
Nga Dashnim HEBIBI
Në qytetin Bülach të Kantonit të Cyrihut, më 5 tetor 2002 lindi Arijon Imeri, një i ri me rrënjë nga Lugina e Preshevës, i cili sot është duke ndjekur me përkushtim fazën përfundimtare të shërbimit ushtarak në Zvicër. Ashtu si vëllai i tij, Argetimi, që ka përfunduar me sukses këtë obligim, edhe Arijoni po ndjek të njëjtën rrugë me krenari dhe përkushtim.
Aktualisht, ai është i sistemuar në një repart ushtarak afër aeroportit të Cyrihut, në qytetëzën Kloten, shumë pranë vendbanimit të familjes së tij. Gjatë një bisede të ngrohtë, Arijoni na priti i veshur me uniformën zvicerane, e cila i rrinte për mrekulli dhe e përfaqësonte me dinjitet shtetin ku ka lindur e është rritur.
“Në çdo ushtri ekzistojnë rregulla dhe ne i respektojmë me gjithë zemër. Këtu jemi të përqendruar në çdo sekondë të kohës sonë. Me shokët ushtarë kemi marrëdhënie shumë të mira dhe bashkë ruajmë disiplinën e nevojshme”, – na tregoi Arijoni me një shqipe të pastër dhe të rrjedhshme, që shpreh qartësi, pjekuri dhe maturi.

Ai flet me krenari të veçantë për uniformën e shtetit zviceran, të cilin e konsideron atdheun e tij të dytë:
“Zvicra për ne shqiptarët është atdheu i dytë. Këtu kemi lindur, jemi shkolluar dhe tash po kryejmë edhe ushtrinë. Në çdo cep të Zvicrës ka shqiptarë – është e pamundur të mos takosh ndonjë bashkatdhetar edhe në repartet ushtarake. Zvicëranët na respektojnë dhe ne u përgjigjemi me besnikëri, sepse Zvicrën e duam me shpirt.”
Arijoni thekson se në Zvicër nuk ka dallime ngjyrash, feje apo prejardhjeje. Ajo që ka rëndësi është respektimi i rregullave dhe angazhimi i ndershëm:

“Zvicra nuk shikon se nga vjen, por nëse i përmbahesh ligjeve dhe detyrimeve. Kjo është forca e këtij shteti të drejtësisë.”
Në bisedë, Arijoni përmendi me shqetësim edhe situatën në Luginën e Preshevës, ku ende ka familjarë:
“Kam dëgjuar se Serbia po synon të thërrasë sërish të rinjtë shqiptarë për ushtri. Kjo është shumë e rrezikshme. Nuk dua të përzihem në politikë, këtë ia lë politikanëve, por e di që situata atje nuk është e qetë. Edhe pse jetojmë në Zvicër, ne kurrë s’e harrojmë prejardhjen tonë dhe duhet të punojmë që një ditë ajo tokë të jetë ashtu siç e meriton.”

Me një buzëqeshje të sinqertë, Arijoni na rrëfeu edhe për përditshmërinë ushtarake:
“Zgjohem çdo mëngjes me dëshirë dhe kryej detyrat që më ngarkohen me seriozitet. Këtu mësojmë shumë, rritemi si individë dhe si pjesë e një ekipi. Nuk ka si Zvicra – është shtet i ligjit, ku respektohesh dhe ke kushte të përkryera.”
Shërbimi ushtarak në Zvicër – një obligim që forcon integrimin dhe karakterin
Në Zvicër, shërbimi ushtarak është i detyrueshëm për burrat zviceranë, ndërsa për gratë është vullnetar. Ai zhvillohet në disa faza:
Shkolla e rekrutimit (Rekrutenschule) zgjat 18–21 javë (4–5 muaj), ku ushtarët marrin trajnim intensiv në bazat ushtarake.
Pas kësaj, shumica kryejnë shërbime vjetore (zakonisht 3 javë në vit) derisa të përfundojnë rreth 245 ditë shërbimi në total.
Personat që për arsye ndërgjegjeje nuk shërbejnë në ushtri mund të zgjedhin shërbimin civil, i cili zgjat më shumë, por ofron mundësi të tjera kontributi në shoqëri.
ushtria në Zvicër është e detyrueshme (obligative) për shumicën e burrave zviceranë që kanë shtetësi zvicerane.

Ja si funksionon më saktë:
Kush është i detyruar të shërbejë ?
• Të gjithë burrat zviceranë duhet të marrin pjesë në shërbimin ushtarak pas moshës 18 vjeçare.
• Gratë nuk janë të detyruara, por mund të regjistrohen vullnetarisht në ushtri nëse dëshirojnë.
• Personat që kanë dy shtetësi (p.sh. shqiptare dhe zvicerane) janë gjithashtu të detyruar, përveç nëse kanë marrë përjashtim të veçantë.
Si zhvillohet shërbimi ushtarak?
• Fillimisht, të rinjtë thirren për shkollën e rekrutimit (Rekrutenschule), e cila zgjat zakonisht 18–21 javë.
• Pas kësaj, pjesa tjetër e shërbimit bëhet me ushtrime të rregullta vjetore, derisa të plotësohen rreth 245 ditë shërbimi në total.
• Disa zgjedhin të kryejnë gjithë shërbimin njëherësh (shërbim i përqendruar), në vend që ta ndajnë në vite.
Alternativa për ata që nuk duan të shërbejnë në ushtri ?
• Personat që nuk duan të marrin pjesë në ushtri për arsye ndërgjegjeje (p.sh. bindje personale, fetare apo etike), mund të zgjedhin shërbimin civil (Zivildienst).
• Ky zgjat më gjatë – rreth 1.5 herë më shumë se shërbimi ushtarak (afërsisht 390 ditë në total) – dhe kryhet në institucione publike, spitale, shtëpi pleqsh, shërbime mjedisore etj.
Çfarë ndodh nëse dikush nuk shërben fare ?
• Personat që nuk kryejnë as ushtrinë, as shërbimin civil, duhet të paguajnë një takstë vjetore kompensuese (Wehrpflichtersatzabgabe) deri në moshën 37 vjeçare.
• Kjo është një shumë prej 3% të të ardhurave vjetore, por me një minimum të caktuar ligjor çdo vit.
Përjashtime
• Vetëm personat me probleme serioze shëndetësore (të verifikuara nga komisionet mjekësore ushtarake) mund të përjashtohen plotësisht.
• Në raste të veçanta, mund të ketë përjashtime edhe për ata që jetojnë jashtë Zvicrës për periudha të gjata.
Ushtria në Zvicër është një detyrim shtetëror për burrat, por ka alternativa ligjore dhe opsione fleksibël për mënyrën se si kryhet.
Arijon Imeri është shembulli më i mirë i integrimit të rinisë shqiptare në strukturat e shtetit zviceran, duke ruajtur njëkohësisht identitetin kombëtar. Ai përfaqëson me dinjitet të dyja botët: atë zvicerane, ku është rritur dhe e konsideron shtëpi, dhe atë shqiptare, që e mban gjallë në zemër.
Në fund, Arijonit i urojmë shëndet dhe suksese në rrugëtimin e tij, me shpresën që shembulli i tij të frymëzojë edhe shumë të rinj të tjerë. / SAM24.info
(Foto ilustrim)