi i strukturave më profesionale.
A do të dëshironit që një ditë të kontribuoni drejtpërdrejt në zhvillimin e arbitrimit edhe në Kosovë?
Kam kontribuar me përkushtim dhe mbetem gjithmonë i gatshëm të jap më shumë për kolegët e mi, sepse ata e meritojnë respektin dhe mbështetjen time.

Cila është fjala apo mesazhi që përmbledh më së miri gjithë këtë rrugëtim tuajin deri te ky sukses?
Në çdo rrugë drejt një qëllimi, qoftë personal, profesional apo krijues, do të ketë pengesa, vështirësi dhe momente kur gjithçka duket e pamundur. Këmbëngulja dhe mosdorëzimi dhe vetëbesimi me kanë ndihmu shumë.
Dhe për fund – çfarë i thoni vetes sot, pas gjithë këtij rrugëtimi të gjatë, të ndershëm dhe të suksesshëm?

Ky është një sukses që nuk matet vetëm me arritje, por me mënyrën si arrita deri këtu. Dhe për këtë, jam krenarë. ( Foto nga FB i Bekim Zogaj)
SAM24.info