Kosova dhe Italia tashmë janë edhe më pranë me një lidhje të re ajrore direkte mes Romës dhe Prishtinës. Fluturimet e reja kanë nisur këtë muaj, duke krijuar një mundësi të re udhëtimi për qytetarët, diasporën dhe komunitetin e biznesit.
Nisja e parë nga Roma u shënua me një ceremoni të veçantë në aeroport, ku u përshëndetën bashkatdhetarët që udhëtuan drejt Prishtinës. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Federico Scriboni, Drejtor për Zhvillimin e Linjave të Reja në Aeroportet e Romës. Linja direkte Romë–Prishtinë pritet të lehtësojë udhëtimet mes dy vendeve dhe të krijojë një lidhje më të drejtpërdrejtë për qytetarët që lëvizin për arsye familjare, turistike, profesionale dhe biznesi.

Për komunitetin e madh shqiptar në Itali, kjo linjë përfaqëson gjithashtu një mundësi të re për të udhëtuar më lehtë drejt Kosovës, duke shkurtuar rrugën dhe duke forcuar lidhjet me familjarët në vendlindje. Përtej aspektit të transportit, lidhja e re ajrore shihet si një urë që afron më shumë njerëzit, bizneset dhe institucionet e Kosovës dhe Italisë. Me nisjen e fluturimeve direkte, Romë–Prishtinë bëhet një tjetër lidhje ajrore që kontribuon në rritjen e komunikimit dhe lëvizjes mes dy vendeve, duke e bërë udhëtimin mes kryeqyteteve më të drejtpërdrejtë dhe më të qasshëm, njofton ambasada e Kosovës në Itali, përcjell helveticALforum.ch.










