
Intervistoi: Dashnim HEBIBI, Zürich
(Një rrëfim për përkushtimin, rrënjët dhe dashurinë ndaj skenës)
Në një kohë kur shumë artistë ndalen përballë sfidave, Adem Kicaj zgjodhi të ecë përpara, të punojë fort dhe të qëndrojë besnik ndaj artit që e ka ndjekur gjithë jetën. Nuk e pati të lehtë – as kur nisi në skenat e Kosovës, as kur e mori rrugën për në Zvicër. Por ai nuk u dorëzua. Dashuria për artin, për teatrin, për publikun, për gjuhën dhe për rrënjët shqiptare, e mbajti gjithmonë të gjallë dhe krijues.
Ademi rrjedh nga Teatri i Kosovës, aty ku edhe nisi rrugëtimi i tij artistik. Në Zvicër u mirëprit dhe vazhdoi të punojë me pasion të pandalur. “E kam ndier gjithmonë veten të respektuar. Nuk jam ndalur asnjëherë. Asnjë pengesë nuk më ka bërë të ndalem – as jeta jashtë vendit, as ndonjë mungesë mbështetjeje. Arti është gjaku im,” thotë ai me modesti.

Sot, pas katër dekadash krijimtari, ai është kthyer në një pikë referimi për diasporën shqiptare. Nuk janë të pakta herët kur është nderuar në Kosovë me mirënjohje për kontributin e tij të vazhdueshëm. “Sa herë që shkoj në Kosovë, ndjej krenari. Aty është vendi im. Këto ditë isha sërish atje – dhe më nderuan me disa mirënjohje. Është e bukur kur vendi yt nuk të harron,” thotë ai.
Adem Kicaj nuk është vetëm një emër që ka lënë gjurmë në teatër dhe kulturë – ai është një zë i gjallë i brezit që nuk u dorëzua. Ai vazhdon të jetë aktiv, të marrë pjesë në projekte dhe të mbështesë rininë artistike. “Ne kemi pasur aktorë të mirë dhe kemi ende një rini shumë të mirë. E ardhmja është aty, dhe unë me gjithë zemër dua të jap kontributin tim.”

Në biseda me të, shpesh del edhe pyetja nëse do të realizonte një film për luftën e UÇK-së. Përgjigjja e tij është e prerë dhe e ndjeshme: “Po, me kënaqësi të madhe do të kontribuoja në një projekt të tillë. Është një temë që e ndjej fort. E meriton një qasje e ndershme dhe dinjitoze, që t’i tregojmë botës sakrificën tonë.”
Adem Kicaj mbetet dëshmi e gjallë se arti i pastër nuk njeh kufij, as moshë, as largësi. Ai është shembulli i atij artisti që nuk kërkoi lavdi, por që e fitoi me punë. Dhe siç thotë vetë me humor dhe krenari: “Nuk po festoj, por po vazhdoj…!”
Me një përvojë katër dekadash si aktor, regjisor dhe drejtues i (IFTP), Adem Kicaj është një prej emrave më të angazhuar në ruajtjen, zhvillimin dhe ndërkombëtarizimin e kulturës shqiptare. Si një urë lidhëse mes diasporës dhe atdheut, Kicaj ka ndërtuar jo vetëm institucione, por edhe ura emocionale që e mbajnë artin shqiptar të gjallë, përtej kufijve gjeografikë.

Z.Kicaj, keni tashmë 40 vite përvojë në skenë dhe ekran. Çfarë do të veçonit nga këto dekada përkushtimi në art?
Do të veçoja njerëzit. Të gjitha përvojat – qoftë në skenë, film apo në klasat e aktrimit – janë të lidhura me njerëzit që kam takuar dhe me të cilët kam punuar. Kanë qenë vite përplot emocione, angazhime dhe sakrifica, por mbi të gjitha vite të mbushura me kuptim. Arti të kërkon gjithçka, por në të njëjtën kohë, të jep një liri dhe përmbushje që nuk e gjen askund tjetër.
Ju jeni një nga zërat më aktivë të artit shqiptar në diasporë. Si lindi ideja e krijimit të IFTP në Zvicër?
Ishte një nevojë që e ndjeva fort. Në Zvicër erdha nga Teatri i Kosovës, dhe për fat, u pranova mirë nga komuniteti këtu. E kuptova shumë shpejt se kishte një boshllëk për të rinjtë shqiptarë që dëshironin të mësonin artin skenik dhe të filmit në mënyrë të strukturuar. Kështu lindi IFTP. Sot jemi një ekip me vizion të qartë dhe me shumë studentë që tashmë janë bërë aktorë, regjisorë, skenaristë në Zvicër dhe përtej.

Po në Kosovë, tashmë edhe atje jeni aktiv përmes IFTP. Si e shihni këtë zgjerim?
E shoh si një kthim natyral. Prania në Kosovë nuk është thjesht fizike – është emocionale. Prizreni, ku kemi hapur qendrën, është qyteti i kulturës, i artit, i shpirtit. E kemi nisur me kurse të aktrimit dhe regjisurës dhe po ndërtojmë një platformë që do të mundësojë zhvillimin e brezit të ri artistik, pa pasur nevojë të emigrojnë për të marrë një arsim cilësor në këtë fushë. Dhe jam i bindur se aty do të dalin emra të mëdhenj në vitet që vijnë.
Së fundmi, po udhëtoni shpesh në Kosovë dhe po merrni mirënjohje për kontributin tuaj. Si ndiheni në ato momente?

Janë momente të veçanta. Sa herë që shkoj në Kosovë, zemra më rreh ndryshe. Vendi im, njerëzit e mi, fryma që më formësoi si artist. Edhe këto ditë isha atje, dhe më nderuan me disa mirënjohje që më prekën thellë. Është ndjenjë e jashtëzakonshme kur vendi yt nuk të harron. Kjo të jep forcë, të jep motiv që të vazhdosh, edhe pse shpesh je larg. Ne kemi pasur dhe kemi aktorë të jashtëzakonshëm dhe një rini me potencial të madh – ky është thesari ynë më i çmuar.
A keni menduar ndonjëherë të realizoni një film për luftën e UÇK-së?
Po, me kënaqësi të madhe do të kontribuoja në një projekt të tillë. Lufta e UÇK-së është një kapitull që meriton të trajtohet me dinjitet artistik dhe me ndjeshmëri njerëzore. Është një histori që duhet rrëfyer – jo vetëm si luftë për liri, por edhe si përballje me sakrificën, me dhimbjen dhe me shpresën. Nëse realizohet një projekt i tillë, unë jam i gatshëm të jem pjesë e tij, si regjisor apo aktor, apo thjesht si kontribuues me përvojën time. Është një borxh moral dhe artistik që i kemi asaj periudhe.

Një nga projektet më interesante që keni përmendur është ai për ngritjen e një busti të Aleksandër Moisiut në Zvicër. Si po shkon ky proces?
Është një projekt që po e ndjekim me përkushtim të madh. Aleksandër Moisiu është figurë ndërkombëtare, por ne shqiptarët kemi nderin që e kemi tonin. Kemi përgatitur gjithçka: modelin e bustit, dokumentacionin, bashkëpunimet me komunën e Morcote ku ai ka ndërruar jetë. Synojmë që përveç bustit, të realizojmë edhe një shesh që do të mbajë emrin e tij, duke e kthyer në një vend të përhershëm kujtimi dhe frymëzimi për të gjithë artistët shqiptarë dhe ndërkombëtarë.

Ju flisni shpesh për rininë dhe për potencialin e saj. Çfarë mesazhi keni për të rinjtë që duan të ndjekin rrugën e artit?
Të mos dorëzohen. Arti nuk është rrugë e lehtë, por është rrugë e bukur. Të jenë të përkushtuar, të lexojnë, të mësojnë, të shikojnë shumë, të përpiqen të kuptojnë jetën dhe shpirtin e njeriut. Të mos ndjekin vetëm famën, por të ndjekin thellësinë dhe ndershmërinë në punën që bëjnë. Unë e kam parë me sytë e mi se si një artist i përulur dhe i përkushtuar, bën më shumë se dhjetë të tjerë që punojnë vetëm për duartrokitje.
Ju faleminderit edhe njëherë dhe ju urojmë suksese të tjera.

Është nder dhe kënaqësi edhe për mua. Më keni përcjellur dhe më keni dhënë hapësirë mediale por edhe kemi bashkëpunuar ndër vite, për këtë të jem shumë falënderues.
SAM24.info