Federata e Golfit e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj vendimit të autoriteteve të Qipros, të cilat nuk kanë lejuar garuesin e Republikës së Kosovës të hyjë në territorin e tyre për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të golfit. Një rast të paprecedent dhe një skandal të madh nga autoritetet qipriote.
Sipas reagimit të federatës, ky veprim konsiderohet i papranueshëm dhe në kundërshtim me frymën sportive, pasi sportistit të Kosovës u është pamundësuar pjesëmarrja në një garë ndërkombëtare.
“Federata e Golfit e Kosovës shpreh keqardhjen e thellë që, pavarësisht kualifikimit të merituar sportiv dhe përgatitjeve të gjata e intensive, nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Seniorëve 2026, i cili fillon sot në Paphos të Qipros.
Lojtari ynë, Azer Bislimaj, ishte kualifikuar për herë të dytë radhazi për këtë kampionat prestigjioz evropian, duke përfaqësuar Kosovën në mesin e 29 shteteve pjesëmarrëse dhe lojtarëve më të mirë seniorë të Evropës. Regjistrimi zyrtar i Federatës së Golfit të Kosovës ishte përfunduar më 23 prill 2026, ndërsa të gjitha obligimet financiare, përfshirë pagesat e udhëtimit dhe akomodimit, ishin kryer me kohë.
Përgatitjet për këtë kampionat kanë qenë serioze dhe intensive. Azer Bislimaj zhvilloi dy kampe stërvitore nga një javë në Spanjë, si dhe pesë javë stërvitje intensive në Travemünde të Gjermanisë nën drejtimin e trajneres së njohur gjermane Madeleine Krüger. Këto përgatitje përfaqësojnë muaj të tërë përkushtimi, sakrifice dhe investimi personal me synimin për të përfaqësuar Kosovën me dinjitet në garën më prestigjioze evropiane për seniorë.
Gjatë gjithë procesit, Shoqata Evropiane e Golfit (EGA) është angazhuar seriozisht për të gjetur një zgjidhje që do të mundësonte pjesëmarrjen tonë. Federata e Golfit e Kosovës shpreh mirënjohjen e saj të sinqertë për korrektësinë, profesionalizmin dhe mbështetjen e treguar nga EGA. Për më tepër, EGA kishte përgatitur të gjitha aspektet teknike të kampionatit duke e paraqitur lojtarin tonë, Azer Bislimaj, me emrin, mbiemrin dhe flamurin e Republikës së Kosovës në sistemet zyrtare të kampionatit dhe në tabelat digjitale të rezultatit.
Kjo dëshmon qartë se nga ana e EGA-së ekzistonte vullneti për të siguruar trajtim të barabartë dhe përfaqësim të rregullt sportiv të Kosovës. Megjithatë, më 27 maj 2026, vetëm pak ditë para kampionatit, u informuam se për shkak të një vendimi të autoriteteve shtetërore të Qipros, të mbështetur nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Republikës së Qipros, nuk do të lejohej paraqitja e Republikës së Kosovës me simbolet e saj shtetërore në mënyrë të barabartë me shtetet e tjera pjesëmarrëse. Konkretisht, flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës nuk do të mund të shfaqej në vendin e garës në të njëjtën mënyrë si flamujt e 28 shteteve të tjera pjesëmarrëse. Është e rëndësishme të theksohet se gjatë procesit të regjistrimit zyrtar më 23 prill 2026 dhe gjatë javëve që pasuan, as Federata e Golfit e Qipros dhe as EGA nuk kishin njoftuar Federatën e Golfit të Kosovës për ekzistimin e një kufizimi të tillë.
Ky informacion u komunikua vetëm më 27 maj, pasi të gjitha përgatitjet sportive, organizative dhe financiare tashmë ishin përfunduar.
Federata e Golfit e Kosovës beson fuqishëm se sporti duhet të jetë një platformë e respektit, barazisë dhe mirëkuptimit ndërmjet kombeve. Kosova nuk po kërkonte trajtim të veçantë. Kërkonim vetëm të njëjtin trajtim që iu ofrua 28 shteteve të tjera pjesëmarrëse. Ne nuk mund të pranojmë pjesëmarrje në gara ndërkombëtare në kushte të pabarabarta dhe pa të drejtën për të përfaqësuar shtetin tonë me identitetin dhe simbolet e tij zyrtare. Për këtë arsye, dhe në përputhje me parimet tona institucionale, Federata e Golfit e Kosovës ka vendosur të mos autorizojë pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian të Seniorëve 2026 në këto rrethana.
Pavarësisht këtij zhgënjimi, ne mbetemi të përkushtuar ndaj zhvillimit të golfit në Kosovë, promovimit të vlerave evropiane dhe bashkëpunimit me familjen evropiane dhe botërore të golfit.
Shpresojmë që situata të tilla të mos përsëriten në të ardhmen dhe që sporti të vazhdojë të mbetet një urë bashkimi, respekti dhe mirëkuptimi ndërmjet popujve”, ka reaguar Federata e Golfit e Kosovës./K.Goca/BS




