Nga Dashnim HEBIBI
Presidenti i SHKA “Dardania”, me qendër në Winterthur të Zvicrës, Shefqet Cakolli, ka përcjellë urimet e tij për qytetarët e Kosovës dhe për Lëvizjen Vetëvendosje (VV) me rastin e fitores në zgjedhje.
Në mesazhin e tij, Cakolli theksoi rëndësinë e procesit zgjedhor dhe e vlerësoi atë si të lirë dhe demokratik, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm për forcimin e institucioneve dhe demokracisë në vend. Ai shprehu mirënjohje të veçantë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për publikimin e shpejtë të rezultateve, duke uruar që edhe pjesët e mbetura të procesit të përfundojnë sa më parë, në mënyrë që shteti të bëhet funksional pa vonesa.
“Urime Kosovë për zgjedhjet e lira dhe demokratike. KQZ-së i shpreh mirënjohje për rezultatin e shpejtë dhe lutemi që edhe pjesët e mbetura të kalojnë sa më shpejt, në mënyrë që shteti të jetë funksional”, u shpreh Cakolli.
Ai gjithashtu nënvizoi për helveticALforum.ch rolin dhe pritshmëritë e mërgatës shqiptare, duke theksuar se ajo pret bashkëpunim konkret me institucionet e reja, përmes njerëzve kompetentë që janë në mërgatë, sipas tij, nuk janë ndalur kurrë së punuari për të mirën e kombit. Cakolli theksoi se mërgata mbetet e gatshme të kontribuojë me përvojën dhe potencialin e saj në zhvillimin e Kosovës.
Në fund të deklaratës, presidenti i SHKA “Dardania” uroi partinë fituese që të përmbushë premtimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore dhe të punojë në interes të qytetarëve dhe të shtetit.
“Partisë fituese i urojmë që t’i përmbushë premtimet”, përfundoi ai. / HelveticALforum.ch




