Intervistë ekskluzive me Meti Krasniqi, kandidati për kryetar të Gjakovës: Po rikthehem nga Zvicra për Gjakovën, me zemër e përkushtim
“Nuk dua karriken në zyrë. Dua të jem në takime, në punë konkrete. Dua që kur të kthehem në shtëpi, të kaloj pak kohë me familjen dhe të më zë gjumi nga lodhja. Pas katër vitesh, kur të kem përmbushur premtimet, do t’i them Gjakovës: ja ku janë sukseset, tash po ju përgatis një tjetër kandidat që do të punojë për qytetin, njejt sikur unë dhe do ti qëndroj afër nga përvoja”, na tha z.Krasnqi.
Intervistoi Dashnim HEBIBI
Luzern, 27 gusht 2025 – Në prag të fillimit të fushatës zgjedhore lokale në Kosovë, diaspora shqiptare është duke e përcjellë nga afër si gjithnonë çdo zhvillim. Këtë herë sjellim një histori ndryshe: një djalë i ri, i rritur në Zvicër, i cili dëshiron t’i kthehet atdheut dhe t’i shërbejë qytetit të tij me një vizion të ri. Për dikend do të duket e pabesueshme, po i le të mirat, biznesin e tij, por i arsimuar dhe me shumë vizion e përkrahje të familjes por edhe të shumë miqve të tij e në mesin e tyre personalitete të dëshmuara e duke i thënë Meti, koha është për zërin e mërgatës si dikur i Gjergj Fishtës, Faik Konicës e Fan Nolit. Ai është Meti Krasniqi, nga Gjakova, që jeton dhe vepron në Luzern të Zvicrës.
I njohur në diasporë si veprimtar i palodhur, ish-kryetar i rrjetit të miqësisë shqiptare në Zvicër, shok i fjalës dhe besës, Meti ka mbajtur gjithmonë miqësi me diplomatë, shkencëtarë, afaristë, sportistë e studentë shqiptarë në Zvicër. Sot ai guxon të ndërmarrë një hap të madh: të rikthehet në vendlindje dhe të garojë për kryetar të Gjakovës, duke sjellë përvojën e tij zvicerane dhe shpirtin shqiptar.

Foto – Gjatë intervistës nga e majta Meti Krasniqi
Z. Krasniqi, çka ju shtyu të merrni guximin për t’u kthyer në Gjakovë dhe për të garuar për kryetar komune?
Ju falënderoj shumë për mundësinë dhe dua t’ ju njoftoj se ditën e filloj me sam24.info dhe e përfundoj, kur e di se keni një staf të mirë dhe jeni me qëllime të qarta për ti dhënë hapësirën e duhur mediale mërgimtarit edhe ate pa kushte. Kur kanë mbetur edhe pak ditë deri te fillimi i fushatës zgjedhore lokale në Kosovë, jam në pėrfundim e sipër të programit e të ideuar e ndihmuar nga profesionistë të fushave të ndryshme edhe ate para disa muajve dhe duke e parë me sytë e mi real e pa asnjë interes personal qytetin tim, mendova se është koha e duhur të kthehem e të kontribuoj aty ku nuk është mirë dhe aty ku është mirë ta forcoj dhe ta mbaj mirë.
Dua t’i jap frymë zvicerane qytetit tim, Gjakovës. Dua të jap shpirt Zvicre Gjakovës sime, sepse edhe Gjakova e meriton të jetë më mirë.

Është e pamundur të dëgjosh prej meje fjalë të këqija për dikë, por gjithmonë them se mund të bëhet më mirë. Ne mundemi të bëjmë më shumë – kjo është bindja ime.
Ju njihen për qetësinë, etikën dhe përkushtimin. Si ju përshkruajnë bashkëqytetarët tuaj?
Më njohin si të urtë dhe të fjalës. Nëse e përshkruaj karakterin tim, është shumë shkurt: besa-besë. Me karakter, me etikë, mirënjohës, punëtor i madh, bëmirës dhe kombëtar. Kudo që kam shkuar në Zvicër, jam treguar shok. Edhe kur flas, jam i qetë, nuk e ngriti zërin.
Kam rreth vetes disa miq të përgatitur, me zë të mirë nëpër Zvicër, në atdhe dhe gjithandej. Babai më përkrah fuqishëm dhe shpreson se do të arrij suksese.
Cilat janë prioritetet që synoni për Gjakovën?
Qëllimi im është të bashkëpunoj me të rinjtë, t’u ofroj programe konkrete dhe të kërkoj votën e tyre për të bërë së bashku më të mirën. Kam plane dhe projekte të qarta – jo vetëm fjalë.
Dua të sjell qetësi, durim, përkushtim, siguri dhe pastërti në komunë. Synoj të lidhi Gjakovën me qytete zvicerane, që të sjellim investime në vendin tonë.
Në programin tim janë:
– Siguri nëpër shkolla
– Barna falas për pensionistët
– Ambulanca modeste nëpër fshatra me nga një mjek gjatë natës
– Mbështetje për rininë përmes sportit, duke krijuar ura me sportistët në Zvicër
Gjithashtu, një projekt i madh është ndërtimi i një Shtëpie të Pleqve sipas standardit zviceran, falë mbështetjes së diasporës sonë në Zvicër, e cila ka shprehur gatishmëri të plotë për ta realizuar këtë projekt.
Si do ta përfshini diasporën në këtë rrugëtim?
Nuk premtoj atë që s’e bëj, por ju them: jepmani shansin, sepse jam formësuar në diasporë dhe që digjem për Kosovën. Nga Zvicra do të jetë një ekip i madh këshilltarësh që do të më udhëheqin gjatë këtyre zgjedhjeve në Kosovë. Ata do të qëndrojnë në Gjakovë, do të ndajnë bukën dhe mikpritjen gjakovare, dhe do të japin këshilla që të dalim mirë në fushatë.
Në vizionin tim, diaspora nuk është mysafir veror, por bashkëvendimmarrëse. Për këtë kam paraparë:
– Zyrë funksionale për Diasporën, aktive gjatë gjithë vitit
– Këshill të Diasporës, si urë direkte mes mërgatës dhe kryetarit
– Platformë digjitale për ide, përvojë dhe dije nga jashtë
– Takime dhe forume të rregullta në Gjakovë dhe jashtë saj
Çfarë mesazhi keni për qytetarët e Gjakovës në këto zgjedhje?
Të nderuar qytetarë të Komunës së Gjakovës, iniciativa “NDRYSHE – UDK” është zëri i qytetarëve të ndershëm, të angazhuar dhe të lodhur nga premtimet boshe të atyre që luftuan vetëm për pushtet.
Qëllimi ynë është i qartë:
– Përfaqësim real dhe i drejtë në vendimmarrje lokale
– Inicim dhe shtyrje përpara të projekteve të rëndësishme për qytetarin
– Vëmendje për rininë, fuqizim të bujqësisë, mbështetje për diasporën dhe përmirësim të infrastrukturës
Më 12 tetor kemi mundësinë të zgjedhim një drejtim të ri. Unë, Meti Krasniqi, kandidati i përbashkët i UDK dhe NDRYSHE, jam i përkushtuar të jem zëri i çdo qytetari dhe të udhëheq me transparencë, përgjegjësi dhe dashuri për Gjakovën.
Shëndeti nuk blihet – shëndeti garantohet! Synoj krijimin e një sistemi të sigurimit shëndetësor falas për të gjithë qytetarët, të frymëzuar nga modeli zviceran. Askush nuk do të mbetet pas për shkak të gjendjes ekonomike.
Përfundimisht, pse qytetarët duhet t’ju votojnë?
Gjakova ka vetëm një drejtim: përpara, me qytetarët. Jam bir i një mërgimtari, sigurisht se e njohin të gjithë për kontributin e tij humanitar e kombëtar, Deli Krasniqi dhe babai na mori me familje në Zvicër kur unë i kisha 12 vjet dhe jam formuar me edukatë zvicerane por me traditë, kulurë e zemër shqiptari. Jam gati të punoj me duar të pastra, me vizion të qartë dhe me ekipin tim të përkushtuar.

Bashkë për Gjakovën. Bashkë për qytetarin. Bashkë për ndryshim.
Për një sistem zviceran në Gjakovë
Meti thekson se nuk do të ketë vend për dallime partiake: “Nuk i largoj nga puna profesionistët pse nuk janë në partinë time. Nuk e shikoj orën e punës, por suksesin e analizoj çdo mbrëmje. Do të punoj me sistemin zviceran, prandaj edhe Zvicra ka arritur sukses.”
Ai premton rroga të dinjitetshme për policinë, mjekët, zjarrfikësit dhe profesionistët e tjerë. Kujdes i veçantë do të bëhet edhe për shkollat dhe sportin:
“Sportistët do t’i motivoj, do t’i sjell në Zvicër që talentet të ngrejnë zërin e sportit edhe më shumë. Dua që çdo profesionist i rinisë sonë të ketë hapësirë, mundësi dhe të ardhme.”
Një kryetar pranë qytetarëve
Meti Krasniqi nuk e sheh veten të mbyllur në zyrë:
“Nuk dua karriken në zyrë.
Dua të jem në takime, në punë konkrete. Dua që kur të kthehem në shtëpi, të kaloj pak kohë me familjen dhe të më zë gjumi nga lodhja. Pas katër vitesh, kur të kem përmbushur premtimet, do t’i them Gjakovës: ja ku janë sukseset, tash po ju përgatis një tjetër kandidat që do të punojë për qytetin, njejt sikur unë dhe do ti qëndroj afër nga përvoja. Një nga projektet madhore të Metit është punësimi i popullsisë duke sjellë investitorë nga Zvicra dhe nga diaspora shqiptare në botë.
“Do të ulem me çdo afarist në diasporë që të kontribuojë në Gjakovë. Do t’u japim lehtësira për investime, sepse vetëm kështu hapim vende pune.”
Ai nuk harron as bujqësinë, duke e konsideruar si shtyllë të zhvillimit ekonomik të Gjakovës:
“Gjakova ka pozitë shumë të mirë për bujqësi. Duhet të motivojmë bujqit tanë, t’i bëjmë të garojnë mes veti kush prodhon më shumë. Ky është zhvillim i vërtetë.”
Qëllimi i tij kryesor është bashkëpunimi me rininë. Ai kërkon që të ofrohen programe konkrete për të rinjtë, që të bëhen pjesë e shkollave profesionale, dhe ata që ndjekin shkolla teknike të paguhen gjatë praktikës. “Rinia duhet të ketë zanate dhe të ketë shpresë këtu.” – shtoi ai.
Në fund, Meti Krasniqi na tha:
“Puna, respekti, besimi, nderi, morali i pastër, bashkëpunimi, mirësjellja dhe falënderimi janë parimet mbi të cilat qëndroj. Nëse shkelet qoftë edhe njëri prej tyre, nuk ka seriozitet dhe dështimi është i pashmangshëm.

Diasporë e Gjakovës – pres votën tuaj, dhe për çdo votë do të jap llogari e përgjegjësi. Kam edhe një mesazh për të gjithë familjarët, miqtë dhe shokët, kudo që ndodhen – në diasporë apo në Kosovë: kam nevojë për ju që së bashku të bëjmë më të mirën për Gjakovën. Prandaj, çfarëdo forme të mirë që mendoni se mund të më ndihmoni, ju mirëpres me zemër.

Mos të thoni më pas:
‘Ta kisha ditur, do të kisha ndihmuar.’ Kam miq dhe familjarë që tashmë janë bashkuar me vizionin tim, dhe u jam falënderues me shpirt. Ejani, bashkohuni edhe ju, dhe të bëjmë diçka të mirë për Gjakovën!”
Ekskluzivisht për SAM24.info