Mundësinë për të shprehur vullnetin për përbërjen e Kuvendit dhe të qeverisë së ardhshme.
Në emisionin “Zëri i diasporës” në RTSH, anëtari i Komisionit Rregullator në KQZ, Muharrem Çaka, shpjegoi se ky proces ka qenë tepër sfidues nga ana politike dhe legjislative.
Komisioni ka miratuar të gjithë aktet që plotësojnë kuadrin ligjor për votën e diasporës dhe tashmë pritet që 245 mijë zgjedhës nga jashtë Shqipërisë të kenë të drejtën e votës më 11 maj.
“Vota e diasporës është shtruar përpara Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Komisionit Rregullator që në vitin 2020. Me ndryshimet e Kodit Zgjedhor në 2020 u përfshi për herë të parë koncepti i së drejtës së votimit nga jashtë. Pavarësisht se ishte e shprehur në Kod e drejta e votës së emigrantëve, ishte e pamundur të implementohej për shumë arsye në zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë të 25 prill 2021. Personalisht kam konstatuar se Kodi Zgjedhor kishte një vakuum ligjor për dy elemente: së pari koha e shkurtër nga momenti i konstituimit të Komisionit Rregullator deri në datën e zgjedhjeve, dhe së dyti, ku do e jepte peshën elektorale vota e emigrantëve. Me vendimin nr. 38 të Gjykatës Kushtetuese në dhjetor 2022 u konstatua cenueshmëria e së drejtës së votës për emigrantët dhe iu la detyrë Kuvendit të Republikës që brenda një viti të hartohej dhe mbushej boshllëku ligjor lidhur me implementimin dhe aktet e nevojshme. Në datën 26 korrik 2024, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi ndryshimet në Kodin Zgjedhor për sa i përket votës së emigrantëve,” tha z. Çaka.
Zyrtari që është i Partisë së Lirisë në Komision tregoi dy nga sfidat që kanë kërkuar më shumë energji dhe bashkëpunim mes aktorëve.
“Së pari, akti për hartimin e listave dhe të drejtën e regjistrimit të emigrantëve shqiptarë. Një debat ka qenë e drejta e regjistrimit me dokument shqiptar, i vlefshëm apo i pavlefshëm. Kërkesa e dy anëtarëve të Komisionit Rregullator ka qenë për t’u regjistruar në zgjedhje nga jashtë Republikës pa një dokument identifikimi domosdoshmërisht të vlefshëm. Më pas për të drejtën e votës, siç votojnë shtetasit shqiptarë nga brenda vendit, do të duhej një dokument i vlefshëm. Ky ka qenë një nga debatet kryesore, i cili me konstruktivitet u tejkalua. Së dyti ka qenë procedura e votimit nga jashtë: më saktë procedurat e votimit, administrimit, numërimit dhe vlerësimit të votave. Në parashikimet e Kodit Zgjedhor të 26 korrikut 2024 ishte përcaktuar se procedura e numërimit duhej të kryhej nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Personalisht mendoj që nuk kishte as mundësinë, as resurset. Për sa kohë në nenin 45 të Republikës së Shqipërisë parashikohet që vota është e lirë, e barabartë dhe e fshehtë, kjo duhet të materializohet edhe në aktet e Kodit Zgjedhor, edhe në aktet tona rregullator,” tregoi anëtari i Komisionit Rregullator.
Ndërkohë gazetarja Esiona Konomi shpjegoi procedurën e votimit për zgjedhësit nga jashtë, duke ilustruar të gjithë hapat që duhen ndjekur për të evituar pavlefshmërinë e votës. Ajo tregoi format e pranueshme të votimit.
“Këshilla e parë është që ta hapni me kujdes zarfin e madh. Duke e hapur me forcë mund të dëmtohet materiali zgjedhor. Në kuti do të jetë edhe zarfi i kthimit, i cili përdoret kur postohet në Shqipëri. I gjithë shërbimi është parapaguar. Do të ketë një udhëzim që shpjegon në mënyrë teknike si duhet vepruar hap pas hapi, bashkë me këshillën që vullneti të shprehet brenda tri ditëve.
Zarfi B nuk përmban emrin dhe mbiemrin e votuesit, por vetëm emrin e shtetit ku është rezident dhe qarku ku vota e tij do të shkojë të numërohet. Nëse ka një votues me banim në Vlorë, vota i shkon Qarkut Vlorë. Barkodi e ndihmon KQZ-në, jo numëruesit apo monitoruesit apo partitë, që të shohë kush jeni dhe nga çfarë shteti vini. Zarfi A brenda zarfit B, si nga para, si nga mbrapa ka një shënim të rëndësishëm: ndalohet çdo lloj shënimi mbi këtë zarf. Brenda zarfit A është fleta e votimit, e cila do të vijë e palosur dhe e vulosur nga KQZ-ja. Duhet që zgjedhësi të bëjë një ose dy zgjedhje.
Ka tre forma të pranueshme votimi. Mund të zgjedhësh vetëm partinë me numrin rendor të forcës politike. Mund të votosh edhe subjektin, edhe kandidatin nga lista e hapur. nëse subjekti i preferuar është në çdo rast edhe emri i kandidatit duhet të jetë nën kolonën që i korrespondon nr. 3. Nëse bën një shënim te nr. 3 dhe zgjedh një kandidat te nr. 2, votat bëhet e pavlefshme. Edhe nëse zgjedh vetëm një kandidat pa specifikuar subjektin politik, edhe kjo është në rregull. Ajo që është në çdo rast votë e pavlefshme është nëse shënon në më shumë se një kolonë,” tha znj. Konomi. /rtsh.al/