Nga Linda Rexhaj Maliqi, Juriste
Lajm i rëndësishëm për komunitetin tonë në Gjenevë!
Gjeneva njeh kontributin e atyre që jetuan për vite pa dokumente, ndihmat kantonale tashmë më të arritshme.
Ndryshime të rëndësishme në rregullat për përfitimet plotësuese kantonale nga 1 korriku 2025
Qeveria kantonale ka miratuar një ndryshim shumë të rëndësishëm në rregulloren për përfitimet plotësuese kantonale (PCC), i cili ndikon drejtpërdrejt shumë persona të komunitetit tonë shqiptar që kanë jetuar për vite pa dokumente dhe janë legalizuar më vonë.
Çfarë ka ndryshuar?
Deri më tani, Shërbimi për Përfitime Plotësuese (SPC) ka llogaritur kohëzgjatjen e qëndrimit në Zvicër vetëm nga momenti kur një person ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën për leje qëndrimi, pra nga data e hyrjes “ligjore”.
Kjo ka bërë që shumë persona të legalizuar, sidomos ata që ishin pjesë e projektit “Papyrus” dhe “Post-Papyrus” të mos mund të përfitonin nga këto ndihma për shkak se nuk plotësonin formalisht 10 vitet e qëndrimit të kërkuara në mënyrë legale.
Nga 1 korriku 2025, kësaj padrejtësie i është dhënë fundi. Në bazë të rregullores së re, të gjitha vitet e qëndrimit real në Gjenevë, të njohura nga autoritetet gjatë procedurës së legalizimit, do të llogariten si vite qëndrimi legal.
Kjo rregullore e re vlen për personat që janë legalizuar përmes projektit “Papyrus” dhe “Post-Papyrus” dhe përmes procedurave të rregullimit sipas nenit 30, al. 1, let. b të Ligjit për të Huajt dhe Integrimin (LEI).
Çfarë përfitimesh mund të kërkoni?
- Përfitimet plotësuese kantonale (PCC)
Personat që marrin pension AVS ose AI, dhe që janë legalizuar sipas njërit prej rasteve të mësipërme, mund të aplikojnë për përfitimet plotësuese kantonale nëse kanë qëndruar të paktën 10 vjet rresht në Gjenevë, edhe pse një pjesë të atyre viteve ishin pa dokumente.
- Përfitimet plotësuese familjare (PCFam):
Për këtë kategori, mjaftojnë 5 vite qëndrimi të pandërprerë në kantonin e Gjenevës, sipas të njëjtës logjikë.
Çfarë duhet të bëni nëse dëshironi të aplikoni?
Është shumë e rëndësishme që në dosjen tuaj të aplikimit për PCC të përfshini një letër shoqëruese, dhe të theksoni qartë se jeni përfshirë në projektin “Papyrus”, ose “Post-Papyrus”.
Kujdes: Ky ndryshim vlen vetëm për përfitimet kantonale dhe jo për ato federale.
Me këtë vendim, Gjeneva njeh realitetin e atyre që kanë jetuar dhe kontribuar për vite në kanton pa status të rregulluar, shpesh në kushte shumë të vështira.
Kjo reformë përfaqëson një hap të madh drejt barazisë dhe drejtësisë sociale, duke e bërë më të drejtë dhe më të arritshme mundësinë për të përfituar ndihmë bazë për ata që e meritojnë, përfshirë shumë bashkatdhetarë tanë që ishin pjesë e “Papyrus”-it apo u legalizuan më vonë. Për më shumë informata lidhur me të drejtat tuaja, vizitone platformen www.e-drejtajote.ch.
(Foto ilustrim)