/ Intervistoi: PhD.Dashnim HEBIBI /
/ Intervistë ekskluzive me rastin e Festës së Krishtlindjes, me meshtarin, udhëheqësin për shumë vite të Misionit Katolik Shqiptar të Zvicrës Lindore, Don Marjan Marku /
Don Marjan Marku, i lindur në Fshatin Binçë, Komuna e Vitisë, është prifti i parë kanonik jozviceran, i zgjedhur në Kapitullin e Katedrales, Ipeshkviae St. Gallen-it, Zvicër dhe i pari klerik shqiptar në këtë pozitë. Prejardhja e tij nga një familje martire e kishës katolike dhe edukata e fortë familjare e çoi natyrshëm në shërbim të Hyjit dhe njerëzve.
Ipeshkvia e St. Gallen është një nga vetëm dy të tilla në botë, ku kanonikët janë këshilltarë që kanë edhe privilegjin për ta zgjedhur vet ipeshkvin, ngjashëm me zgjedhjen e papës nga kardinalët. Ruajtja e riteve dhe nomeve klerike është pjesë e identitetit të dioqezës së St. Gallen. Ipeshkvia ku ai është kanonik ndodhet në St. Gallen, në pjesën lindore të Zvicrës, rreth 90 km (56 milje) larg nga Cyrihu. Qyteza e ka marrë emrin nga misionari kelt Shën Gall, i cili në shekullin e shtatë ndërtoi këtu një azil lutjeje për eremitët, prej nga mori nisjen vendbanimi. Don Marjani ka kryer studimet teologjike në Sarajevë dhe më tej ka vazhduar me gradën shkencore të magjistraturës kushtuar Shën Niketës, Ipeshkvit të Remesianës, i njohur ndër shqiptarët si Shën Niketë Dardani (340-420). Remesiana e atëhershme sot quhet Bella Pallanka, rreth 40 kilometra larg prej Nishit në drejtim të Bullgarisë.
Është zgjedhur kanonik në vitin 2019. Kanonikët në Ipeshkvinë e St. Gallen kanë një privilegj të jashtëzakonshëm që krahas shërbesave të kryejnë edhe këshillimin dhe zgjedhjen e Ipeshkvit. Ipeshkvia e St. Gallen ka 142 famulli.
Z. Marku, kam nderin dhe kënaqësinë që po flasim në prag të festës së Krishtlindjes me ju. Ju kemi zgjedhur për shumë arsye, njëra ndër më të rëndësishmet se jeni shumë modest, atdhetar dhe fjalëpak e me vepra të mëdha.
Vetëm një po ia rikujtoj lexuesit tonë, është Don Marjan Marku që ka raporte të shëndosha vëllazërore me të gjithë shqiptarët nga çdo cep të Shqipërisë etnike, është ky personalitet që në ditën e pavarësisë së Kosovës kishte ftuar edhe Presidenten e Zvicrës për të kremtuar festën e madhe të kombit, së bashku me miqtë zviceranë. Urime festën, i nderuar! Pritshi edhe shumë festa të tjera!
Falemnderit shumë për urimin e Festës së Krishtlindjes, po ashtu të gjithë atyre që e festojnë Krishtlindjen, urime të përezemërta! Krishti, me ardhjen e tij në botën tonë njerëzore, ka sjellë paqën dhe dashurinë. Ai qoftë burim i paqes dhe dashurisë në zemrën e çdo shqiptari dhe çdo njeriu në mbarë botën.
Pas Pashkëve jemi në festën më të rëndësishme për te krishterët. Si ju ka gjetur dhe si e ka gjetur botën krishtere kjo Krishtlindje?
Një ndër dhuratat më të mëdha të lindjes së Jezu Krishtit është paqja dhe për atë arsyje në lindjen e Jezu Krishtit këndonte një ushtri e madhe qiellore engjëjsh: «Lavdi i qoftë Hyjit në lartësitë qiellore e paqe në tokë njerëzve që i ka për zemër» (Lk 2, 14). Mjerisht, në kohën e sotme kemi shumë pasiguri dhe urrejtje në botë. Po ashtu, në disa vende të botës ka luftë dhe pasiguri, siç janë: Ukraina, Lindja e Mesme, Siria…Dhashtë Zoti që në vitin e ardhshëm të mbretërojë paqja dhe dashuria në mes njerëzve dhe në mbarë botën. Kjo do të ishte porosia apo dhurata më e madhe e lindjes së Jezu Krishtit, pra e Krishtlindjes.
Na thoni drejt, nga kush prisni urimin e parë për këtë Krishtlindje?
Janë shumtë njerëz të cilët ma urojnë Festën e Krishtlindjes, që shpeshherë e kam të vështirë që t’u përgjigjem të gjithëve. Pra, ata janë vëllezërit e mi, anëtarët e familjes, besimtarët, shumë miq dhe dashamirës. Jam shumë i lumtur dhe i bekuar që marr aq shumë urime, pa dallim feje dhe gjuhe.
Keni raporte të mira edhe me bashkëkombës të besimeve të tjera, sidomos ata muslimanë. Në Zvicër, siç dihet, ka disa xhami dhe sipas burimeve tona raportet e juaja janë të shkëlqyera. Kjo është një pasuri e madhe e kombit tonë. Komenti juaj?
Ne, të gjithë, jemi shqiptarë. Jemi vëllezër dhe motra, kemi një gjuhë, kemi një kulturë, kemi një traditë, kemi një histori, e cila, shpeshherë, ka qenë edhe e hidhur dhe e përgjakur, por kemi qenë bashkë. Kur jemi bashkë, atëherë jemi mirë me Zotin dhe kur jemi mirë me Zotin, atëherë jemi mirë edhe më njëri-tjetrin, jemi më të fortë. Ne duhet të jemi përherë bashkë për të mirën e përbashkët, për të ardhmen tonë, për gjërat që na bashkojnë.
Ti kthehemi festës. Cili është programi juaj për Festën e Krishtlindjes?
Për Krishtlindje kremtojmë lindjen e Jezu Krishtit, e cila ka ndodhur diku para 2025 viteve. Për këtë festë kemi kremtime të posaçme, duke përkujtuar këtë ngjarje të madhe, duke përkujtuar ngjarjen e lindjes së Jezu Krishtit. Pra, lexohen tekste, të cilat e tregojnë dhe e përshkruajnë këtë ngjarje nga Shkrimi i Shenjtë dhe kështu e përkujtojmë lindjen e tij. Unë për këtë festë kam katër shërbime fetare, më datën 24 dhjetor në mbrëmje kam dy mesha dhe më datën 25 dhjetor po ashtu kam dy mesha.
Dita e Krishtlindjes kremtohet me shfaqjen e skenës së lindjes së Krishtit, pemën e Krishtlindjes, shkëmbimin e dhuratave dhe kartolinave, familjen e bashkuar dhe ardhjen e Shën Nikollës apo Plakut të Vitit të Ri në prag të Krishtlindjes apo mëngjesin e Krishtlindjes. Sigurisht se kremta dallon me atë të atdheut?
Unë kisha për ti ndarë këto dy festa, Festën e Krishtlindjes dhe festën e Shën Kollit dhe kisha për ti shpejguar njërën pas tjetrës. Pra, Krishtlindja është një festë ku ne përkujtojmë lindjen e Jezu Krishtit, të cilën e festojmë më 25 dhjetor, ndërsa vigjilien apo natën e kësaj feste e festojmë më 24 dhejtor. Kjo festë kremtohet sipas paraqitjes së saj në Shkrimin e Shenjtë: «Në atë vend gjendeshin disa barinj që kalonin natën nëpër ara, duke ruajtur tufën e tyre. Një engjëll i Zotit iu shfaq atyre dhe lavdia e Zotit i mbështolli me dritë. Ata u trembën shumë, por engjëlli u tha: «Mos kini frikë! Ja, po ju jap lajmin e mirë,një gëzim të madh për të gjithë popullin: sot, në qytetin e Davidit ka lindur për ju një shpëtimtar që është Krishti Zot» (Lk 2, 8-11). Pra, kjo festë tregon lindjen e Jezu Krishtit, ardhjen e një shpëtimtari për gjithë popullin. Dhe kjo është arsye e kësaj feste, arsyeja e bashkimit të familjeve, arsyeja e urimeve dhe shkrimit të kartolinave. Në përgjithësi kemi paraqitjen e Betlehemit dhe lindjen e Jezu Krishtit në një grazhd, sepse për ta nuk kishte vend në bujtinë. Në kisha, por edhe nëpër familje, ndreqet stalla apo shpella e Betlehemit dhe kështu bëhet paraqitja e kësaj ngjarjeje. Stalla apo shpella e Krishtlindjes paraqet lindjen e Jezu Krishtit dhe shërben si simbol vizual për thelbin e tregimit të Krishtlindjes.
Paraqitja e skenës së stallës apo shpellës ndihmon besimtarët për të kujtuar ngjarjen e lindjes së Krishtit dhe të kuptojmë mirë porosinë e Krishtlindjes. Pra, në këtë paraqitje gjenden: Maria, Jozefi, foshnja e Jezu Krishtit, barinjtë, tre mbretërit, disa kafshë, engjëjt dhe ylli i Betlehemit. Pra, ato janë figura të stileve të ndryshme të gdhendura në dru, nga metali, qelqi ose qeramika dhe paraqesin stallën apo shpellën e Betlehemit. Pra, kjo paraqitje ka filluar nga Shën Françesku i Asizit, i cili, i pari ka bërë një paraqitje të tillë në vitin 1223 në Greccio të Italisë. Kuptimi i kësaj paraqitjeje ishte për ta bërë lindjen e Jezusit më të kuptueshme për njerëzit.
Pema e Krishtlindjes është konsideruar si një kristianizim i traditës pagane dhe një ritual që shoqëron solsticin dimëror, që përfshin përdorimin e gjetheve të gjelbra dhe përshtatjen e pemës pagane?
Para se të bëhej simboli i Krishtlindjes, përdorimi i drunjve të gjelbër të përhershëm, siç është bredhi, ka qenë pjesë e rëndësishme për festat pagane. Këta drunj simbolizonin jetën, pjellshmërinë dhe ringjalljen gjatë dimrit të ftohtë. Në kultura të lashta, si ajo e romakëve, gjatë festës «Saturnalia» dhe e popujve gjermanë, gjatë festës «Yule», drunjtë e gjelbër përdoreshin për të zbukuruar shtëpitë dhe për të larguar shpirtrat e këqinj. Pema e Krishtlindjes, siç njihet sot, filloi të përdoret në shkeullin e 16-të në Gjermani. Besohet se Martin Luteri ishte një ndër të parët që vednosi qirinj mbi një pemë të gjelbër përtë simbolizuar yjet në qiellin e natës mbi Betlehemin. Familjetgjermane filluan të zbukuronin bredha të vegjël në shtëpitë e tyre me fruta, arra dhe qirinj.
Në shekullin e 19 të, pema e Krishtlindjes u bë popullore në Angli, falë Mbretëreshës Victoria dhe Princit Albert, i cili ishte me origjinë gjermane. Një ilustrim i familjes mbretërore rreth një peme të zbukuruar u publikua në një gazetë dhe kështu u bë një trend. Emigrantët gjermanë e sollën këtë traditë edhe në shtetet e bashkuara, ku ajo u përhap shumë shpejt.
Ja shpjegimi i pemës së Krishtlindjes:
- Pema e gjelbër simbolizon jetë të përhershme dhe shpresë në mes errësirës dhe dimrit të ftohët.
- Qirinjtë dhe dritat elektrike simbolizojnë Jezu Krishtin si «Dritën e Botës» që sjell shpresë dhe shpëtim për gjithë njerëzimin.
- Shumë njerëz vendosin një yll në majë të pemës, që përfaqëson yllin e Betlehemit që udhëhoqi tre mbretër drejt lindjes së Krishtit.
- Topat dhe zbukurimet përfaqësojnë frytet e jetës, bekimet dhe gëzimet që sjell Krishtlindja.
- Dhuratat nën pemë simbolizojnë dhuratën e madhe që Zoti i bëri njerëzimit në lindjen e Jezu Krishtit dhe aktin e dashurisë dhe bujarisë ndaj tjerëve.
Pema e Krishtlindjes është një simbol i festës së Krishtlindjesnë mbarë botën, si për ata që festojnë në mënyrë fetare, ashtuedhe për ata që e festojnë në mënyrë tradite apo kulture. Ajosjell ngrohtësi, bashkim familjar dhe gëzim dhe dashuri nëfamilje dhe në mes njerëzve.
Ne shqiptarët kemi edhe një traditë tjetër e kjo është buzmi, që është i ngjajshëm me pemën e Krishtlindjes. Buzmi është një trung ose një copë druri që mirret në mal dhe digjet në vatër natën e Krishtlindjes, në prag të lindjes së Krishtit. Fjala «buzëm» rrjedh nga fjala «buzë» ose mund të lidhet me «prag», duke simbolizuar fillimin e diçkaje të re ose pragun e një kohe të bekuar.
Si praktikohet ky zakon?
Një trung zgjidhet dhe pritet me kujdes në mal, duke pasur rëndësi që të jetë i fortë dhe i gjatë për të djegur gjatë gjithë natës.
Buzmi ka edhe ritualin e vet. Zoti i shtëpisë rri në shtëpi, ndërsa anëtarët tjerë shkojnë për ta marrë buzmin në oborr. Duke hyrë në shtëpi, Zoti i shtëpisë pyet, ‘me çka po vinë’? Ndërsa ata përgjigjen me fat, begati dhe me të gjitha të mirat. Pastaj buzmi futet në zjarr. Gjatë ndezjes së buzmit, shpesh thuhet një lutje apo bekim. Familjarët rrinë pranë zjarrit, ndërsa këndojnë këngë fetare, festive dhe ndajnë gëzimin e Krishtlindjes. Disa familje e ruajnë hirin për të siguruar fat dhe begati për vitin që vjen. Buzmi mbetet një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve, duke pasurur festimet e Krishtlindjes me kuptim dhe simbolikë të thellë.
Kush ishte Shën Kolli (apo shën Nikolla)?
Shën Kolli, i njohur gjithashtu si Shën Nikolla i Myrës, ishte një ipeshkv i shekullit të IV-të në Azinë e Vogël, i njohur për bëmirësi, drejtësi dhe mrekulli që bënte. Besohet se është lindur rreth vitit 270 pas Krishtit në qytetin Patara dhe ka vdekur më 6 dhjetor 343 në Myra (sot Demre në Turqi). Ka qenë ipeshkv në Myrë dhe njihet për përkushtimin e tij ndaj të varfërve dhe nevojtarëve. Ai u bë i famshëm për ndihmën e fshehtë që u jepte njerëzve në nevojë. Një nga historitë më të njohura thotë se ai i dhuroi fshehurazi tre thesare ari një familjeje të varfër për të shpëtuar tri vajzat e tyre nga skllavëria apo jeta e pamoralshme. Ai konsiderohet mbrojtësi i fëmijëve, detarëve, tregtarëve dhe udhëtarëve.
Shumë legjenda tregojnë për mrekulli që ai bëri për të shpëtuar njerëzit nga rreziqe të ndryshme. Dita e tij festohet në shumë vende të botës me 6 dhjetor dhe kjo festë shpesh përfshin dhurata për fëmijët. Në shumë shtete komuniste dhe shtete jo të krishtera, të cilët nuk kanë festuar shën Kollin dhe Krishtlindjen, shën Kolli është shndërruar në «Babagjysh apo Babadimër, apo në plakun e Vitit të Ri» duke u paraqitur në një formë të ngjashme si Shën Kolli dhe duke sjellë dhurata për fëmijët për Vitin e Ri.
Besimtarët katolikë festojnë vigjiljen e krishtlindjes gjatë mbrëmjes së datës 24 dhjetor, ku do të jeni në Zvicër apo Kosovë?
Unë për festën e Krishtlindjes, më 24 dhe 25 dhjetor do të jem në Zvicër dhe do të jem në shërbim të kësaj feste, por më 25 dhejtor pas shërbimeve fetare, do të vijnë tek unë të gjithë nipat dhe stërnipat e mi me familjarët e tyre dhe do të festojmë së bashku lindjen e Krishtit. Për mua, ky takim është shumë i rëndësishëm, sepse të bashkuar si familje kremtojmë festën e lindjes së Krishtit.
Cilët janë llojet e pemëve që përdoren, sa pemë shiten, cilat janë pemët më të larta, më të famshme në botë?
Për Krishtlindje, zakonisht përdoren «pemët halore» për shkak të formës së tyre të hijshme dhe gjelbërimit të përhershëm. Këto pemë janë tradicionale në shumë kultura dhe shpesh zbukurohen me drita, ornamente dhe yje në majë. Disa nga pemët më të përdorura janë:
- Bredhi (Abies) – Një zgjedhje e zakonshme për Krishtlindje për shkak të degëve të tij të dendura dhe aromës natyrale.
- Pisha (Pinus) – Ka hala më të gjata dhe një pamje më pak të dendur, por është shumë e qëndrueshme.
- Selvia (Cupressus) – Përdoret më rrallë, por është një opsion në disa zona.
- Bredhi Norvegjez (Picea abies) – Një pemë klasike evropiane për Krishtlindje.
- Bredhi Douglas (Pseudotsuga menziesii) – Një zgjedhje popullore në ShBA për shkak të aromës dhe pamjes së tij të bukur.
Përveç pemëve natyrale, shumë njerëz zgjedhin edhe pemë artificiale, të cilat janë të qëndrueshme dhe përdoren për vite me radhë. Zgjedhja e pemës varet nga preferencat personale, kultura dhe klima e zonës.
Përdorimi i pemës së Krishtlindjes me dritat elektrike ishte një ide e Edward Johnson në vitin 1882, që ishte asistent i Thomas Edison. E saktë?
Po, ky është një informacion i saktë dhe interesant! Edward H. Johnson, i cili ishte asistent dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Thomas Edison, është i njohur si njeriu që përdori për herë të parë dritat elektrike për të dekoruar një pemë për Krishtlindje. Në vitin 1882, Johnson zbukuroi një bredh për Krishtlindje në shtëpinë e tij në New York, duke përdorur drita elektrike me ngjyra. Ai përdori rreth 80 llamba të vogla elektrike, të kuqe, të bardha dhe blu, të cilat ishin të lidhura në një qark elektrik. Kjo ndodhi vetëm disa vite pasi Thomas Edison kishte shpikur llambën elektrike (1879), dhe Johnson dëshironte të promovonte përdorimin e energjisë elektrike.
Pse ishte kjo ide revolucionare?
Deri në atë kohë, njerëzit përdornin qirinj për të zbukuruar pemët e Krishtlindjes, gjë që shpesh ishte e rrezikhme dhe shkaktonte zjarre.
Sa i përket lartësisë, a është pema e Krishtlindjes më e lartë në botë ajo e Vatikanit, në sheshin e Shën Pjetrit, me një gjatësi prej 30 metra?
Pema e Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan ndryshon në lartësi çdo vit, varësisht nga kush dhurohet, diku prej 25 deri në 30 metra. Pataj, Rockefeller Center Christmas Tree – New York, SHBA, lartësia varion për çdo vit, por zakonisht midis 21-30 metra. Ky bredh gjigand norvegjez është simbol i festimeve në New York që nga viti 1933. Çdo vit zbukurohet me mijëra drita LED dhe një yll prej kristali Swarovski në majë. Pataj, Trafalgar Square Tree – Londër, Angli, lartësia është rreth 20- 25 metra. Bredhi dhurohet çdo vit nga Norvegjia në shenjë mirënjohjeje për ndihmën e Britanisë gjatë Luftës së dytë Botërore.
Është një traditë që nga viti 1947.
Pema më e lartë me rekorde historike ka qenë një bredh Douglas i zbukuruar në Seattle, ShBA, në vitin 1950, me një lartësi prej 67 metrash.
Cilat janë lutjet më të mira gjatë festës?
Lutjet më të mira për Krishtlindje janë: Lutja për paqe, sepse lindja e Krishtit na ka sjellë paqën, ai është burimi i paqes. Kush beson dhe jeton, sipas kësaj paqeje, ai është edhe bartës i kësaj paqeje. Pastaj lutja për dashuri, sepse Krishti ka ardhur për të sjellë dashurinë dhe kështu është është burim i dashurisë. Kush jeton sipas kësaj dashurie duhet të jetë po ashtu bartës i kësaj dashurie në botë. Pra lindja e Krishtit është një lidhje që lidh qiellin dhe tokën, që lidhë familjet, që lidhë nevojtarët, që sjell paqe dhe harmoni në mes njerëzve. Krishtlindja fillon tek ne, në jetën tonë, në atë masë që të lejojmë të lindë në jetën tonë, duke e realizuar vullnetin e Hyjit, dhe vullneti i Hyjit është dashuria, duke dashur njëri-tjetrin. Jezusi ka lindur para dy mijë vjetëve dhe nëse Ai nuk kishte për të lindur në jetën tonë, në ne, atëherë Krishtlindja kishte për të qenë e pakuptimtë.
Krishtlindja, “Kërshëndellat” apo shkurt “Kshnellat”?
Po e filloj me fjalën Kërshëndellë, e cila është shumë e vjetër dhe është e shkruar në librin e parë të gjuhës shqipe në veprën e Buzukut: «mbas Kreshendellsh». Sipas profesorëve: Çabeut, Mikloshiçit dhe Majerit fjalën Kërshëndellë e kanë shpjeguar nga latinishtja: «Christi Natalia», që do të thotë në gjuhën shqipe lindja e Krishtit. Ndërsa Atë Gjergj Fishta na e shpjegon këtë fjalë nga gjuha shqipe: Krisht këndellë, pra këndellja e Krishti, që do të thotë këndellje apo përtërije e çdo gjëje me ardhjen e Krishtit. Ndërsa fjala tjetër Krishtlindja, vet fjala e shpjegon domethënien e kësaj feste, lindjen e Krishtit. Si do të jetë Këshëndellë apo Krishtlindje, të dyjat janëshprehje shumë të mira dhe e kanë domethënien e njejë.
Çka nuk më pëlqen fare është kur përdoret fjala Krishtlindjet dhe festat e fundvitit. Krishtlindjet është gabim gjuhësor sepse është vetëm një lindje dhe jo shumë lindje, ndërsa festat e fundvitit është po ashtu termin i gabuar, sepse kemi vetëm festën e Krishtlindjes dhe festën e Vitit të Ri.
Mendoj se kjo shprehje është futur nga sistemi komunist dhe nga shtetet që nuk e njohin lindjen e Krishtit dhe duke u shprehur në këtë mënyrë kanë dashur ta mohojnë festën e Krishtlindjes.
Qirinjtë në dritare vendosen për të treguar faktin se të krishterët besojnë që Jezu Krishti është drita e fundit në botë?
Qirinjtë vendosen në dritare gjatë Krishtlindjes për të simbolizuar dritën e Krishtit që erdhi për të ndriçuar botën. Ata përfaqësojnë shpresën dhe ngrohtësinë gjatë periudhës së dimrit, dhe janë një shenjë e pritjes së Krishtit, duke krijuar një atmosferë mikpritëse dhe festive. Kjo traditë, gjithashtu, lidhet me mbrojtjen e shtëpisë dhe bekimin e familjes, duke sjellë paqe dhe harmoni në periudhën e Krishtlindjeve. Po ashtu, paraqet yllin e Betlehemit, i cili është një simbol i njohur në traditën e krishtere, i lidhur me historinë e lindjes së Jezu Krishtit. Sipas ungjillit të Mateut në Besëlidhjen e Re, ylli u shfaq në qiell për të udhëhequr dijetarët drejt vendit ku ndodhej foshnja Jezu në Betlehem. Ai është konsideruar një shenjë e mrekullueshme dhe hyjnore që përçonte lajmin e ardhjes së Mesisë.
Fjala “Nikolas” do të thotë i fuqishmi, i forti?
Fjala Nikolas ka origjinën nga greqishtja e lashtë dhe është një emër i përbërë nga dy pjesë: “Nike” (Νίκη), që do të thotë “fitore” ose “fitorja” dhe “Laos” (Λαός), që do të thotë “popull” ose “njerëz”. Kështu, emri Nikolas mund të përkthehet si “fitorja e popullit” ose “ai që sjell fitore për njerëzit”.
Ushqimet tradicionale të kësaj feste?
- Gjeli i Detit. Tradita e gjelit të detit ka filluar në Angli në shekullin e 16-të, dhe më vonë është përhapur në botë, sidomos në ShBA dhe Evropë.
Ai simbolizon një vakt të bollshëm dhe është ushqim që mund të ushqejë shumë njerëz, duke përshtatur frymën e bashkimit familjar.
- Proshuta e pjekur. Në Evropën Veriore, proshuta është përdorur si simbol i begatisë. Është e lehtë për t’u ruajtur gjatë dimrit dhe përgatitet për festa si Krishtlindja.
- Ëmbëlsira tradicionale. Në vendet ballkanike dhe lindore, ëmbëlsirat përgatiten për të festuar gëzimin dhe ngrohtësinë e festës.
- Peshku (si kaprolli). Në disa kultura katolike, sidomos në Itali, peshku përgatitet për “Natën e Shenjtë” si pjesë e festës së “Shtatë Peshqve”, një traditë e mbështetur në agjërimin para ditës së Krishtlindjeve.
- Zirja e grurit. Gruri simbolizon pjellorinë dhe pasurinë e ardhshme. Si një bimë që rritet nga një kokërr e thjeshtë, gruri pasqyron ringjalljen dhe fuqinë e jetës.
Si është bërë gështenja ikonë e Krishtlindjes?
Në shumë vende evropiane, gështenjat kanë qenë një ushqim bazë gjatë dimrit për shkak të bollëkut të tyre dhe qëndrueshmërisë. Pjekja e tyre ofronte një burim të shijshëm ngrohtësie në ditët e ftohta.
Në Evropën mesjetare, gështenjat ishin të lidhura me festat e Krishtlindjes, ku ushqimet tradicionale përdoreshin për të festuar dhe ndarë me të tjerët.
Pjekja e gështenjave në zjarr simbolizonte ngrohtësinë dhe bashkimin familjar, që janë vlera qendrore të Krishtlindjes. Si një ushqim i zakonshëm dhe natyral, gështenjat lidhen me përulësinë dhe thjeshtësinë, cilësi që rezonojnë me mesazhin e Krishtit.
Shkëmbimi i dhuratave është një nga aspektet më tërheqëse për Krishtlindje. Pse bëhet kjo?
Shkëmbimi i dhuratave për Krishtlindje ka një kuptim të thellë shpirtëror dhe simbolik. Tradita lidhet me lindjen e Krishtit, dhuratën më të madhe që Zoti i bëri njerëzimit, duke sjellë shpresë dhe shpëtim. Po ashtu, ajo frymëzohet nga ngjarja biblike kur tre dijetarët nga Lindja sollën dhurata të çmuara – ar, temjan dhe mirrë – për foshnjën Jezus si një shenjë nderimi dhe adhurimi. Në një kontekst më të gjerë, shkëmbimi i dhuratave simbolizon dashurinë, bujarinë dhe kujdesin për të dashurit tanë. Ai na kujton rëndësinë e dhënies pa kushte dhe të ndarjes së gëzimit me të tjerët. Në këtë periudhë të shenjtë të vitit, dhuratat shërbejnë si një mjet për të forcuar lidhjet familjare, miqësore dhe komunitare. Përtej aspektit material, dhuratat përfaqësojnë një akt të vogël mirënjohjeje, falenderimi dhe bekimi. Çdo dhuratë, pavarësisht nga vlera e saj, mbart një mesazh dashurie dhe kujdesi. Prandaj, ky zakon ka një dimension të dyfishtë: ai i gëzimit njerëzor dhe ai i thellësisë shpirtërore që na rikujton dashurinë e Zotit për botën.
25 dhjetori është data e përmendur në Bibël?
Historia e Krishtlindjes?
Pra, ne festojmë lindjen e Jezu Krishtit më datën 25 dhejtor dhe kjo festë festohet zyrtarisht që nga shekulli i IV, sepse deri në shekullin e IV, çdo formë e festave të krishtera ishte e ndaluar. Pra, me Ediktin e Milanos në vitin 313 pas Krishtit, nga Konstantini i Madh është dhënë liria fetare. Pra, deri në këtë kohë, në fillin e saj, Krishtlindja kishte më shumë fokus fetar, me liturgji dhe falenderime. Bibla nuk synon të jetë një libër historik në kuptimin modern të fjalës, që regjistron ngjarje me data precize ose me një kronologji të saktë. Ai është kryesisht një libër shpirtëror, që synon të transmetojë mesazhe dhe të vërteta të thella për marrëdhënien e Zotit me njerëzimin, kuptimin e jetës, shpëtimin dhe dashurinë hyjnore dhe për këtë arsyje 25 dhejtori nuk pëmendet në Bibël. Historia e lindjes së Jezusit, përshkruar në një kontekst historik me Cezar Augustin, Kuirinin dhe Herodin, ka për qëllim të tregojë se Zoti hyri në botën tonë në një kohë konkrete për të sjellë paqën dhe shpëtimin.
Çfarë është ylli i Betlehemit?
Ylli i Betlehemit është një shenjë Hyjnore që përmban një mesazh të thellë shpirtëror dhe simbolik në historinë e krishterimit. Ai shfaqet në tregimin e Lindjes së Jezu Krishtit në Ungjillin sipas Mateut: «Kur u lind Jezusi në Betlehem të Judesë, në kohën kur ishte mbret Herodi, disa dijetarë erdhën nga lindja në Jeruzalem dhe pyetën: «ku është mbreti i sapolindur i judenjve? Sepse pamë yllin e tij në lindje dhe erdhëm ta adhurojmë»… Dhe ja, ylli që kishin parë në lindje u printe derisa u ndal në vendin ku ishte fëmija. (Mateu 2, 1-12). Ylli i Betlehemit shihet si një akt ndërhyrjeje hyjnore nga Zoti, i cili krijon ose përdor një fenomen të veçantë qiellor për të drejtuar dijetarët drejt Jezusit. Kjo simbolizon planin hyjnor për shpëtimin e njerëzimit: Ylli shërben si një mjet për të treguar përmbushjen e profecive të Besëlidhjes së Vjetër mbi ardhjen e Mesisë. Ashtu si ylli udhëhoqi dijetarët, Zoti udhëheq shpirtërisht ata që kërkojnë të vërtetën dhe të shpëtimin. Ylli po ashtu simbolizon dritën e Krishtit, e cila ndriçon errësirën shpirtërore të botës. Në teologji, drita është shpesh simbol i shenjtërisë dhe pranisë së Zotit. Ylli i Betlehemit tregon Krishtin si “Dritën e Botës”: «Atëherë Jezusi foli përsëri me ta e u tha «Unë jam drita e botës. Kush vjen pas meje nuk do të ecë kurrë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës» (Gjoni 8, 12). Ylli i Betlehemit tregon shpëtimin jo vetëm për popullin e Izraelit, por edhe për të gjithë kombet, është një shpëtim univerzal, pasi dijetarët përfaqësojnë jo vetëm hebrejt por të gjithë popujt që e njohin dhe e adhurojnë Krishtin.
Astronomi i njohur gjerman Johannes Kepler (1571–1630) ishte një nga të parët që sugjeroi se ylli i Betlehemit mund të ketë qenë një konjuksion i planetëve në mes Jupiterit dhe Saturnit, që kanë shkaktuar një ndriçim të jashtzakonshëm në qiell.
Pse disa njerëz i festojnë Krishtlindjen më 7 janar?
Ortodoksët që festojnë Krishtlindjen më 7 janar ndjekin kalendarin Julian, i cili është rreth 13 ditë pas kalendarit Gregorian që përdoret gjerësisht në botën perëndimore. Kjo diferencë në data buron nga një mospërputhje mes këtyre dy kalendarëve dhe mënyrës se si ata llogarisin kohën. Kalendari Julian u krijua nga Jul Cezari në vitin 45 para Krishtit dhe ishte kalendari zyrtar i Perandorisë Romake.
Ky kalendar ka një gabim të vogël në llogaritjen e vitit diellor, duke shtuar rreth një ditë çdo 128 vjet. Kalendari Gregorian. Në vitin 1582, Papa Gregori XIII reformoi kalendarin Julian për të korrigjuar këtë gabim dhe për të rregulluar llogaritjen e festës së Pashkë. Ky kalendar u adoptua nga shumica e vendeve perëndimore, por jo nga shumë kisha ortodokse.
Çfarë gjuhe fliste Jezusi?
Jezusi ka folur gjuhën hebraishte, e cila ishte gjuha e shkrimeve të shenjta hebraike (Tora) dhe përdorej kryesisht në kontekste fetare, si në sinagoga ose gjatë leximit të shkrimeve, po ashtu ka folur edhe gjuhën arameishte e cila ishte gjuha më e përdorur nga populli hebraik në atë periudhë, sidomos për komunikimin e përditshëm.
Urimi juaj drejtuar shqiptarëve krishterë dhe të gjithë botës krishtere?
Në këtë periudhë të pasigurisë dhe sfidave të kohës, Krishtlindja na fton të rikthehemi te vlerat më të thjeshta dhe më të thella të jetës: dashuria, solidariteti dhe shpresa. Le të shfrytëzojmë këtë mundësi për të forcuar lidhjet mes nesh, për të ndihmuar ata që kanë nevojë dhe për të sjellë ngrohtësi në jetët e tjerëve. Në një botë që shpesh mund të duket e ndarë, Krishtlindja na kujton se duhet të jemi të lidhur me njëri-tjetrin dhe se vetëm së bashku mund të ndriçojmë dhe ta mundim errësirën dhe të keqen. Po e përfundoj me një tekst shumë të bukur për Krishtlindje, të cilin e ka shkruar Marisa Ros: „Nëse je ngopur duke shikuar fëmijën e bukur në grazhd, mos u largo akoma. Më parë shndërroi sytë e Tij në sytë tu, veshët e Tij në veshët tu, gojën e Tij në gojën tënde. Shndërro duart e Tija në duart tua, buzëqeshjen e Tij në buzëqeshjen tënde dhe përshëndetjen e Tij në përshëndetjen tënde. Atëherë në çdo njeri do ta njohësh vëllanë tënd dhe motrën tënde. Nëse i thanë lotët e tyre dhe i ndanë gëzimet e tyre, atëherë Biri i Hyjit me të vërtetë ka lindur dhe ti ke të drejtë të gëzohesh.“ (Marisa Roos)
Gëzuar Krishtlindjen! Le të jemi burim shprese, paqeje, dashurie dhe mirëkuptimi në çdo hap të jetës sonë!
Ëndrra e Hyjit
Hyji pa një ëndërr.
Ai ëndërroi botën dhe e krijoi.
Hyji krijoi qiellin dhe tokën, lulet dhe bimët, drunjtë dhe livadhet,
malet dhe kodrat, lumenjtë dhe detin, peshqit dhe zogjtë,
insektet dhe gjitha qeniet e gjalla.
Në ëndërr, Hyjit i mungonte edhe diçka tjetër.
Ai ëndërroi njeriun, cilin e krijoi sipas shëmbëllesës dhe përngjasimit të tij.
Ai e krijoi njeriun si mashkull dhe femër.
Por njeriu e errësoi përngjasimin të cilin Hyji e krijoi.
Ai u largua nga Hyji, por nuk u largua vetëm nga Hyji, por edhe nga vetvetja.
Dhe kështu u nda nga prejardhja e tij.
Ai nuk mund të jetonte më para Hyjit,
por u fshehte prej tij dhe kështu u shpërdredh në vetvete.
Ai i mbylli dyert e zemrës së tij dhe nuk lejoi që Hyjin të hynë në brendinë e tij.
Ai nuk e prishi miqësinë vetëm me Hyjin, por u kthye edhe kundër vetvetes,
kundër vëllezërve dhe motrave të tij.
Ai e humbi rrugën, u ngatërruar në imshtë të gënjeshtrave të veta.
Hyji ëndërroj një ëndërr të re.
Ai e ëndërroi njeriun ashtu siç e ka menduar.
Dhe kështu e realizoi ëndrrën e tij, duke filluar sërish prej fillimit.
Ai lejoi që biri i Tij i vetëm, të bëhet njeri.
„Hyjin kurrë askush nuk e pa:
Biri i vetëm – që është Hyj, një natyre me Atin, Ai bëri të njihet” (Gjn 1, 18),
ai duhej të mishërohej, që përsëri ta rikthente figurën e njeriut.
Ai duhet t‘i udhëheqte dhe t‘i mësonte njerëzit, si duhen të jenë,
nëse dëshirojnë të jetojnë në bashkësi me Hyjin.
Ai duhet t‘i përkujtojë në burimin Hyjnor, në esencën Hyjnore,
të cilën ende e bartin në vete,
por e cila përmes mëkateve të tyre është errësuar.
Në Krishtlindje, ne festojmë ëndrrën e Hyjit
e cila është bërë e dukshme në Jezu Krishtin.
Ne kremtojmë njeriun, qenien e tij të pastër, cili është ndriçuar në Jezu Krishtin.
helveticALforum