Nga Dashnim HEBIBI
Në një takim të veçantë dhe të ngrohtë që u zhvillua në Gjenevë, Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Shkëlqesia e Tij z. Rexhep Demiri, realizoi një vizitë domethënëse në selinë Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.
Vizita, e organizuar me mikpritjen e Delegacionit të Përhershëm të EAA-WSA, të udhëhequr nga Sh.T. z. Nasufoski dhe zëvendësi i tij, u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore. Ambasadori Demiri shprehu mirënjohjen e tij të thellë për mikpritjen dhe respektin e treguar gjatë këtij takimi privat, i cili ishte një moment i veçantë për ndarjen e vlerave universale humanitare dhe për promovimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Takimi mblodhi së bashku personalitete të rëndësishme nga fusha të ndryshme – përfaqësues të Komisionit Evropian, figura të shquara të biznesit ndërkombëtar, përfaqësues institucionalë, si dhe miq dhe familjarë të afërt. Kjo ngjarje simbolike shërbeu si një platformë për të forcuar më tej marrëdhëniet e miqësisë dhe për të thelluar bashkëpunimin midis aktorëve institucionalë dhe diplomatikë.
Ambasadori Demiri vlerësoi rolin e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe si një shtyllë e rëndësishme në ndihmën humanitare globale, duke theksuar se vlerat e solidaritetit, ndihmës reciproke dhe bashkëpunimit ndërkulturor janë thelbësore për ndërtimin e një bote më të drejtë dhe më humane.