
Nga Dashnim HEBIBI
Mërgata shqiptare mbetet e lidhur fort me atdheun – edhe këtë verë, Shqipëria ishte zgjedhja e parë për pushimet verore Edhe këtë verë, shumica e bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në diasporë pushimet i kaluan në Shqipëri. Tashmë, kur pjesa më e madhe e mërgimtarëve janë kthyer në vendet ku jetojnë dhe kanë rifilluar përditshmërinë, punën dhe angazhimet e tyre, mbeten pas kujtimet e ditëve të kaluara në atdhe. Në një bisedë me rreth 20 bashkatdhetarë, pyetja ishte e thjeshtë: Ku i kaluat pushimet verore? Përgjigjja ishte pothuajse e njëzëshme: Në Shqipëri. Disa kishin zgjedhur jugun e Shqipërisë, ndërsa shumica kishin pushuar në Durrës, Shëngjin dhe Velipojë. Të tjerë, përveç ditëve të pushimit në bregdet, kishin kaluar kohë edhe në vendlindjet e tyre, duke e bërë kështu verën një kombinim mes vizitës familjare dhe pushimeve. Ky realitet tregon edhe një herë se mërgata shqiptare mbetet e lidhur fuqishëm me trojet dhe atdheun e saj. Edhe pse sot mundësitë për të udhëtuar janë shumë më të mëdha dhe ofertat turistike për shtete të ndryshme të Evropës e të botës janë të shumta, Shqipëria vazhdon të jetë zgjedhja e parë për një pjesë të madhe të familjeve shqiptare në diasporë.

Natyrisht, edhe Ulqini vazhdon ta ketë historinë e tij, traditën dhe pushuesit besnikë, veçanërisht nga diaspora shqiptare. Por nga bisedat tona të këtyre ditëve, Shqipëria këtë verë ishte në vendin e parë. Ky interes i madh i mërgatës është edhe një mundësi e rëndësishme për Shqipërinë. Shteti shqiptar dhe institucionet lokale mund të bëjnë edhe më shumë për ta zhvilluar turizmin, për të garantuar siguri, pastërti, shërbime cilësore dhe një mikpritje që përputhet me pritshmëritë e mijëra familjeve që çdo verë udhëtojnë drejt Shqipërisë.
Mërgimtari nuk është vetëm turist. Ai është një urë e gjallë mes Shqipërisë dhe vendeve ku jeton. Ai sjell me vete familjen, shpenzon në ekonominë vendore, viziton qytetet dhe fshatrat, takon të afërmit dhe, mbi të gjitha, ruan lidhjen emocionale me atdheun.
Por një pyetje tjetër mbetet: A do të vazhdojë gjenerata e re e mërgatës ta zgjedhë Shqipërinë si destinacionin e saj të preferuar?
Për këtë çështje, në ditët në vijim do të zhvillojmë biseda me të rinj shqiptarë që jetojnë në diasporë, për të kuptuar se ku i preferojnë ata pushimet, çfarë kërkojnë nga një destinacion turistik dhe nëse lidhja emocionale me vendin e prindërve dhe gjyshërve vazhdon të ndikojë në zgjedhjen e tyre. Përgjigjet do t’i sjellim së shpejti në platformën tonë mediale HelveticALforum, në një përpjekje për të kuptuar më mirë se si po ndryshojnë preferencat turistike të gjeneratës së re të mërgatës shqiptare. Një gjë është e sigurt: edhe këtë verë, rruga e mërgatës shqiptare ka kaluar në masë të madhe përmes Shqipërisë.
( Foto nga Adi H. Presheva )










