Lozanë, 5 Shtator 2025 – Me rastin e ditës së shenjtërimit dhe përkujtimit të ndarjes nga jeta të Shën Nënë Terezës, përfaqësuesit diplomatikë shqiptarë në Zvicër zhvilluan një ceremoni nderimi pranë shtatores së saj në qytetin e Lozanës.
Në këtë aktivitet solemn morën pjesë Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Shkëlqesia e Tij z. Rexhep Demiri, Ambasadori i Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e Tij, z. Mentor Latifi, dhe Sekretari i Parë i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, z. Valon Gashi.
Përfaqësuesit diplomatikë vunë në dukje kontributin e jashtëzakonshëm të Shën Nënë Terezës si një figurë universale që me jetën dhe veprën e saj la një trashëgimi të pashlyeshme të humanizmit, solidaritetit dhe dashurisë për njeriun.
“Në cilësinë e Ambasadorit të Maqedonisë së Veriut, pata privilegjin të jem pjesë e këtij akti përkujtimor, duke afirmuar edhe njëherë vlerat që na bashkojnë si kombe dhe që mbeten udhërrëfyes për të ardhmen,” u shpreh ambasadori Rexhep Demiri për sam24.info.
Ky akt simbolik përforcon bashkëpunimin dhe harmoninë mes përfaqësive diplomatike shqiptare në Zvicër dhe përçon një mesazh të përbashkët vlerash të përjetshme që i përkasin mbarë njerëzimit. / D.H