Teksa salla e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit gëlon nga Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit, në Bolzano dhe Rovereto të Italisë, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore dhuroi shfaqje të jashtëzakonshme.
Sallat u mbushën plot nga një publik bashkatdhetarësh të ngazëllyer të cilët ndoqën një program të larmishëm me këngë dhe valle nga të gjitha trevat shqiptare.
Artistët e Ansamblit Popullor u bënë urë mes kulturave, duke sjellë për publikun shqiptar dhe atë ndërkombëtar shpirtin, ngrohtësinë dhe krenarinë e trashëgimisë kombëtare.
Koncertet në Italinë e Veriut ishin të jashtëzakonshme. Interpretimi i artistëve të AP me gjallërinë, energjinë dhe shpirtin e traditës shqiptare, bëri që publiku t’i shoqëronte duke qëndruar në këmbë gjatë shfaqjeve. Ndërkohë, Orkestra Simfonike e TKOBAP-së ndodhet në Bolonjë, ku po përgatitet për pjesëmarrjen në Respighi Festival 2025, një nga ngjarjet më prestigjioze të muzikës simfonike në Evropë, transmeton atsh.