SPAK është përfshirë në përpjekjet ndërkombëtare për luftën kundër krimit të organizuar, përmes bashkëpunimit me Departamentin e Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara dhe OPDAT.
Ambasada e SHBA-së në Tiranë bën me dije se drejtuesi i SPAK mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Drogave, IDEC40, e zhvilluar në Buenos Aires nga Agjencia Amerikane kundër Narkotikëve (DEA).
Konferenca përbën një nga forumet kryesore ndërkombëtare për koordinimin operacional dhe bashkërendimin e veprimeve kundër organizatave kriminale ndërkombëtare.
“Divizioni Penal i Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara, përmes OPDAT, e solli SPAK-un në qendër të përpjekjeve globale kundër krimit të organizuar ndërkombëtar. Në Buenos Aires, Drejtuesi i SPAK mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Drogave, IDEC40, nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara kundër Narkotikëve (DEA) forumi kryesor global i sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara për integrimin operacional, koordinimin dhe bashkërendimin e veprimeve kundër organizatave kriminale ndërkombëtare, përfshirë Organizatat e Huaja Terroriste të përcaktuara nga Shtetet e Bashkuara”, shkruan Ambasada e SHBA-së në Tiranë.
Gjatë pjesëmarrjes në konferencë, prokurorët e SPAK zhvilluan 12 takime të nivelit të lartë me homologë nga Shtetet e Bashkuara, Kolumbia, Ekuadori, Ukraina, Paraguai dhe Argjentina.
Ambasada amerikane thekson se takimet synuan forcimin e marrëdhënieve dhe koordinimit operacional mes institucioneve ligjzbatuese, me qëllim goditjen e kërcënimeve të krimit të organizuar ndërkombëtar në Evropë, Amerikën Latine dhe Shtetet e Bashkuara.
“Duke u mbështetur në IDEC40, prokurorët e SPAK zhvilluan 12 takime të nivelit të lartë me homologë nga Shtetet e Bashkuara, Kolumbia, Ekuadori, Ukraina, Paraguai dhe Argjentina, duke forcuar marrëdhëniet dhe koordinimin operacional të nevojshëm për të goditur dhe luftuar kërcënimet ndërkombëtare në Europë, Amerikën Latine dhe Shtetet e Bashkuara”, shkruan ambasada.
Pjesëmarrja e SPAK në këtë forum vjen në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm me autoritetet amerikane në luftën kundër trafikut të drogës dhe organizatave kriminale ndërkombëtare, transmeton rtsh.










