
Nga: Florim Useini, Luzern
Shkojmë me gëzim në pushime në vendlindje, por kur kthehemi nuk e dimë: a duhet të gëzohemi pse ishim atje, apo të mërzitemi që gjetëm po të njëjtën gjendje dhe të njëjtën vetëdije?
A duhet të gëzohemi që u kthyem në Zvicër, apo të na rëndojë zemra që lamë pas një vend të lodhur dhe të mbushur me probleme?
Pse kemi ndjesinë se vetëm ne mbajmë hallet e vendit?
Pse nuk shkëputemi krejt nga ky mendim dhe të përqendrohemi në ndërtimin e integrimit dhe të ardhmes së gjeneratave tona këtu ku jetojmë?
Pse rruga jonë është kaq e turbullt?
Pse kemi mbetur pa qëndrim, as në fe e as në komb, as në vend e as në mërgim, as në shtëpi e as në katund?
Të tjerët gjithmonë vendosin për ne, flasin për ne dhe në emrin tonë. Aq sa edhe kur flet dikush nga ne, na duket e çuditshme, sepse nuk jemi mësuar të dëgjojmë zërin tonë.
Kur do bëhemi të zotët të vendosim vetë, pa imponime?
Kur do të flasim për veten, me qëndrim të qartë dhe të palëkundur?
Kur do të kemi një qëllim, një synim dhe një rrugë të përbashkët?
Kur do t’u heqim të tjerëve të drejtën të flasin në emrin tonë?
Kur do fillojm të vetëdijsohemi ne?
Koha është sot që të vetëdijësohemi dhe të marrim përgjegjësinë për fatin tonë. / SAM24.info