Përgaditi: Dashnim HEBIBI
Takim i rëndësishëm në Cyrih: Vizita e z. Visar Robelli në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih
Zürich, 08 korrik 2025 – Emri i Visar Robellit është tashmë i njohur jo vetëm në Zvicër, por gjithandej ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët. Jo vetëm si kryetar i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore, por edhe si afarist, dhe mbi të gjitha si një bamirës i përkushtuar. Robelli njihet për qasjen e tij modeste – vepron shumë dhe flet pak. I përkushtuar ndaj familjes, i sjellshëm në shoqëri, me fjalë të matur, por që rezonojnë fort, ai gjithmonë zgjedh të japë më shumë sesa të kërkojë vëmendje.
Kemi pasur rastin ta takojmë në shumë aktivitete të zhvilluara në mbarë diasporën shqiptare, por kësaj here ndalemi tek një takim i veçantë që z. Robelli ka zhvilluar në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih. Ai është pritur nga z. Vigan Berisha, shef i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në këtë qytet.
Në një atmosferë miqësore dhe bashkëpunuese, të dy diskutuan për tema me rëndësi për komunitetin shqiptar në Zvicër, me theks të veçantë në diasporën dhe fuqizimin e saj. Visar Robelli, i cili shpeshherë shfaqet nëpër ngjarje të rëndësishme anembanë Evropës dhe trojeve tona etnike, u vlerësua për kontributin e tij të vazhdueshëm në ndërlidhjen e bizneseve shqiptare dhe në forcimin e rrjetit tonë ekonomik jashtë vendit.
Ja si e përshkroi këtë takim z. Vigan Berisha, Shef i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih:
“Kemi mirëpritur në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Visar Robelli, Kryetar i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore. Takimi u zhvillua në frymën e bashkëpunimit me përfaqësues të komunitetit dhe të biznesit shqiptar në Zvicër, me qëllim forcimin e lidhjeve dhe mbështetjen e iniciativave që kontribuojnë në fuqizimin ekonomik dhe shoqëror të mërgatës sonë.”
Ky takim është një tjetër dëshmi e lidhjes së ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe personaliteteve të shquara të diasporës, që me punën, përkushtimin dhe vlerat që përfaqësojnë, mbeten shembull për komunitetin mbarëshqiptar.
SAM24.info