Marrëveshja dyjavore e armëpushimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka ardhur pas një procesi të mbushur me tensione, presione dhe negociata të ethshme, ku vendimtare rezultoi ndërhyrja e udhëheqësit të ri suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei.
Sipas raportimeve të medias amerikane, Axios. Khamenei dha sinjalin vendimtar duke udhëzuar negociatorët iranianë të lëviznin drejt një marrëveshjeje – për herë të parë që nga nisja e konfliktit.
Burime diplomatike theksojnë se pa “dritën jeshile” të tij, marrëveshja nuk do të ishte arritur.
Ai ka mbikëqyrur të gjitha fazat e bisedimeve, duke marrë vendimet kryesore përmes komunikimeve indirekte, për shkak të kërcënimeve për atentat ndaj tij.
Ministri i Jashtëm iranian, Seyed Abbas Araghchi, ka luajtur një rol të rëndësishëm në menaxhimin e negociatave dhe në bindjen e komandantëve të Gardës Revolucionare për të pranuar kushtet e armëpushimit.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka hezituar deri në minutat e fundit, mes presioneve të brendshme dhe kërcënimeve publike për shkatërrimin e Iranit.
Burime pranë Pentagonit raportojnë se forcat amerikane në Lindjen e Mesme ishin në gatishmëri për një fushatë masive bombardimesh mbi infrastrukturën iraniane, ndërsa aleatët rajonalë po përgatiteshin për hakmarrje iraniane.
“Nuk kishim idenë se çfarë do të ndodhte. Ishte e çmendur,” tha një zyrtar i mbrojtjes.
Përpjekjet intensive për arritjen e marrëveshjes përfshinë ndërmjetësimin e Pakistanit, me kryeministrin Shehbaz Sharif dhe shefin e ushtrisë Asim Munir që luajtën rol kyç.
Edhe Egjipti e Turqia u përfshinë në draftet e reja, ndërsa Izraeli mbeti i shqetësuar se po humbiste kontrollin e procesit.
Në fund, Trump pranoi propozimin e përditësuar për armëpushim dyjavor, pas komunikimeve me Netanyahu dhe Munir.
Forcat amerikane morën urdhrin për t’u tërhequr vetëm 15 minuta pas shpalljes së marrëveshjes. Irani njoftoi se do të hapte Ngushticën e Hormuzit për transportin ndërkombëtar, duke e konsideruar këtë si pjesë të angazhimit të tij për paqe.
Megjithatë, mbeten boshllëqe të mëdha mes vizionit amerikan dhe iranian për një marrëveshje afatgjatë.
SHBA ka paralajmëruar se do të insistojë që Irani të heqë dorë nga programi bërthamor dhe raketat balistike, ndërsa Teherani e sheh armëpushimin si një hap taktik për të fituar kohë. Delegacionet pritet të takohen në Pakistan për bisedime të mëtejshme, ndërsa zyrtarë të lartë amerikanë do të mbajnë konferenca për shtyp duke argumentuar se kërcënimet e Trump e bënë të mundur marrëveshjen. Nga ana tjetër, Irani e sheh si rezultat të vendosmërisë së tij dhe ndërhyrjes së udhëheqjes së re, transmeton rtsh.




