Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Klodiana Spahiu, mori pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të Evropës Juglindore, e zhvilluar në Budapest, ku në qendër të diskutimeve ishte procesi i zgjerimit të Bashkimi Evropian, si dhe rëndësia e investimeve ekonomike dhe ndërlidhjeve energjetike për rajonin.
Në fjalën e saj, Spahiu theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në BE përbën një mision kombëtar dhe një angazhim të përbashkët që tejkalon ndarjet politike.
“Rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian nuk është thjesht një objektiv i qeverisë sonë; ajo është një mision kombëtar që na bashkon të gjithëve dhe tejkalon ndarjet politike. Ne qëndrojmë të përkushtuar ndaj objektivit për të siguruar vendin tonë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2027”, u shpreh Spahiu.
Ajo vlerësoi gjithashtu rëndësinë e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, duke e cilësuar atë si një mundësi transformuese për zhvillimin ekonomik të rajonit. Sipas saj, Shqipëria është plotësisht e angazhuar në zbatimin e reformave të nevojshme për të përfituar maksimalisht nga ky instrument mbështetës.
“Përmes këtij kuadri synojmë të mobilizojmë investime në infrastrukturë strategjike, ndërlidhje energjetike, transformim digjital dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, duke përshpejtuar konvergjencën tonë me Bashkimin Evropian”, nënvizoi ajo.
Në fokus të diskutimit ishte edhe Korridori VIII, një projekt strategjik që lidh Adriatikun me Detin e Zi, i konsideruar si një investim kyç për forcimin e ndërlidhjes rajonale dhe stabilitetit gjeopolitik në Evropën Juglindore.
Gjatë qëndrimit në Budapest, Spahiu zhvilloi takime me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orbán, me kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Hungarisë, László Kövér, si dhe me ambasadorin e Shqipërisë në Hungari, Ilirian Kuka. Në këto takime u riafirmua gatishmëria e Shqipërisë për të avancuar në rrugën e integrimit evropian dhe për të thelluar bashkëpunimin rajonal.
Konferenca në Budapest rikonfirmoi mbështetjen për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se procesi i zgjerimit mbetet një investim strategjik për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit, transmeton atsh.




