Veri Talushllari
Shoqata SKËNDERBEJ USA në NY-NJ në festë. Restorant PINE në Bronxdale Avenue në Bronx, Nju Jork, mbushet me zërat dhe kënaqsinë e takimit të shokëve e miqve të vjetër, kolegë në vitet kur shërbenim në radhët e Ushtrisë Shqiptare, familjarëve dhe miqve tanë. E kënaqsia e gëzimi shtohet kur sheh të rinj e të reja që u bashkohen prindërve dhe të njohurve të tyre tashmë të moshuar për ta bërë festën më të bukur, më të gëzueshme. Nën tingujt e muzikës dhe zërit të DJ dhe këngëtarit të mirënjohur në të gjitha trevat ku flitet shqip, Argjend Lloga, festa fillon me Himnet “Rreth Flamurit të Përbashkuar” dhe “The Star-Spanglet Banner”, që rreth 100 të pranishëm i këndojnë me dorën në zemër.
Zj. Dirka Xhakolli uron mirëseardhjen dhe Presidenti i Shoqatës Gëzim Shentolli flet për 28 Nëntorin, atë ditë të shënuar kur Skënderbeu, Heroi ynë Kombëtar por edhe heroi i anëtarëve të Shoqatës sonë, që si nxënës dhe studentë ushtarakë kemi studjuar në shkollat me emrin e tij, – – arsyeja pse Shoqata jonë mban emrin e tij të ndritur- flet për Nëntorin 1912 kur Plaku i mënçur, Ismail Qemal Vlora e deklaroi Shqipërinë të Lirë dhe të Mosvarme nga sundimi gati 500 vjeçar otoman, evokon Nëntorin 1944 kur shqiptarët si pjesë e Koalicionit Antifashist me Anglo-Sovjeto-Amerikanët, me armët e bijve e bijave më të mirë, çliruan Atdheun nga nazifashistët, dhe 28 Nëntorin 1955 kur lindi Heroi Legjendar Adem Jashari. Flet edhe për 4 Dhjetorin 1912, Ditën e Ushtrisë Shqiptare, rrugën e saj në këto 113 vite dhe pak më gjatë për sfidat e saj në ditët tona si pjesë e Aleancës së Atlantikut (NATO), dhe disa lajme të mira për një buxhet në rritje për modernizimin e armëve e shërbimeve si dhe për fuqizimin e industrisë ushtarake.
Nga Filadelfia, nga Forumi Ushtarak, pjesë e Shoqatës Atdhetare “Bijtë e Shqipes”, Kryetari, Niko Salavaçi sjell përshëndetjetjet e kolegëve dhe shokëve tane dhe vë në pah veprimtaritë e përbashkëta që kemi bërë dhe rëndësinë e tyre. Një moment emocional u krijua kur Kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇKsë për ShBA dhe Kanadanë, Astrit Huskaj solli përshëndetjet e Hashim Thaçit dhe shokëve të tij që padrejtësisht mbahen në Hagë dhe i dha Shoqatës SKËNDERBEJ USA në NY-NJ një Çertifikatë Mirënjohje nga OVL e UÇKsë në Prishtinë nënshkruar nga Kryetari Hysni Gucati.
Më pas për rreth 4 orë salla u mbush me tingujt e këngëve e valleve shqiptare, nga Veriu në Jug, dhe të pranishmit kënduan e vallzuan, ju gëzuan menysë së pasur, u çmallën me njëri tjetrin, dikush tregoi për udhëtimin në dheun mëmë, dikush për të rejat nga takimi vitin e shkuar, një i tretë, i ardhur vetëm pak kohë më parë në ShBA interesohet për punë për vete apo për fëmijë, aty më tej dëgjon biseda për shëndetin, e patjetër fotokujtime, etj. Po bie mbrëmja dhe pas një fotoje të përbashkët i urojmë njëri tjetrit ” Gëzuar festat!” dhe “Mirë u takofshim në gëzime të tjeta”./GD




