Edhe një lajm që na bën të mburremi me rininë tonë, e cila po rriten larg vendit të të parëve. Nuk është më ajo kohë, si dikur, që të parët tanë punonin çdo punë të rënda për të mbajtur familjen.
Respekt për atë gjeneratë të artë, e cila ka punuar me shumë mund dhe në anën tjetër ka qenë ambasadore më e mirë e kombit, duke lënë imazh të mirë te vendi pritës. Familja Ademi njihet nga atdheu si familje atdhetare e bëmirëse.
Edhe në Zvicër, gjeneratat e para janë marrë me punë më të lehta, por ja që fëmijët e tyre e kanë zënë dijen në tempujt më të njohur në Evropë, në këtë rast në Zvicër. Familja Ademi nga Tërnoci i Komunës së Bujanocit ishte mbledhur për të përjetuar emocionet e djalit, nipit, kushëririt të tyre, për të pranuar diplomën e një magjistri të shkencave.
Ishin momente të papërshkrueshme, kuptohet, kur sheh në një Amfiteatër prestigjioz të një universiteti të njohur që për suksesin e tij të përmendet mbiemri Ademi dhe të marrë diplomën.
Donat Ademi solemnisht pranoi diplomën e magjistraturës në Amfiteatrinë e Universitetit të Freiburgut në Zvicër. Prindërit, Amiri dhe Ganimetja me emocione deklaruar se biri i tyre është krenaria e familjes.
“Kjo është dita e jonë, jeta jonë. E papërshkrueshme përmes fjalëve. Donati nuk do të ndalet me suksese, sepse dëshira e tij është të arrijë edhe tituj të tjerë shkencorë.”
Pra, data 30 nëntor do të jetë e paharruar. Atë ditë diplomuan 156 studentë e në mesin e tyre ishte Donati dhe pesë shqiptarë të tjerë të profesioneve të ndryshme. Urime, Donat e suksese të tjera!
Foto familjare të siguruara nga z.Rafet Ademi
helveticALforum.ch