„Diaspora ndodhet në kushte të dygjuhësisë. Kjo lloj dygjuhësie karakterizohet nga fakti se fëmija duhet të përballojë jashtë mjedisit familjar, përgjithësisht njëgjuhësh (monoling), një gjuhë të ndryshme, që nuk e flasin medoemos prindërit e tij, ose e flasin keq.
Ky tip i dygjuhësisë aktualisht ka prirje të zhvillohet e të përhapet shumë në vendet e pasura si pasojë e dyndjes së punëtorëve të krahut nga vise të huaja. Me interes do të jetë, në studimet sociolingistike, shqyrtimi e studimi sa më konkret i situatës dhe i shfaqjeve konkrete të dygjuhësisë së emigracionit arvanit, arbëresh dhe i emigracioneve më të reja shqiptare në dhe të huaj, si në Bullgari (fshati Mandrica e ndonjë tjetër), në Zarë (Dalmaci), në Ukrainë (Rusi), në Gjermani, Suedi, në SHBA, në Kanada, në Australi etj.
Pra, shkurt, mund të them se gjuha ruhet atje ku flitet në grupet shoqërore dhe në familje, po edhe kur ajo shkruhet. Kështu, edhe mesazhi im është i thjeshtë: sa më shumë punë e përpjekje për ta folur shqipen në shtëpi e në mjediset shqiptare, po edhe përpjekje të palodhshme për ta shkruar gjuhën shqipe, krahas gjuhëve zyrtare të vendeve ku rrojnë e punojnë sot shqiptarët“, tha ndër të tjera Akademik Gjovalin Shkurtaj.
E keni të plotë intervistën në këtë vegëz;