Sergio Busquets, një nga mesfushorët më të mëdhenj të futbollit modern, ka njoftuar se do t’i japë fund karrierës së tij në fund të këtij sezoni në MLS, ku aktivizohet me Inter Miami.
“Do të jenë muajt e mi të fundit në fushë. Po tërhiqem i lumtur dhe mirënjohës. Kam kaluar 20 vite të pabesueshme, futbolli më ka dhuruar përvoja unike dhe shokë të mëdhenj udhëtimi.
Falënderoj Barcelonën, klubin e jetës sime, aty ku realizova ëndrrat e fëmijërisë, fitova shumë trofe dhe përjetova momente magjike në Camp Nou”, deklaroi 37-vjeçari. Bilanci i tij me fanellën blaugrana është i jashtëzakonshëm: 3 Champions League, 9 tituj të La Ligës, 7 Kupa të Mbretit, 7 Superkupa të Spanjës, 3 Botërorë për Klube dhe 3 Superkupa Evropiane.
Me kombëtaren e Spanjës ka zhvilluar 143 ndeshje, duke fituar Kupën e Botës në vitin 2010 dhe Kampionatin Evropian në vitin 2012.
Që prej vitit 2023, Busquets është pjesë e Inter Miami, ku së bashku me Lionel Messin ka fituar Leagues Cup dhe Supporters’ Shield, transmeton kjone.