POSTIMET E FUNDIT

Republikanët në muajin prill mund ta humbin shumicën në Kongresin amerikan

Në distriktin e 14-të zgjedhor në shtetin federal të Georgia mbrëmë u mbajt raundi i parë i zgjedhjeve speciale për të plotësuar vendin që mbeti bosh pasi u largua ish-kongresistja Marjorie Taylor Greene.

Kjo e fundit dikur ishte një nga aleatet më të mëdha të presidentit amerikan, Donald Trump, por insistimi i saj për publikimin e plotë të dokumenteve nga hetimet për shkelësin seksual Jeffrey Epstein çoi në një përplasje të madhe mes tyre.

Nën presionin e madh të Trumpit, Taylor Greene në fund të vitit të kaluar njoftoi largimin nga Kongresi amerikan, ndërsa në janar të këtij viti e braktisi zyrtarisht vendin. Për këtë arsye u mbajtën këto zgjedhje speciale, në një distrikt që zakonisht kontrollohet pa vështirësi nga republikanët, raportojnë mediat.

Që nga viti 2010, kur u krijua distrikti, republikanët kanë fituar – dhe atë me diferenca të mëdha – në këtë pjesë konservatore të Georgias.

Megjithatë, mbrëmë ndodhi një surprizë kur më së shumti vota fitoi Shawn Harris nga Partia Demokratike. Dy vjet më parë ai kishte humbur bindshëm ndaj Taylor Greene, duke marrë vetëm 35 për qind të votave.

Megjithatë, ai nuk arriti të marrë 50 për qind të votave të nevojshme për fitore, kështu që do të shkojë në raundin e dytë ku do të përballet me kandidatin republikan Clayton Fuller, i cili ka marrë edhe mbështetjen e Trumpit.

Nëse republikanët e humbin këtë vend, do të rrezikohej shumica e tyre, e cila aktualisht varet vetëm nga një kongresist, pasi njëri prej tyre vendosi të largohet nga partia dhe të regjistrohet si deputet i pavarur.

Taylor Greene ishte jashtëzakonisht e popullarizuar në distriktin e saj dhe shumë e shihnin si një “yll në ngritje” në Partinë Republikane, veçanërisht sepse rruga e saj politike bazohej në populizëm të ngjashëm me atë që e çoi Trumpin në dy fitore në zgjedhjet presidenciale.

Megjithatë, për shkak të përplasjes rreth dosjeve të Epsteinit, Trump vendosi të prishë plotësisht marrëdhëniet me Taylor Greene, gjë që mund t’i kushtojë edhe shumicën në United States House of Representatives. Raundi i dytë do të mbahet më 7 prill, transmeton telegrafi.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB