Një marrëveshje e re bashkëpunimi synon të promovojë Shqipërinë si destinacion turistik në Zvicër dhe tregjet e tjera evropiane.
Shqipëria po ndërmerr hapa të rinj për forcimin e promovimit të saj turistik në tregun zviceran. Në kuadër të përpjekjeve për rritjen e bashkëpunimit me sektorin privat, siç mëson helveticALforum.ch është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi mes Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe kompanisë Albanien Reisen GmbH. Marrëveshja vjen në vijim të takimit të zhvilluar në qershor mes Ambasadorit të Shqipërisë, Ermal Dredha, dhe z. Saimir Shala, ku në fokus ishte diskutimi mbi mundësitë e bashkëpunimit për promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik në tregun zviceran.
Përfaqësia diplomatike shqiptare e ka cilësuar marrëveshjen një hap të rëndësishëm për zgjerimin e pranisë së Shqipërisë në tregun e Zvicrës dhe më gjerë në Evropë.
Nëpërmjet kësaj nisme synohet forcimi i lidhjeve mes institucioneve shqiptare dhe sipërmarrësve të sektorit të turizmit, duke krijuar mundësi të reja për prezantimin e ofertës turistike shqiptare për vizitorët zviceranë.
Në qendër të promovimit pritet të jenë pasuritë natyrore dhe kulturore të Shqipërisë, gastronomia, traditat dhe mikpritja shqiptare, elemente që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të ofertës turistike të vendit.
Ambasada e Shqipërisë në Zvicër ka bërë të ditur se do të vijojë të mbështesë nisma të tilla, me synimin për të forcuar bashkëpunimin në fushën e turizmit dhe për ta bërë Shqipërinë një destinacion gjithnjë e më të njohur për turistët zviceranë. Nënshkrimi i marrëveshjes mes Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe Albanien Reisen GmbH shihet si një tjetër hap në përpjekjet për të rritur ndërveprimin mes tregut shqiptar dhe atij zviceran të turizmit, njofton Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Zvicër, përcjell helveticALforum.ch.










