Porti i Sarandës vijon të presë anije turistike edhe në ditët e para të shtatorit. Këtë të mërkurë, në Sarandë ka mbërritur sërish kroçera turistike “Seabourn Quest”, me 446 pasagjerë në bord.
Anija ka mbërritur nga Gythio, Greqi, ndërsa pasditen e sotme është planifikuar të largohet nga Saranda për të vijuar lundrimin drejt Dubrovnikut.
Turistët në bord vijnë nga një numër i madh shtetesh. Mes tyre ka vizitorë nga Bullgaria, Franca, Belgjika, Hondurasi, Kroacia, madje edhe nga Zimbabve. Gjatë qëndrimit në Sarandë, një pjesë e turistëve do të vizitojnë qytetin, ndërsa të tjerë kanë zgjedhur destinacionet turistike të zonës, mes tyre Butrintin dhe Syrin e Kaltër.
Me mbërritjen e “Seabourn Quest”, numri i anijeve turistike të regjistruara në Portin e Sarandës arrin në 47, prej të cilave 20 janë kroçera turistike.
Saranda vitet e fundit ka forcuar pozicionin e saj si një prej destinacioneve të rëndësishme të turizmit detar në Shqipëri. Afërsia me Korfuzin, Butrinti, Syri i Kaltër dhe atraksionet e tjera të jugut e kanë kthyer portin në një pikë të rëndësishme ndalese për itineraret turistike në Jon dhe Mesdhe.
Prania e kroçerave sjell gjatë çdo ndalese qindra vizitorë në qytet dhe në destinacionet përreth, duke krijuar një fluks të drejtpërdrejtë për sektorin turistik dhe bizneset lokale, transmeton abcnews.










