Shqipëria do të mbajë më 16 shtator Konferencën e gjashtë Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian. Në atë datë do të hapen edhe katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim. Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali e vlerësoi këtë konferencë si një tjetër moment të rëndësishëm në kalendarin e rrugëtimit të Shqipërisë drejt Evropës.
Një tjetër moment i rëndësishëm në kalendarin e rrugëtimit të Shqipërisë drejt Europës! Presidenca Daneze e BE-se ka përcjellë ftesën për hapjen e 4 kapitujve të tjerë të negociatave për anëtarësim, të martën e 16 shtatorit, me fokus Agjendën e Gjelbër dhe Ndërlidhjen e Qendrueshme. Kjo tryezë, që pason hapjen e 24 kapitujve të mëparshëm nga Shqipëria rikonfirmon ritmin e paprecedentë me të cilin vendi është investuar në procesin e negociatave. Shqipëria 2030 nuk është thjesht një objektiv ambicioz, por plani real e konkret i një skuadre që kërkon të ulet me dinjitet në zemër të Europës”,-shkruan ministrja Spiropali.
Konferenca e gjashtë Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian do të shërbejë për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi Grupin 4 ‘Agjenda e gjelbër dhe lidhshmëria e qëndrueshme’, duke përfshirë Kapitullin 14 (politika e transportit), 15 (energjia), 21 (rrjetet trans-evropiane) dhe 27 (mjedisi dhe ndryshimet klimatike), transmeton kjonë.