NGA GOSSAU I ZVICRËS DREJT PRISHTINËS – PËR LIRINË, DREJTËSINË DHE DINJITETIN E KOSOVËS!
Më 12 shtator, përfaqësues të Shoqatës Humanitare “Lugina e Preshevës”, me qendër në Gossau të Zvicrës, do të jenë pjesë e “Marshit për Liri”, të organizuar nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, nën moton “KOSOVA PO PRET”. Për ne, kjo nuk është thjesht pjesëmarrje në një marsh. Është qëndrim ndaj një kauze që lidhet me vetë themelet e lirisë së Kosovës. Për gati 20 vite veprimtari, Shoqata Humanitare “Lugina e Preshevës” e ka pasur në palcë kombëtarizmin, unitetin, solidaritetin dhe bamirësinë. Kemi qenë pranë njerëzve, pranë familjeve në nevojë dhe pranë çdo kauze që lidhet me dinjitetin, lirinë dhe të ardhmen e shqiptarëve.

Prandaj, kur preket liria, sakrifica dhe dinjiteti i atyre që luftuan për Kosovën, ne nuk mund të qëndrojmë anash.
Ne besojmë fuqishëm se çlirimtarët tanë do t’i kthehen familjeve të tyre, Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar. Besojmë se drejtësia do ta njohë sakrificën e tyre dhe se historia do ta thotë të vërtetën për njerëzit që dolën përballë rrezikut për të mbrojtur nderin, moralin dhe pragun e familjes shqiptare, për të mbrojtur tokën dhe të drejtën e popullit të tyre për të jetuar të lirë. Sepse liria e Kosovës nuk erdhi si dhuratë. Ajo u pagua me jetë, me gjak, me lot dhe me sakrificën e mijëra familjeve.
Prandaj, më 12 shtator, jemi në Prishtinë.
Jo për fotografi.
Jo për duartrokitje boshe.
Por për të dëshmuar se, kur janë në pyetje liria, drejtësia, dinjiteti dhe e vërteta e Kosovës, mërgata shqiptare di të jetë aty ku duhet. Nga Gossau në Prishtinë.
Nga Lugina në Kosovë.
Me zemër, me dinjitet dhe me besim te drejtësia. Dhe me bindjen e thellë se ata që luftuan për lirinë do t’i kthehen familjeve të tyre, Kosovës dhe kombit të tyre. Si gjithmonë, edhe kësaj here – për jetë – do të jemi aty ku është kombi.
Shoqata Humanitare “Lugina e Preshevës”
Gossau – Zvicër
Ph.D.Dashnim Hebibi, kryetar










