/ Intervistoi: Dashnim Hebibi, Zürich/
Rubrikë ekskluzive – “9 Minuta me Dashnimin”- Së shpejti edhe në Podcast
Ashtu siç ju kishim premtuar, ditë më parë morëm një super lajm – tashmë kemi edhe një doktor shkencash Juridike në Zvicër. Këtë herë, rrëfimin e tij e sjell nga Zvicra një ndër shqiptarët më të ri tarsimuar në mërgatë – doktorin e shkencave juridike, Fatlum Ademin.
Me të marrë këtë lajm, menjëherë kontaktuam babain e Fatlumit për të mësuar më shumë dhe për të realizuar një intervistë. Fatlumi, ndonëse shumë i zënë me punë, gjeti kohë për ne dhe për lexuesit tanë, ndoshta edhe si motivim për ndonjë të ri që po rritet në Zvicër.
Biseda ishte shumë e sinqertë – ashtu siç është edhe vetë Fatlumi: djalë i qetë dhe tip studiuesi. Nuk e harron prejardhjen, por shpreh mirënjohje dhe respekt për shtetin ku jeton dhe që e do si atdhe.
Rinia shqiptare larg vendit të të parëve vazhdon të na bëjë krenarë me arritjet e saj në fusha të ndryshme, duke dëshmuar se suksesi nuk njeh kufij. Një tjetër emër i shquar që i shtohet listës së të rinjve të suksesshëm është PhD. Fatlum Ademi, i cili ka përfunduar me sukses studimet e doktoratës në drejtësi pranë Universitetit të Cyrihut në Zvicër.

Fatlum Ademi, me prejardhje nga Bujanoci, Lugina e Preshevës, vjen nga një familje e njohur intelektualësh. Gjyshi i tij ka qenë një ndër gjyqtarët e parë në Luginën e Preshevës, ndërsa prindërit e tij, të cilët prej vitesh jetojnë në Zvicër, kanë investuar në edukimin e fëmijëve të tyre. Lajmin për këtë arritje e konfirmoi babai i tij, z. Levent Ademi, i cili aktualisht ndodhet në Bujanoc. Në një bisedë me të, ai shprehu emocionet dhe krenarinë për birin e tij, duke falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë rrugëtim akademik.
Ky sukses nuk është vetëm një arritje personale, por edhe një dëshmi e përparimit të brezave të rinj shqiptarë në mërgim. Rinia jonë po korr suksese në akademi, shkencë, biznes, art dhe sport, duke dëshmuar se shqiptarët jo vetëm që integrohen, por edhe shkëlqejnë në vendet ku jetojnë. Edukimi dhe përkushtimi po bëhen themeli i fuqizimit të komunitetit tonë në mërgim.
Suksesi i Dr. Fatlum Ademit është një mesazh frymëzues për të gjithë të rinjtë shqiptarë: me punë, përkushtim dhe vullnet të fortë, çdo ëndërr mund të bëhet realitet.
Urime PhD. Fatlum Ademit dhe të gjithë të rinjve shqiptarë që me arritjet e tyre po e bëjnë kombin tonë më të njohur dhe më të respektuar në arenën ndërkombëtare. Suksese të mëtejshme! Ja se si e filluam këtë intervistë ku Fatlumi e fliste shumë bukur edhe gjuhën shqipe. Për më shumë, po ju lë që ta lexoni.
Të falënderoj për kohën i nderuar dhe na lejo që fillimisht të të urojmë për suksesin e arritur.
Shumë faleminderit dhe jam i nderuar që po bashkëbisedoj me ju, duke e ditur edhe përvojën tuaj si dhe për sam24.info, këtë medium shumë të mirë.
Keni lindur në Zvicër? Apo keni emigruar në moshë të vogël?
Jam i lindur në Gjilan dhe kemi emigruar në moshën njëvjeçare.
A vizitoni shpesh Luginën e Preshevës? Si e përjetoni kthimin atje?
Po, shpesh, sepse edhe prindërit i kam atje në Bujanocin e bukur. Kështu që e vizitoj shpesh, për ndonjë vikend të shkurtër ose edhe për një kohë më të gjatë, dhe e kombinoj me shëtitje në Kosovë/Shqipëri. Kur të shkoj në Luginë të Preshevës, ndiej një kombinim të nostalgjisë dhe traditës që më japin njerëzit, arkitektura, ushqimi – në përgjithësi, atmosfera më pëlqen, dhe ndjehem mirë, sidomos sepse edhe të afërmit e familjes i kam atje.
Si e shihni rininë shqiptare që po rritet në mërgatë – çfarë sfidash dhe potenciali kanë ata?
Të rinjtë shqiptarë në diasporë lëvizin në një fushë emocionuese, por edhe sfiduese mes dy kulturave. Nga njëra anë rriten me vlerat dhe traditat e familjeve të tyre të origjinës, dhe nga ana tjetër formësohen nga shoqëria e vendit ku jetojnë. Kjo gjurmë e dyfishtë mund të çojë në konflikte identiteti, veçanërisht gjatë adoleshencës.
Një sfidë tjetër është balancimi mes pritshmërive tradicionale nga prindërit dhe normave më liberale të shoqërisë ku ata rriten. Ka edhe pengesa si diskriminimi apo disavantazhet në sistemin arsimor. Humbja e gjuhës shqipe është gjithashtu një çështje që në afat të gjatë mund të çojë në tjetërsim nga rrënjët.
Por unë shoh potencial të madh: ata janë shpesh shumëgjuhësh, kulturalisht fleksibël dhe shumë të angazhuar. Shumë prej tyre janë krenarë për origjinën e tyre dhe ndërtojnë ura mes kulturave. Ata kombinojnë më të mirat e të dy botëve dhe, me mbështetjen e duhur, mund të bëhen zë i fortë brenda komunitetit shqiptar dhe në shoqërinë e gjerë.
Cili ka qenë raporti juaj me profesorët gjatë studimeve universitare e të doktoratës? Si ju kanë pritur?
Profesori im u soll në mënyrë shumë profesionale dhe mirëkuptuese, por kishte edhe pritshmëri të larta nga unë. Puna e doktoratës është individuale, kështu që pjesën më të madhe të manuskriptit e kam shkruar i pavarur, ndërsa në fund mora komente dhe feedback. Kam studiuar në Universitetin e Zürich, dhe kam bërë qëndrime shkencore 2 deri në 4 muaj në Milano dhe në Washington, DC.
Cila ishte tema e doktoratës suaj dhe pse e zgjodhët atë fushë?
Tema: Masat mbështetëse për zgjerimin e energjive të rinovueshme – Një studim krahasues mbi përputhshmërinë e masave të zgjedhura të Aktit të Energjisë Zvicerane me ligjin e BE-së për ndihmën shtetërore dhe ligjin e subvencioneve të OBT-së.
E zgjodha sepse është një temë aktuale, sidomos në marrëdhëniet mes Zvicrës dhe BE-së.
Ku punoni aktualisht dhe në çfarë projektesh jeni i përfshirë?
Aktualisht punoj si jurist dhe asistent shkencor në Europa Institut në Zürich. Puna është e larmishme dhe përfshin projekte të ndryshme, konferenca jashtë vendit, bashkëpunim me Kantonin e Cyrihut, vizita në institucionet e BE-së, si dhe aktivitete në Evropën Lindore.
A keni qenë pjesë e shkollës plotësuese shqipe – LAPSH në Zvicër?
Vetëm një vit, në klasën e parë.
Njihni ndonjë shqiptar tjetër në doktoratë në të njëjtin universitet?
Aktualisht, jo.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit diçka në Kosovë – çfarë do të përmirësonit?
Ruajtjen dhe konservimin e ambientit, mbështetjen ndaj varfërisë, luftën kundër korrupsionit dhe punësimin përmes meritës e jo përmes familjarizmit.
Ku duhet të investojnë Shqipëria dhe Kosova për mërgimtarët?
Do të forcoja marrëdhëniet mes vendit të origjinës dhe diasporës përmes programeve edukative, shkëmbimeve kulturore, thjeshtimit të proceseve burokratike dhe njohjes së kualifikimeve. Nevojiten rrjete më të forta ndërmjet institucioneve në Zvicër dhe Kosovë. Ka shumë njerëz që duan të kontribuojnë, por hasin pengesa ose ndihen të nënvlerësuar.
Çfarë mendoni për etikën profesionale dhe rolin e saj në ndërtimin e një shoqërie të drejtë?
Etika profesionale është baza e çdo veprimi të ndershëm. Ajo do të thotë integritet, drejtësi dhe marrje vendimesh me përgjegjësi.
Si mund të forcojmë urat e bashkëpunimit mes diasporës dhe institucioneve në vendlindje?
Përmes platformave për shkëmbim idesh, mentorim, investime dhe projekte konkrete. Po ashtu, është e rëndësishme që vendlindja të jetë e hapur ndaj ideve të reja dhe kritikave konstruktive.
Çfarë roli kanë vlerat si solidariteti, vëllazëria dhe besa në jetën tuaj?
Solidariteti është mbështetje e ndërsjellë, vëllazëria është barazi e respekt, ndërsa besa është besimi te vetja, te të tjerët dhe te qëllimet e përbashkëta.
Cila është këshilla juaj për të rinjtë shqiptarë që synojnë rrugën akademike jashtë vendit?
Të jenë të guximshëm, të përgatiten mirë, të jenë të hapur ndaj përvojave të reja dhe të jenë krenarë për origjinën. Identiteti është forcë, jo pengesë.
Në një fjali – si e përkufizoni suksesin?
Suksesi është zhvillimi personal i vazhdueshëm, tejkalimi i sfidave dhe ndikimi pozitiv te të tjerët, pa humbur vlerat.
Ju faleminderit edhe një herë dhe shpresojmë të kemi një intervistë më të zgjeruar në programin tonë të ri Podcast.
Me shumë kënaqësi. Urime edhe juve për këtë qendër mediale dhe ju uroj shumë suksese!
www. SAM24.info