/ Nga: Shefqet Cakolli Kryetar, SH.K.A “Dardania” /
Winterthur, 26 Maj 2025 –Me katër festivale në një muaj, SH.K.A “Dardania” dëshmon edhe një herë rolin e saj si ambasadore e kulturës shqiptare në diasporë.
MAJI I FESTIVALEVE PËR SH.K.A “DARDANIA” NË WINTERTHUR
Agjendat flasin vetë – pa pasur nevojë për shumë fjalë!
Për Qendrën Kulturore “Dardania”, tash e tridhjetë vjet, festivalet janë bërë çelësi i suksesit, dhe këtë më së miri e dëshmon muaji maj 2025, me pjesëmarrjen në katër festivale brenda një muaji!
Me përkushtim të madh, “Dardania” ka planifikuar edhe agjendën për vitin që po vjen. Në datat 2–4 maj, me ftesë të SH.K.A “Malësori” nga Gjonaj i Prizrenit, anëtarët e shoqërisë, së bashku me kryetarin e saj, morën pjesë në shënimin e 50-vjetorit të themelimit të kësaj shoqërie hasjane dhe 36-vjetorit të festivalit “Hasi Jehon”.
“Dardania” është pjesëmarrëse e njohur në këtë festival, qoftë si mysafire, qoftë në konkurrim. Në vitin 2012, fitoi çmimin e parë, si dhe tri çmime të tjera vlerësuese nga juria. Vitin e kaluar, u nderua me çmimin e publikut, një vlerësim që për shoqërinë ka një rëndësi të veçantë – ndonëse vlerat e tyre janë edhe më të mëdha!
Pjesëmarrje Kombëtare e Ndërkombëtare
Në kuadër të bashkëpunimeve me festivale në trojet tona, SH.K.A “Dardania” ka qenë pjesëmarrëse në Festivalin Mbarëkombëtar të Gjirokastrës në vitin 2015, dhe vëzhguese që nga 2009. Ka marrë pjesë gjithashtu në festivale të tjera si “Lulekuqet e Prillit” në Dardanë – Kamenicë, ku është vlerësuar për veshjet më autentike dhe tekstin më të mirë të këngës.
Sipas kryesisë, mungesa e kohës, angazhimet shkollore e profesionale, si dhe aspekti financiar, janë faktorët që e kufizojnë pjesëmarrjen në shumë prej festivaleve në trojet shqiptare. Për këtë arsye, fokusi tashmë është më shumë brenda Zvicrës.
FESTIVALI NDËRKULTUROR NË WINTERTHUR
Muaji i festave vazhdoi në Winterthur, ku SH.K.A “Dardania” vepron dhe është aktive tashmë prej tre dekadash.

Në kuadër të Festivalit Ndërkulturor, i cili zhvillohet njëkohësisht në 26 qytete të Zvicrës, u prezantuan kultura nga e gjithë bota: Afrika, Greqia, Meksika, Ukraina, dhe trojet shqiptare, përmes valleve, ushqimeve dhe traditave popullore. “Dardania” u veçua me një paraqitje dinjitoze e shumëngjyrëshe, me veshje nga të gjitha trevat shqiptare, të shoqëruara me vallëzim e interpretim nga grupmosha të ndryshme.

Moderatorja dhe pedagogia e shoqërisë, Albulena Kqiku, shpjegoi veshjet dhe vallet me përkatësinë e tyre krahinore dhe historike. Ajo ftoi publikun që pas programit artistik, të bashkoheshin në valle, duke e kthyer skenën në një festë të përbashkët me shumë emocione dhe entuziazëm.
ALL EYES ON YOU | Theater am Gleis, Winterthur
Në kuadër të eventit “All Eyes On You”, organizuar në Theater am Gleis, morën pjesë grupe të shumta vallëzimi si:
aha! Studio, Dance Gallery Effretikon, Flamenco Al Golpe, Rock’n’Roll Club DAMO, BALANCE, Vallëzimi Elvira Müller, Teatri i Vallëzimit Heidi Roth dhe të tjerë.
SH.K.A “Dardania” u prezantua në fillim të programit, dhe ngjalli entuziazëm të jashtëzakonshëm. Veçanërisht u vlerësua grupi i fëmijëve me vallen “Potpuri” dhe Vallja e Tiranës, që u pritën me duartrokitje të shumta dhe vlerësime për veshjet autentike.

Organizatorët kërkuan me ngulm që “Dardania” të jetë pjesë e festivalit edhe në vitin e ardhshëm, duke shprehur habi që nuk e kishin njohur më parë këtë grup.
DITA E DIVERSITETIT – 24 MAJ | Alte Kaserne, Winterthur
Ky aktivitet përmbylli muajin festiv për “Dardaninë”.
Me moton “Festoni me ne këtë festë të gjallë të organizuar nga Forumi Ndërkulturor Winterthur”, u mblodhën mbi 20 shoqata dhe grupe kulturore nga nacionalitete të ndryshme që jetojnë në qytet.
Nga ora 14:00 deri në 23:00, u organizuan punëtori kreative, aktivitete për fëmijë, muzikë, këngë, ushqime tradicionale nga kultura të ndryshme, si: Kurdistani, Tibeti, Maroku, Afganistani, India, Brazili, Ukraina, Meksika etj.
Në skenë u ngjit edhe SH.K.A “Dardania” me një program të përgatitur me shumë përkushtim:
- Këngë nga grupi i fëmijëve
- Vallja e Tropojës nga grupi i mesëm
- “Dasma Shqiptare” nga grupi i të rriturve
Të gjitha të shoqëruara me veshje të pasura kombëtare, të cilat ndezën sallën me emocione dhe tradita shqiptare.
MIRËNJOHJE PËR KRYETARIN E QYTETIT

I pranishëm ishte edhe kryetari i qytetit të Winterthurit, z. Michael Künzle, i cili mbajti një fjalim përshëndetës dhe përgëzoi organizatorët. Në fund, me një befasi të veçantë, kryesia e “Dardanisë”, përmes Albulena Kqikut, i ndau atij një mirënjohje për mbështetjen dhe kontributin ndaj shoqërisë ndër vite.

PËRMBYLLJA
Pjesa e fundit e programit u përmbyll me vallëzim të hapur për publikun, ku të pranishmit u bashkuan me valltarët, duke shënuar një mbrëmje të paharrueshme për të gjithë.

Kjo ishte një ngjarje që do të mbetet gjatë në kujtesën e anëtarëve të SH.K.A “Dardania”, veçanërisht për ata që për herë të parë ngjiten në skenë.
FORMATI PDF
