/ Intervistoi: Dashnim Hebibi, Luzern Intervistë ekskluzive me artisten dhe aktivisten Nexhibe Imeri
„Arti më dha një gjuhë të re – një gjuhë që nuk censurohet, që nuk ka nevojë për leje, që shkon drejtpërdrejt në zemër. Autobiografia mund të shkruhet në letër, por përmes pikturës ajo shpaloset në shtresat më të thella të shpirtit“, na tha ndër të tjera znj.Imeri.
Ajo nuk flet shumë, por puna e saj thërret. Nuk kërkon vëmendjen, por e meriton atë me dinjitet dhe përkushtim. Nexhibe Imeri, artiste me origjinë nga Rahovica e Preshevës, është duke përfunduar studimet e saj Master në programin “Critical Image Practices” në Hochschule Luzern (Zvicër) – Design, Kunst & Film. Më 14 qershor 2025, ajo do të mbrojë projektin e saj të diplomës, të shoqëruar nga një ekspozitë artistike dhe një panel diskutimi.
Në këtë intervistë ekskluzive për mediat shqiptare, Imeri rrëfen për punën e saj, për gruan shqiptare si frymëzim të përhershëm, për sfidat, për artin si formë proteste dhe për mirënjohjen që ndjen ndaj familjes dhe vendit ku jeton.
Zonja Imeri, po përgatiteni të prezantoni një projekt shumë të veçantë. Na tregoni më shumë rreth tij.

Ky projekt është për mua shumë më tepër se një ekspozitë – është një rrëfim personal dhe kolektiv. Është një ftesë për reflektim, për të parë nga afër se si përmes artit mund të flitet për heshtjen, padrejtësinë dhe për guximin për t’u çliruar prej tyre. Çdo pikturë është një kapitull i jetës sime – por edhe një zë për shumë gra që nuk kanë mundur të flasin.
Si lindi ideja për të trajtuar këtë temë nëpërmjet artit?
Idetë e mia nuk lindën në mënyrë abstrakte – ato u shfaqën nga përjetimi, nga dhimbja e jetuar, nga heshtja që më ishte imponuar si grua. Për vite me radhë ndihesha e mbyllur në një rreth ku fjala nuk kishte vend, ku drejtësia nuk dëgjohej dhe ku historia ime personale trajtohej si një turp që duhej heshtur.
Kam shkruar mbi 80 faqe për një ditë të vetme të jetës sime – por e kuptova se ajo që nuk mund të thuhej me fjalë, mund të pikturohej. Arti më dha një gjuhë të re – një gjuhë që nuk censurohet, që nuk ka nevojë për leje, që shkon drejtpërdrejt në zemër. Autobiografia mund të shkruhet në letër, por përmes pikturës ajo shpaloset në shtresat më të thella të shpirtit. Sepse aty nuk flas vetëm unë – aty flasin traumat, kujtimet, heshtjet, por edhe forca. Dhe kur piktura shfaqet para publikut, ajo hap rrugë për analiza, për dialog dhe për diskutime kolektive, që në letër mund të mbeteshin të mbyllura. Kjo e bën artin tim një formë proteste, komunikimi dhe shërimi – jo vetëm për mua, por për çdo njeri që ndjen brenda vetes një histori të ngjashme.

Çfarë do të shohë publiku në këtë ekspozitë?
Publiku do të përballet me dhimbje, guxim, heshtje – dhe zgjim. Do të shohë gra të vendosura në sfond, por me dritë që buron nga vetë duart e tyre. Vepra që flasin për jetën nën hijen e Kanunit dhe patriarkatit, për shtypjen dhe padrejtësinë, por mbi të gjitha për rezistencën dhe shpresën. Nuk është thjesht një ekspozitë arti – është një rrëfim i gjallë.
Në ngjarje do të ketë edhe një panel diskutimi. Pse e konsideroni të rëndësishëm këtë format?
Paneli është thelbësor sepse arti nuk duhet vetëm të shihet – por edhe të kuptohet. Ky është një moment ku publiku mund të reflektojë bashkë me ne, të dëgjojë histori reale dhe të thellojë mirëkuptimin mbi temën. Dialogu e fuqizon mesazhin që duam të japim.
„Gruaja shqiptare është një simbol i qëndresës“
Duket se jeni shumë e lidhur me figurën e gruas shqiptare. Cila është marrëdhënia juaj me këtë figurë?
Unë jam ajo grua. E kam jetuar rrugën e saj, dhe shumë herë kam ecur në këpucët e saj – me frikë, me turp, me dhimbje, por edhe me krenari dhe forcë. Gruaja shqiptare është një simbol i qëndresës. Por është koha që ajo të mos qëndrojë më vetëm – por të dëgjohet, të respektohet dhe të mbështetet.

„Emancipimi nuk është luks – është e drejtë“
Cili është mesazhi juaj për gratë shqiptare të reja që ndihen të pasigurta për të ndjekur rrugën e tyre?
Mos e shtypni zërin tuaj. Mos lejoni që frika apo zakonet t’jua diktojnë jetën. Ju keni të drejtë të ëndërroni, të zgjidhni dhe të jeni të lira. Emancipimi nuk është luks – është e drejtë. Dhe çdo hap i vogël që bëni drejt vetvetes, është një hap për të gjitha gratë.
A keni një mesazh të fundit për lexuesit tanë?
Arti nuk është vetëm estetikë – është armë paqësore. Është protestë, rrëfim dhe shërim. Ju ftoj të vini, të shikoni, të ndjeni dhe të mos heshtni më. Sepse kur një grua flet, flet për të gjitha. Dhe kur një shoqëri dëgjon – fillon ndryshimi.

Ngjarja: Prezantimi dhe Ekspozita “Një jetë e pavarur – përmes artit drejt barazisë” Data: 14 Qershor 2025, ora 16:00–18:30 Vendi: Biblioteka HSLU, Arsenalstrasse 28a, 6010 Luzern-Kriens
Ekspozita qëndron e hapur: 12 Qershor – 10 Korrik 2025
Rezervimet deri më 12 qershor në: nexhibe.imeri@stud.hslu.ch
Ftesë për Pjesëmarrje: Ekspozitë – Vernisazh – Prezantim Projekti – Panel –
Grevë
Titulli i ngjarjes:
„Ein selbstbestimmtes Leben – Mittels Kunst zur Gleichstellung“
(Një jetë e pavarur – Përmes artit drejt barazisë)
Të dashur miq, kolegë dhe dashamirës të artit,
Unë jam Nexhibe Imeri, artiste dhe studente Master në Critical Image Practices në
Hochschule Luzern – Design, Kunst & Film.
Kam kënaqësinë t’ju ftoj në ekspozitën dhe prezantimin tim të diplomës – një ngjarje që ndërthur artin me aktivizmin shoqëror dhe që fokusohet në pabarazinë gjinore, strukturat patriarkale dhe mekanizmat e heshtur të diskriminimit ndaj grave – edhe në një epokë të ligjeve përparimtare.
Ngjarja mbahet më: 14 Qershor 2025 | Ora 16:00 – 18:30
Biblioteka HSLU, Arsenalstrasse 28a, 6010 Luzern-Kriens
Në përfundim: një Apero i vogël dhe miqësor
Ekspozita do të jetë e hapur nga 12.06 – 10.07.2025
Programi:
Prezantimi i projektit të diplomës me vepra pikture
Diskutim në podium me të ftuar të shquar:
o Dr. Dashnim Hebibi – shkencëtar politik, autor, themelues i HelveticForum
o Zita Küng – juriste, autore dhe aktiviste feministe
o Prof. Dr. Nika Spalinger – pedagoge arti me fokus në artin si aktivizëm
o
një sociologe nga Zvicra (e ftuar, në pritje të konfirmimit)
Ngjarja do të përcillet me foto dhe kamera nga Daut Luboja
Mbulim mediatik nga: albinfo.ch, helveticforum.ch, luzernerzeitung.ch
Konfirmimi i pjesëmarrjes është i domosdoshëm deri më datën: 12.06.2025 Numër i
kufizuar pjesëmarrësish: vetëm 40 persona
Për konfirmim:
nexhibe.imeri@stud.hslu.ch
�� +41 76 570 37 67 SAM24.info