Në mungesë të opozitës, ndërpritet seanca për president
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka ndërprerë seancën për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës në mungesë të kuorumit. Në sallë ishin të pranishëm vetëm deputetët e pushtetit dhe mungoi opozita.
“Nuk ka kuorum për ta vazhduar këtë seancë.
Disa herë u bëra thirrje deputetëve të vijnë dhe të jenë të pranishme, por ata nuk janë të pranishëm dhe kështu nuk i kemi 2/3 e deputetëve. Nuk mund të vazhdojmë me votimin”, tha Haxhiu. Sipas rregullave kushtetuese, për zgjedhjen e presidentit në votimin e parë nevojiten të paktën 80 vota të deputetëve.
Përfundon seanca e Kuvendit, vazhdon seanca e radhës në ora 22.00
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj në prag të nisjes së seancës së jashtëzakonshme për ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me zgjedhjen e presidentit, ka fajësuar Lëvizjen Vetëvendosje për gjendjen e krijuar dhe ka thënë se kjo as nuk i ka hije demokracisë e as shtetndërtimit. “Mbi të gjitha tendenca për një pushtet njëpartiak në Kosovë tash është shpërfaq edhe në këto orë të vona të natës. Ashtu siç ishte edhe në vitin e kaluar, që jemi munduar bashkë me juve dhe të gjithë ata që kanë dashur të na dëgjojnë se bllokada institucionale e ka një emër dhe një subjekt politik, që fatkeqësisht, për dikën fatmirësisht, është subjekti i parë. Edhe sonte seanca thirret në 8 e 20 për orën 8 të mbrëmjes, dhe tash paramendoni edhe aspektin legal edhe përmbajtësor, edhe të kohës, por edhe të rregullores së Kuvendit”, ka thënë Zemaj.
Ai ka thënë se kërkesa për ndryshime kushtetuese është e vonshme. Sipas tij këto amendamente janë demokratike dhe të studiuara mirë në atë kohë, por është shprehur kundër mënyrës së procedimit.
“Këto ndryshime të cilat kanë kaluar edhe nëpër flitrat e Gjykatës Kushtetuese para një kohë të gjatë janë amendamente demokratike, kanë qenë të studiuara mirë në atë kohë, në rrethanat e zgjedhjes së presidentit të asaj kohe edhe në kuptimin e marrjes së mandatit edhe ndërprerjes së mandatit, por edhe të reformës zgjedhore dhe kushtetuese që ka qenë në Republikën e Kosiovës. Ndërsa mënyra qysh është proceduar në afatet e fundit kushtetuese për zgjedhjes së presidentit të vendit, edhe e dëmton demokracinë, por nuk i jep vlerë zgjidhjes që ne të kemi presidentin e ri të Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë në seancën e jashtëzakonshme se LDK i voton amendamentet për ndryshimet kushtetuese, që Presidenti të zgjidhet direkt nga populli.
Ai ka thënë se LDK në vitin 2011 ka qenë një nga përpiluesit e këtyre ndryshimeve dhe i ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese.
Tutje, ka thënë se pos 2/3 e votave të shqiptarëve duhen aq edhe nga pakicat.
Por, Lumir Abdixhiu tha se LDK i mbështet këto ndryshime.
“LDK i mbështet dhe i voton ndryshimet kushtetuese. Këto amendamente kushtetuese janë hartu nga LDK edhe në vitin 2011, në atë vit këto amendamente janë dërgu në Gjykatë Kushtetuese sepse janë bindje ideologjike që rrjedhin nga presidenti historik Ibrahim Rugova, presidenti duhet të zgjedhet nga populli”.
“Përveç që duhen 2/3 të shqiptarëve, duhen dhe 2/3 të pakicave dhe çështja e dytë, në ato amendamente thonë se këto hyjnë në fuqi 6 muaj pasi të votohen në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në seancën e thirrur për amendamentet e Presidentes, tha se nuk duhet që “në orët e fundit të mandatit deputetet të sfidohen në seancë të jashtëzakonshme e pa material”.
Ai konsideron se tema e presidentit kërkon trajtim serioz.
“PDK vlerëson se çështja e zgjedhjes së presidentit nga populli është një temë që meriton trajtim serioz, institucional dhe politik”, tha Hamza.
“Materialet ju vijnë deputetëve në orën 20:30”, tha Hamza duke vlerësuar se gjithçka ndodhi shumë vonë.
“PDK ka qenë dhe është që presidenti të zgjedhet nga qytetarët, mirëpo kjo don një trajtim serioz dhe duhet të jetë e vendosur brenda procedurave që kërkojnë të trajtohet kjo çështje”./BS
Fillon seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të votohet për ndryshimet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani sa i përket zgjedhjes së presidentit me votë direkte nga populli.
Takimet ndërmjet liderëve politikë, duke përfshirë kryeministrin Albin Kurti me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, kanë dështuar të sigurojnë konsensus.
Presidentes aktuale, Vjosa Osmani, i skadon mandati pesëvjeçar më 4 prill, por Kuvendi duhet të votojë për presidentin për mandatin e ri më së largu deri sot 5 mars ora 24:00.




