Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në konferencën e parë për media pas fillimit të procesit zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, njoftoi se procesi i votimit ka nisur me kohë në të gjitha Qendrat e Votimit në gjithë vendin.
“Sot procesi i votimit do të zhvillohet në 948 Qendra Votimi me 2,614 vendvotime, nga të cilat 910 janë qendra me 2,557 vendvotime për votim të rregullt, ndërsa 38 qendra, nga një për çdo komunë me 57 vendvotime, mundësojnë votimin me kusht”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmi Elezi.
Sipas listës votuese të certifikuar nga KQZ, numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1,999,204 votues, të shpërndarë në 38 komuna të vendit.
KQZ i ka bërë thirrje qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar. Elezi shtoi se qytetarët mund të kontrollojnë paraprakisht qendrën e tyre të votimit përmes platformës online të KQZ-së.
Ai gjithashtu foli për procesin e numërimit të votave, duke shpjeguar se sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i fletëvotimeve për subjektet politike bëhet në vendvotime, ndërsa numërimi i votave për kandidatët për deputetë fillon nga nesër në Qendrat Komunale të Numërimit.
“KQZ ka bërë përgatitjet që gjatë ditës së sotme të transmetojë të dhëna për pjesëmarrjen e qytetarëve në disa orare të ndryshme dhe në mbrëmje të fillojë me transmetimin e rezultateve preliminare”, tha Elezi.
Ai shtoi se bazuar në përgatitjet e bëra, besojnë se para orës 20:00 do të fillojnë transmetimin e të dhënave nga vendvotimet e para, që deri atëherë të kenë përfunduar numërimin e fletëvotimeve.
“Gjatë ditës së sotme, duke filluar nga ora 09:00, në platformën zyrtare të KQZ-së do të publikohen të dhënat e para të pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje, më pas në orën 11:00, 13:00, 15:00, 17:00 dhe në fund në orën 19:00”, tregoi ai.
Nisin votimet në Kosovë
(E plotësuar, ora 07:09) Qendrat e votimit në të gjitha komunat e Kosovës janë hapur sot në orën 07:00, duke shënuar fillimin e procesit zgjedhor. Qytetarët do të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës gjatë gjithë ditës. Sipas të dhënave zyrtare, në këto zgjedhje janë të regjistruar për të votuar gjithsej 1 milion e 999 mijë e 24 qytetarë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të gjitha përgatitjet teknike dhe administrative janë përmbyllur me sukses një ditë para ditës së votimit, duke garantuar mbarëvajtjen e procesit.
Përveç vendvotimeve të rregullta, në çdo komunë është caktuar edhe nga një qendër për votim me kusht. Procesi zgjedhor po zhvillohet në 910 qendra votimi, të shpërndara në 2,557 vendvotime në gjithë vendin.
Zgjedhjet e parakohshme: Kosova voton
Sot, qytetarët e Kosovës kanë mundësinë të ushtrojnë të drejtën e tyre themelore për të votuar dhe për të zgjedhur përbërjen e Kuvendit. Zgjedhjet përbëjnë një moment kyç të demokracisë, duke siguruar që përfaqësimi politik të reflektojë vullnetin e qytetarëve. Ky proces organizohet në mënyrë të rregullt dhe të sigurt, nën mbikëqyrjen e institucioneve vendore dhe vëzhguesve ndërkombëtarë.
Rreth 2 milionë shtetas të Kosovës, me të drejtë vote, sot kanë mundësi t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përbërjen e Kuvendit.
Procesi zgjedhor është parashikuar të zhvillohet në 948 qendra të votimit, me gjithsej 2.614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2.557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.
Qytetarët me të drejtë vote mund të votojnë nga ora 07:00 deri në orën 19:00. Ata kanë mundësi të zgjedhin përfaqësuesit e tyre për Kuvendin e Kosovës.
Në garë për të zënë një vend në Kuvendin e Kosovës janë gjithsej 1.146 kandidatë për deputetë nga 23 subjekte politike që garojnë në këto zgjedhje, transmeton rtk.




