
Nga: Florim USEINI, Kërçovë
Sot, më shumë se kurrë, më rëndon në shpirt gjendja aktuale e politikës në vend. E sidomos në Kërçovën time, të plagosur.
Më mundon fakti që i vetëm nuk mund të ndryshoj asgjë.
Një pjesë nuk më kupton, pjesa tjetër druhet – janë në luhatje shpirtërore dhe nuk e dinë ku të rreshtohen. Disa të tjerë… thjesht nuk duan t’ia prishin vetes rehatinë. Jemi tepër të vetëdijshëm – të gjithë – se e vërteta nuk shpërndahet në rrjetet sociale, as në titujt mediatikë. Por çuditërisht shumë njerëz i marrin lajmet si busull, gojdhënat si fakte dhe opinionet si gur themeli. Pak kush ulet të analizojë thelbin. Askush nuk ndalet të mendojë pse rreshtohet pas dikujt – pa pyetur për të deri në 7 breza.
Habitem…
Pse logjikojmë kaq shkurt?
Pse marrim një vendim për inat të tjetrit?
Habitem kur akuzojn të kaluarën dhe na flasin me insistim për ndryshim me figurat e së kaluarës që s’e sollën?
Habitem kur akuzohet dikush që nuk ka aspak lidhje me atë përgjegjësi? Jam pa fjalë… Kur e përjetoj nga afër rastin e “tymit të zi” në Kërçovë – që s’është vetëm ndotje fizike, por edhe morale. Kur kishim në krye një të “tonin” që heshtte. Pastaj, kur doli nga funksioni, akuzoi. Kur mori përgjegjësinë, nuk foli për filtrat.
Në çfarë logjike ta vendos këtë?
Po, e dua ndryshimin. Por jo një rikthim pas në baltën e vjetër. Nuk dua pallavra – i njoh mirë tashmë. Nuk jam më as aktivist rruge – e kam kaluar edhe atë fazë. Nuk i ndjek më as lajmet – madje televizorin e kam hequr nga shtëpia. Por më dhemb… më dhemb shumë diaspora jonë! Më duket sikur është humbur në oborrin e vet. Nuk e din a me marrë një iniciativë apo me qajt hallin. A me mbështet një kauzë apo me përça më tej. Nuk di a po kontribon apo po e dëmton më shumë se kushdo tjetër. Kaluan disa gjenerata – ende nuk dimë çfarë është koordinimi.
Nuk e dinë as kë përfaqësojnë, as për çfarë përfaqësojnë. Të gjithë ankohen – por askush nuk afrohet për kontribut. Askush nuk do ta shohë vendin me sy, por asnjëri nuk e anulon pushimin. I thërret për aktivitete dhe organizime – të gjithë thonë: “Nuk merremi me politikë!” Në kafe dhe në Facebook janë duke u përplasur me llafe politike.
Thërret shoqatat – thonë: “Nuk kemi të drejtë të përfshihemi në politikë.”
Por çfarë janë atëherë shoqatat?
Për çfarë shërbejnë nëse nuk reagojnë kur cenohet kultura, gjuha, identiteti? Kur kultura sulmohet – shoqata kulturore hesht: “politikë është.” Kur gjuha preket – shkolla mbyll sytë: “politikë është.”
Po atëherë… kur do të luajnë rol këto shoqata?
Apo do të shfaqen vetëm kur gjithçka të jetë djegur e të jetë tepër vonë? Zemra më dhemb, por fjala më nuk më del. Populli im, vendasit e mi – nuk po i kuptoj më.
Për politikanët?
Ata që e quajnë veten të tillë dhe për të gjithë funksionarët që sillen si pronarë posteve…
Mund të them vetëm një gjë:
“O Zot, fali! Sepse nuk janë të vetëdijshëm për atë që po bëjnë.” Ndoshta edhe ata duan mirë, por thjesht… kaq dinë. Dhe unë… shpresoj nga thellësia e shpirtit tim, që ta kem gabim. Shpresoj që sytë e mi po shohin shtrembër. Sepse… nëse kam të drejtë unë, atëherë është shumë më keq seç duket. ( Foto ilustrim )
SAM24.info