Nga Dashnim Hebibi, Hagë
14 shtator 2025 – Sot, në Hagë të Holandës, u zhvillua një nga protestat më të mëdha në mbështetje të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me procesin gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara. Sipas raportimeve të ekspertëve të komunikimit masiv dhe dëshmive të pjesëmarrësve, në këtë tubim paqësor morën pjesë mbi 10 mijë mbështetës, të ardhur nga e gjithë bota dhe nga të gjitha trevat shqiptare.
Në mesin e protestuesve ishte edhe veprimtari i njohur nga Medvegja, Fadil Selmani, i cili prej vitesh jeton dhe vepron në Zvicër. Selmani, i cili njihet për angazhimin e tij jo vetëm në mesin e komunitetit shqiptar por edhe në qarqe të gjera shoqërore, ishte i shoqëruar nga nipi i tij, Shkëmbi Iseini – djali i dëshmorit Dr. Shpen Iseini nga Gostivari. Po ashtu, pranë tyre ishte edhe veprimtari Rizah Kurti nga Medvegja, me vendbanim në Holandë, si dhe Avni Bytyçi nga Drenica, i cili jeton në Gjenevë të Zvicrës.
Atmosfera në Hagë ishte e jashtëzakonshme. Qyteti, sidomos hapësira përreth Gjykatës, u mbush me flamuj kuqezi, me këngë patriotike dhe me zëra që kërkonin drejtësi dhe liri për çlirimtarët. Fadil Selmani nuk i fshehu emocionet e tij: sa herë përmendej emri i UÇK-së, lotët i rridhnin nga sytë. “Asnjëherë më parë nuk kam parë një Hagë të mbuluar kaq shumë me kuq e zi. Këtu ndihesh sikur je në zemër të Kosovës,” u shpreh ai për sam24.info.
Selmani tregoi se kishte ardhur në Hagë që një ditë më herët, për të qenë i përgatitur dhe për të marrë pjesë në protestë me qetësi. Ai shtoi se nga mëngjesi e deri në orët e pasdites gjithçka kishte shkuar mirë, pavarësisht ngarkesës në komunikacion dhe rrugëve të mbushura me bashkatdhetarë. Rreth Gjykatës kishte prezencë të shtuar të policisë, e cila kujdesej për mbarëvajtjen e protestës, por sipas tij, protestuesit treguan qytetari dhe kulturë të lartë demokratike.
“Jam këtu me shpirt, për të përcjellë zërin e shumë medvegjasve, por edhe të bashkëkombasve tanë nga Presheva e Bujanoci,” tha Selmani. Ai nënvizoi se gjatë protestës kishte pasur mundësi të takonte shumë mërgimtarë, me të cilët diskutoi edhe për situatën aktuale në Luginën e Preshevës.
Ndërkohë, edhe veprimtari Rizah Kurti theksoi se shpresa e tij është që çlirimtarët të kthehen sa më shpejt në Kosovë, të liruar dhe të shpallur të pafajshëm. “Unë besoj fort se drejtësia do të mbizotërojë,” u shpreh Kurti.
Protesta, sipas organizatorëve dhe pjesëmarrësve, po zhvillohet sipas planit, në atmosferë të qetë dhe të organizuar. Zëri i diasporës shqiptare, i ardhur nga Zvicra, Gjermania, Austria, Franca, Italia, pastaj eehe nga trevat tjera si nga Lugina e Preshevës, Maqedonia e Veriut dhe nga shumë vende të tjera, u bashkua sot në një kërkesë të vetme: Liri për çlirimtarët!
Të bashkuar jemi më të fortë!