Seanca për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, e paraparë të nisë në orën 10:00, është shtyrë për në orën 14:00 nga Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, me arsyetimin se po priten deputetët e opozitës për të marrë pjesë në një proces që ajo e cilësoi si obligim kushtetues.
Në hapje të seancës, Haxhiu theksoi se deputetët janë të detyruar të jenë të pranishëm në seanca të tilla dhe se mungesat duhet të arsyetohen. Sipas saj, vetëm deputetja Afërdita Hajrizi kishte njoftuar për mungesën, duke përmendur arsye shëndetësore. Kryeparlamentarja shtoi se detyrimi për pjesëmarrje mbështetet edhe në aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkohë, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, u bëri thirrje deputetëve të opozitës që të marrin pjesë në seancë, duke e cilësuar procesin si të rëndësishëm për stabilitetin institucional dhe për shmangien e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Ajo kërkoi gjithashtu ndaljen e akuzave politike dhe fokusimin në gjetjen e një zgjidhjeje për zgjedhjen e presidentit. Nagavci përmendi edhe nismën e fundit të LDK-së për mbledhjen e nënshkrimeve, duke theksuar se ato nuk janë ndarë me përfaqësuesit e shumicës për një koordinim të mundshëm.
Seanca për zgjedhjen e presidentit ka nisur në ditën e fundit të afatit kushtetues. Në rast se deri në mesnatë nuk arrihet zgjedhja e kreut të shtetit, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar dy kandidate për presidente, Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën, ndërsa kandidatët e mëparshëm janë tërhequr nga gara. Në rundin e parë të votimit, Rushiti ka siguruar 63 vota, ndërsa Hoxha nuk ka marrë asnjë.
Opozita, e cila ka bojkotuar seancën, ka kritikuar zhvillimin e saj pa praninë e 80 deputetëve, duke e konsideruar këtë si shkelje të Kushtetutës. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa orët në vijim pritet të jenë vendimtare për fatin institucional të vendit, transmeton rtk.




