Përgaditi: Dashnim HEBIBI
Veprimtari i njohur i mërgatës shqiptare dhe drejtuesi i SHKA “Dardania” në Winterthur, z. Shefqet Cakolli, i njohur si një nga flamurtarët e kulturës shqiptare në Zvicër, ka përcjellë një urim të veçantë për nipin e tij Mael, me rastin e ditëlindjes dhe fillimit të klasës së parë.
Në urimin e tij, Cakolli ndau emocione të fuqishme personale dhe kujtime nga fëmijëria, duke theksuar rëndësinë e shkollimit, gjuhës amtare dhe ruajtjes së traditave shqiptare.

Ai shkruan:
“MAEL I GJYSHIT!
Urime së pari ditëlindja jote, që e festuam bashkë te kopshti!
Urime sot dita e parë e shkollës në klasën e parë!
Ti tani po hyn në një jetë pak më ndryshe, sepse shkolla të obligon me mësime, mësuesja me detyra, nëna me veshmbathje, babai me fletore e libra, tezja me lodra e dhurata, daja me futboll, gjyshja me pite e ushqime tradicionale, kurse gjyshi me abetaren e gjuhës shqipe!
Gjyshi ta ka dhënë edhe një obligim të vogël, që ta ruash e kultivosh vallen si mami e babi!
Kur sot ti nise shkollën, gjyshit iu kujtua dita e parë e shkollës që mua nuk më lejuan ta vijoj, më thoshin se isha i vogël. E ç’faj pata unë që më kishin shkruar me vonesë te ofiqari! Unë u shkoja pas moshatarëve me të cilët lozja dhe ruaja bagëtinë. Tash, pas kaq vitesh, Maeli po fillon klasën e parë i buzëqeshur, i lumtur dhe me shokët e shoqet e veta!
Sa do të doja sot të të kisha për dore për të përcjellë në shkollë, por këtë të drejtë ia fala mamit tënd, ashtu siç gjyshja e përcolli për herë të parë mamanë tënde në klasën e parë. Ato emocione mund t’i përshkruajnë vetëm ato!
Uroj që të jesh një nxënës shembullor dhe të premtoj se sa herë të mundem, do të vijojmë bashkë dorë për dore deri te shkolla jote!
Me shumë dashuri të do gjyshi, duke të uruar për shumë mote, me më të mirat për ty!”

Ky urim për nipin e tij është një mesazh i fuqishëm jo vetëm për familjen, por për të gjithë mërgatën shqiptare: që brezat e rinj të rriten me dashuri për shkollën, gjuhën amtare, traditat shqiptare dhe njëkohësisht me respekt e mirënjohje për Zvicrën, vendin që u ka dhënë mundësi gjeneratave të tëra shqiptarësh.
SAM24.info