4.3 C
Zurich
Tuesday, November 18, 2025
spot_img
spot_img

Do të shkosh ushtar? Afatet dhe kushtet për të qenë në Forcat e Armatosura

Duhet ti lexosh

Hapet thirrja për rekrutime në Forcat e Armatosura – Afati i aplikimeve deri më 31 mars 2025

Procesi i rekrutimit për ushtarë dhe detarë aktivë në Forcat e Armatosura (FA) ka nisur dhe afati për dorëzimin e dokumentacionit është deri më 31 mars 2025, raporton noa.al.

Zyrtarisht thuhet se procesi i rekrutimit synon të përzgjedhë kandidatë me një profil cilësor, të aftë fizikisht dhe shëndetësisht, si dhe me një nivel të lartë kulturor.

Ministria e Mbrojtjes vlerëson se përzgjedhja e ushtarëve me standarde të larta është thelbësore për modernizimin dhe forcimin e kapaciteteve të FA-së, veçanërisht në kushtet e angazhimeve të rritura në kuadër të NATO-s dhe mbrojtjes kombëtare.

Rekrutimi është i hapur për të gjithë shtetasit shqiptarë që plotësojnë kriteret e përcaktuara nga Ministria e Mbrojtjes. Aplikimi bëhet drejtpërdrejt në Qendrën e Personel Rekrutimit, ku kandidatët do të kalojnë në fazat e testimit dhe përzgjedhjes, pas vlerësimit të aftësive shëndetësore dhe fizike.

Parimi i barazisë dhe transparencës

Rekrutimi do të bazohet në parimin e shanseve të barabarta, duke mos lejuar diskriminim mbi bazën e racës, etnisë, gjinisë, përkatësisë fetare apo vendbanimit. Procesi do të jetë i dokumentuar dhe transparent, me publikimin e kritereve, udhëzimeve dhe rezultateve përfundimtare në faqen zyrtare të Forcave të Armatosura. Për më tepër, përzgjedhja dhe testimi do të automatizohen për të garantuar objektivitet dhe saktësi në vlerësimin e kandidatëve.

Ky rekrutim është një mundësi e rëndësishme për të rinjtë shqiptarë që dëshirojnë të shërbejnë në FA dhe të jenë pjesë e një institucioni që luan një rol kyç në mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare.

Kriteret e përgjithshme për rekrutimin e ushtarëve/detarëve aktivë

Për t’u rekrutuar në FA si ushtar/detar shtetasit shqiptarë duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:

të mos jetë dënuar nga gjykata për vepra penale;

të mos jetë në ndjekje penale;

të mos jetë në proces gjykimi penal nga gjykata;

të ketë figurë të pastër morale;

të mos ketë probleme me deportimin;

të mos ketë probleme me drogën dhe alkoolin;

të mos jetë person i dyshuar, i padëshirueshëm, i evidentuar dhe implikuar nga organet e zbatimit të ligjit për veprimtari të kundraligjshme apo kriminale;

mosha minimale e rekrutimit është 18 vjeç.

Në momentin e titullimit ushtar/detar aktiv, nuk duhet të kenë mbushur moshën 30 vjeç.

Përjashtim bëjnë vetëm shtetasit që do të titullohen ushtar/detar aktiv, të cilët do të jenë personel mjekësor i FA, Orkestrës Frymore dhe Orkestrës Simfonike dhe që në momentin e titullimit nuk duhet të kenë mbushur moshën 32 vjeç;

minimalisht të ketë kryer arsimin 9 – vjeçar brenda ose jashtë vendit;

të kenë gjatësinë trupore mbi 165 për meshkujt dhe mbi 160 cm për femrat ;

të jetë shpallur fitues në përfundim të konkurrimit;

të ketë kryer kontrollin shëndetësor dhe të jetë vlerësuar i aftë për ushtar/detar aktiv nga Komisioni Mjekësor Ushtarak

të ketë rezultuar pa probleme gjatë verifikimit të kushtit të sigurisë të kryer nga strukturat përgjegjëse.

Procedura e aplikimit për ushtar/detar

Shtetasit që dëshirojnë të shërbejnë në FA si ushtar/detar aktiv, do të aplikojnë drejtpërdrejt në Qendrën e Personel Rekrutimit.

Aplikantët plotësojnë: formularin e aplikimit dhe formularin e pranimit të dokumentacionit dhe marrin njoftimin për dokumentet e nevojshme, kuotat e rekrutimit, specialitetet, rajonet e rekrutimit, afatin e paraqitjes në Qendrën e Personel Rekrutimit për vijimin e procesit të pranimit, testimit e përzgjedhjes etj.

Procedurat, kriteret, rregullat e testimit bëhen publike në faqen e internetit të Ministrisë së Mbrojtjes, jo më pak se 150 ditë përpara nga data e fillimit të Stërvitjes Individuale Bazë.

Regjistrimi i kandidatëve, dokumentacioni i nevojshëm

Dokumentacioni që do të paraqesin kandidatët në fazën e regjistrimit është:

kërkesë me shkrim, në të cilën parashtrohet identiteti i aplikantit, statusi familjar (martuar, beqar), arsyet për të cilat dëshiron të bëhet ushtar/detar aktiv, jo më pak se dy mundësi zgjedhje për njësinë apo repartin në të cilin do të dëshironte për të shërbyer. Aftësitë, përvoja në punë, prirjet e tij në fusha të caktuara, (formulari i aplikimit); fotokopje të kartës së identitetit; certifikatë familjare, 1 copë, e cila gjenerohet online nga QPR-ja në bashkëpunim me DMBNJ&SH, në portalin qeveritar e-albania, sipas akteve ligjore në fuqi;

dy fotografi të përmasave 4×6 cm dhe dy fotografi të përmasave 9×12 cm; fotokopje të certifikatës së arsimit 9 – vjeçar, ose të diplomës së arsimit të mesëm, ose të lartë të noterizuar;

diplomë, dëshmi, certifikatë për aftësitë profesionale (nëse ka), për drejtim automjeti, për njohjen e gjuhëve të huaja, të noterizuara;

raport mjekësor të lëshuar nga komisioni mjekoligjor (KML) i qendrës shëndetësore të vendbanimit të kandidatit shoqëruar edhe me një raport ose vërtetim nga mjeku i familjes ku deklarohet se kandidati është i shëndetshëm, nuk ka sëmundje infektive dhe të shëndetit mendor në anamnezën e tij personale të jetës.

ekzaminimet mjekësore për agjentë infektiv (Hepatit B, Hepatit C, HIV/AIDS, Sifiliz) dhe grupin e gjakut të lëshuar nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut dhe/ose bankat e gjakut apo drejtoritë e Shëndetit Publik në rrethet ku banojnë.

në momentin e aplikimit, pranë zyrës së pranimit në Qendrën e Personel-Rekrutimit, kandidatët duhet të plotësojnë formularin e aplikimit për ushtar/detar aktiv dhe formularin e vetëdeklarimit për gjendjen shëndetësore (Aneksi C), bashkëlidhur këtij udhëzimi.

Dokumentacioni që do të paraqesin kandidatët e kualifikuar pas përfundimit të testimit.

Nëse kandidati shpallet fitues brenda 2 (dy) javëve duhet të sjellë në QPR edhe dokumentacionin e mëposhtëm:

vërtetim nga gjykata;raport mjekësor të lëshuar nga Komisioni Mjeko-ligjor Ushtarak i Njësisë Mjekësore Ushtarake, në përfundim të ekzaminimeve.

Qendra e Personel Rekrutimit, në bashkëpunim me strukturat që kanë akses në portalin e-albania, të sigurojë dokumentacionin, i cili mund të shkarkohet online nëpërmjet portalit qeveritar “e-albania”, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.

Kandidatët të sigurojnë vetë dokumentacionin e kërkuar në rastet kur, për arsye teknike, ai nuk mund të shkarkohet nëpërmjet portalit. Qendra e Personel Rekrutimit vijon procedurat e testimit dhe përzgjedhjes vetëm me kandidatët të cilët kanë paraqitur dokumentacionin sipas germës “a”, njofton oranews.

 

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Artikujt e fundit